ARKATANA

Skender Halimi – poeti i përndjekur e i burgosur i një kohe…

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Poeti flokë bardhë, nga Selishta e Karadakut, Skender Halimi (1958), i takon gjeneratës së një kohe të zhvillimeve të mëdha. Ai, sot rrëfen e s’ndalet. S’ndalet, për faktin se, gjatë kohës së studimeve iu bën padrejtësi të dhimbshme nga profesorët e tij. Ndonëse tash është në një moshë të pjekur, i përkujton ato vite, të cilat i lanë pasoja në jetë.

Ai rrëfen, e rrëfimet e tij janë të dhimbshme. Rrëfime që kanë prekur sendrën e njeriut. Dhe, jo vetëm kjo. Mësimet e para Skenderi Halimi i mori në shkollën Haxhaj, e më vonë i vazhdoi në Selishtë të Mirko Gashit, poet i ndjerë. Pastaj, ai kreu gjimnazin, disa vite në Zhegër e ato të fundit, në Gjilan. Jeta e tij ishte me probleme jetësore. I ati i tij, Selmani 76-vjeçar, punonte natë e ditë si murator. E ndihmonte Skendrin, shkollarin e parë të kësaj ane të Karadakut.

Për Skender Halimin s’vinin shpejt ditët e mira. Çdo ditë jeta i bëhej më e ligshtë dhe më e paduruar. Por, i riu selishtas ishte i etur për dije. Me kohë hyri në botën e librit. E deshi librin, shokun e jetës. Më vonë filloi të shkruajë poezi e ndonjë tregim të shkurtër.

Poezitë filloi t’i botojë në revistën “Zëri i rinisë”, “Flaka e vëllazërimit”, “Bota e re” etj. Ai, sot rrëfen dhimbshëm. “Po. Shkruaja poezi, sepse më imponohej nga brenda të bëja krijime arti. Nuk mundja “ndryshe” të ngritja zërin “tjetër” të kushtrimit për jetë. Çka ngjau në mua? Gjatë studimeve, poezitë e mia i gjeta të botuara nga autorë të tjerë. Për mua, këta “shokë” ishin të papritur! Kjo më iritonte pa masë.

Pata “telashe” edhe me disa redaktorë rreth krijimeve të mia. Ata, poezitë e mia filluan t’i shikonin me “dioptrinë” tjetër. Më thonin se janë krijime “nxitëse” që janë në kundërshtim me ligjin e rendin e asaj kohe. Përkundër kësaj “politike”, unë vazhdova të shkruaj. Me paratë e bursës Universitare, bleja libra. E pasurova bibliotekën me afro 3000 copa. Shpejt erdhi Pranvera e Stuhishme e 81-shit. Ky vit i qëndresës më gjeti në Prishtinë. Aty ku për herë të parë në historinë e Evropës Juglindore lëkundeshin themelet totalitare komuniste. Filluan arrestimet, proceset e montuara politike, etiketimet monstruoze ndaj asaj rinie krenare dhe të pathyeshme.

Amfiteatrot filluan të zbrazeshin. Shumë nga ata, që i mbushnin, dergjeshin nëpër çelitë dhe kazamatet serbosllave. U krijuan aso rrethanash, ku na dukej vetja e tepërt. Shumë herë e ndjeja vetën më keq se ata që ishin brenda. Por, e dija se do të më vijë radha edhe në mua. Dhe, 23 korriku i atij viti 1981 më gjeti për herë të parë prapa grilave me akuza të rënda e poshtëruese. Gjatë hetuesisë, hetoja se intelektualët ishin në shënjestër.

Më tepër më pyetnin për intelektualët e kalibrit të Ali Hadrit, Demush Shalës, Din Mehmetit, Ali Podrimjes, Hasan Mekulit, Fahredin Gungës, Teki Dervishit, Enver Mehmetit etj., se sa për veprën që më akuzonin. Nga kjo “kuzhinë” djallëzore, unë shihja qartë se ata synonin shkatërrimin e intelegjencës sonë, në mënyrë që pastaj më lehtë t’ realizojnë synime e tyre djellakeqe. Pas kësaj, u arrestova edhe dy herë. Bile, gjithmonë arrestohesha kur afrohej afati i provimeve në fakultet. Sa herë dilja nga burgu, afati më kalonte.

Eco Higjiena

Herën e katërt të arrestimit, e pasova me dënim prej dy vjetësh e gjysmë në burg. Pas daljes nga burgu, unë u takoja atyre njerëzve të apostrofuar dhe pa asnjë të drejte të ushtrimit të profesionit tim, të cilin e doja aq shumë dhe që nuk e ndërroja me asgjë.

Kështu, në afatin e qershorit, unë kisha vetëm një provim. Mirëpo, pasi profesori ynë hyri vetëm dhjetë sekonda para nesh, meqë unë me shokë hymë pas tij, ai nuk na pranoi në provim dhe na nxori përjashta. Ai ishte nr. NJË në politikën e asaj kohe në katedrën tonë. Ç’prej atij momenti e deri në arrestimin e fundit, unë nuk pata rastin të hyj në provim, pasi përherë më arrestonin dy apo tri ditë para provimit. Gjatë kohës në burg, përgatitja më mirë provimin.

E kreva edhe temën e diplomës te i njëjti profesor. Nuk kalova “lehtë”. Për profesorin unë isha një student i anatemuar. Nuk më vlerësoi aq mirë. E dijë, nuk isha i kënaqur me notën që ma dha. As indeksin nuk e morra. Atë ma sollën më vonë nga një i afërm. Vitet që pasuan ishin të vështira. Unë ndjeja një “stuhi” shpërthyese. Nëntori i vitit 1989 më gjeti të shtrirë në spital si pasojë e sëmundjeve të veshkëve. Edhe pse i sëmurë, unë me zemër e më shpirt isha me rininë, sepse më qonte peshë zëri i atdheut. Kjo “stuhi” e filluar më gëzonte, se jepte fryte. E mendoja që ta marri botën në sy. Nuk shihja derë tjetër. Së shpejti erdhën ditët e Pranverave të Mëdha. Erdhën, por jo pa marrë tagër.

Erdhi lufta 1999. Edhe unë, për t’i shpëtuar kasaphanës serbe, ika në Maqedoni. U strehova në familjen e Sadat Mustafës nga Rrahmonlia e këtij shteti. Këtu qëndrova dy muaj. Si të gjithë të tjerët, edhe unë u ktheva në vendlindje. Shtëpia mu kishte djegur gjer në themel. Por, e rëndësishme ishte se u ktheva në atdheun tim, Kosovë. Mu ringjall në vete ndjenja e një jete të re. Nën gërmadhat e shtëpisë sime gjeta copa fletash të librave të mia të dokumentacionit të djegur.

Flaka i kishte marrë dhe dy përmbledhje të mia me poezi, të cilat i kisha bërë gati për botim. Por, më ngushëllonte fakti se nuk pata tragjedi familjare. Jetën e re e fillova nën tendë. Pas 23 nëntorit më doli në ndihmë motrat e nderit të Kishës se Letnicës e të Stubllës. Ato ma aftësuan një dhomë për të qëndruar brenda me familje. Edhe baca Viktor, mjeshtër i vjetër i Stubllës, më ka dalë hakut.

Kështu ishte rrugëtimi im i përndjekur nga pushtuesi, por edhe nga “profesorët frikacakë” të kadedrës sonë. Pas ndarjes prej dy dekadave, erdhi koha të punoj me ditar në dorë. E përjetova një kohë të “mollës së ndaluar”, shtoi Skender Halimi, profesor dhe poet i anatemuar i një kohe. Tash jeton e punon në Gjilan!/Tefik Selimi/rajonipress/