Uji Dea

Suksesi dhe mungesat e gjysmëvjetorit të parë, përafërsisht të njëjta me vitin e kaluar

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Komiteti i Arsimit e ka shqyrtuar raportin e suksesit të gjysmëvjetorit të parë në shkollat e Gjilanit, të cilin e ka paraqitur Jetmir Jerliu, zyrtar për Arsim dhe, në përgjithësi është ndarë i kënaqur, por ka shprehur disa shqetësime sa i përket mënyrës së vlerësimit të nxënësve, i cili ndryshon shumë në gjysmëvjetorin e dytë, sidomos te niveli i mesëm i lartë, sikurse edhe për mungesat e shumta të nxënësve.

Jerliu tha se në arsimin fillor, ku vijojnë 7736 nxënës, me sukses pozitiv kanë dalë 99 për qind e tyre, me sukses negativ kanë qenë 0.82 për qind, ndërsa 6 nxënës figurojnë të pa notuar.

Në arsimin e mesëm të ultë, ku vijojnë 7236 nxënës, me sukses pozitiv kanë dalë 81 për qind, me sukses negativ janë 19 për qind, ndërkaq të pa notuar figurojnë 20 nxënës, derisa në arsimin e mesëm, ku vijojnë 7627 nxënës, me sukses pozitiv janë vetëm 51.34 për qind e nxënësve, rreth 48 për qind kanë sukses negativ, kurse 57 nxënës figurojnë të pa notuar.

Nota mesatare në të tria nivelet është 3.57. Niveli i parë (1-5), ka arritur notë mesatare prej 4.54, niveli i dytë (6-9), ka notë mesatare 3.57, ndërsa niveli i tretë (10-13) ka dalë me notë mesatare 2.62.

Në aspektin krahasues, suksesi mbetet përafërsisht i njëjtë me gjysmëvjetorin e parë të vitit ë kaluar shkollor. Te arsimi fillor ka rritje simbolike të suksesit pozitiv, por që nuk arrin as deri te një për qind, te arsimi i mesëm i ultë ka një rënie të suksesit më shumë se një për qind, sikurse edhe te arsimi i mesëm i lartë, që rënia e suksesit pozitiv shkon në 2 për qind.

Arsimi i mesëm i lartë prin edhe për numër mungesash të nxënësve – 74303 gjithsej, ose rreth 10 mungesa për çdo nxënës. Në arsimin e mesëm të ultë, mesatarja e mungesave për kokë nxënësi është rreth 5, ndërsa në nivelin fillor – më pak se dy mungesa për çdo nxënës. Rënie të mungesave ka te arsimi i mesëm i ultë, ka thënë Jetmir Jerliu, zyrtar për Arsim.

Shkëlqim Latifi, kryesues i Komitetit të Arsimit, tha se gëzon fakti që numri i mungesave ka shënuar një rënie të lehtë, por ka hapësirë për t`u përmirësuar ende gjendja në arsim, si në aspektin e suksesit të nxënësve, ashtu edhe në vijueshmërinë e tyre.

Uji Dea

Bahrije Veseli (LDK) tha se raporti nuk ofron analizë për orët e humbura. Ajo u shpreh e pakënaqur edhe me suksesin e nxënësve dhe me mënyrën vlerësimit të dijes së tyre. Nuk është e mjaftueshme që dija e një nxënësit të vlerësohet me një të pyetur, ose me një test gjatë tërë vitit shkollor.

Ajtene Shahiqi (AAK) tha se është e brengosur me numrin e nxënësve të pa notuar, që sipas raportit është 83 dhe kërkoi që autoritetet arsimore të ofrojnë informacione pse dhe si ka ndodhur që kaq nxënës të mbeten pa u notuar. Sa i përket notimit, ajo tha vlerësimi është punë e vështirë, prandaj duhet pasur kujdes që të mos zhgënjejmë nxënësit”, ka thënë Shahiqi.

Edhe Saranda Bllaca (LDK) tha se është e brengosur me suksesin negativ në arsimin e mesëm, sukses ky që në fund të vitit ndryshon shumë. “Si është e mundur të ndodhë kjo me të njëjtit nxënës”, ka thënë ajo, ndërkohë që kërkoi t`i bëhet një analizë me e gjerë kësaj problematike.

Rashit Sahiti (LDK), duke e marrë parasysh numrin e madh të mungesave të nxënësve, tha se shkollave duhet të t`u lejohet të kenë rregullore të brendshme për disiplinë. Ai tha se disa shkolla kanë nevojë edhe për inventar.
Mimoza Shkodra (AKR) ka thënë se në shkollën e Bujqësisë ka probleme me nxehjen në ndërrimin e pasdites, prandaj po krijohen vështirësi për mbajtjen e mësimit.

Duke u dhënë përgjigje këtyre shqetësimeve, Jetmir Jerliu ka thënë se shifrat për numrin e nxënësve të pa notuar, në fund të vitit ndryshojnë dhe nuk mbeten më tepër se 4-5 nxënës, por në këtë gjysmëvjetor janë evidentuar kështu, mbase për shkak se ndonjë nxënës ka migruar me familje, ka ndërruar vendbanimin, ose shkollën dhe arsye të tjera, por nuk mund të flitet për braktisje të shkollimit.

Sa i përket shqiptimit të masave disiplinore brenda shkollës, Jerliu tha se me ligjin e ri kjo përgjegjësi i lihet drejtorit, ndërsa sa i përket inventarit të vjetruar në disa shkolla, ka shumë gjasa që ai të zëvendësohet së shpejti, pasi që është siguruar një donator. Nxehja në shkollën e Bujqësisë, ka qenë problem teknik, i cili do të evitohet gjatë ditës së ardhshme, ka thënë Jerliu.

Komiteti e rekomandoi për Kuvend Komunal edhe kërkesën e studentit Besart Syla, i cili kërkon financimin e studimeve të magjistraturës në Itali. Shkëlqim Latifi, kryesues i Komitetit, ka thënë se Syla ka qenë bursist i Komunës gjatë katër viteve të kaluara. /rajonipress/