FIDANISHTJA

15 vite përkushtim në UBT – Lirigzona Morina, simbol i profesionalizmit dhe shërbimit institucional

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Në çdo institucion të suksesshëm ka njerëz që nuk kërkojnë vëmendje, por që me punën, korrektësinë dhe përkushtimin e tyre bëhen shtylla mbi të cilat ndërtohet besimi institucional. Në Kolegjin UBT, një nga institucionet më të avancuara të arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon, një prej këtyre emrave është Lirigzona Morina.

Prej më shumë se 15 vitesh, ajo është pjesë e pandashme e UBT-së, duke dëshmuar profesionalizëm, përgjegjësi dhe gatishmëri të vazhdueshme për t’u shërbyer studentëve, stafit akademik dhe administrativ. Në një institucion me ritëm të lartë pune dhe standarde të larta organizative, Lirigzona Morina është shquar për qasjen e saj njerëzore, efikasitetin dhe korrektësinë, duke qenë gjithmonë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje dhe zgjidhje.

Në një postim emocional të publikuar në rrjetet sociale, me rastin e 15-vjetorit të angazhimit të saj në UBT, ajo e përshkruan këtë rrugëtim si një histori të mbushur me përkushtim, rritje, zhvillim dhe dashuri për institucionin që, sipas saj, u bë jo vetëm vendi i punës, por edhe vatra e dijes dhe e formimit të saj profesional e njerëzor.

Mobi Casa

“15 vite në UBT. Një rrugëtim i mbushur me përkushtim, rritje, zhvillim, mësim e mbi të gjitha me shumë dashuri. Në UBT jam rritur. Aty ku nisa ëndrrën time, e mu bë vatra ime e dijes, rruga e shpresës dhe e zhvillimit tim”, shkruan Morina, duke shprehur mirënjohje për çdo mundësi, sfidë dhe për çdo njeri që ka qenë pjesë e këtij udhëtimi.

Ajo thekson se ndihet e privilegjuar që vazhdon të jetë pjesë e një institucioni që frymëzon breza të rinj, krijon mundësi dhe ndikon pozitivisht në zhvillimin akademik e profesional të mijëra studentëve, ndërsa shpreh dëshirën që edhe kontributi i saj ndër vite të ketë qenë një burim energjie pozitive, bashkëpunimi dhe respekti për të gjithë.

Historia e Lirigzona Morinës dëshmon se suksesi i një institucioni nuk ndërtohet vetëm mbi infrastrukturën, programet akademike apo teknologjinë, por mbi njerëzit që çdo ditë, me përkushtim dhe integritet, e bëjnë atë të funksionojë. Pas çdo arritjeje institucionale qëndrojnë profesionistë që punojnë në heshtje, duke e kthyer përgjegjësinë në kulturë pune dhe shërbimin ndaj të tjerëve në vlerë të përhershme./rajonipress/