UBT

Si teatrot mesjetare – komedi e tragjedi

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Shefik Shkodra – Skena të padurueshme. Nuk dua të keqkuptohem dhe nuk kam asgjë kundër askujt personalisht. Më në fund askush nuk ma zë vendin tim. Nuk jam duke bërë gara me askënd për vende të caktuara institucionale. Nuk është duke më shkaktuar askush dëm në të “ardhura personale”, vetëm mua, apo dy-tre vetave. Flasim për çështje shumë të përgjithshme.

Në çdo muaj le të bëhen, sa herë të dojë kush të dojë e kush të mundët zgjedhje e zgjidhje. Këtu te ne është vend i “eksperimenteve” shoqërore, ekonomike, vjedhacake, kundërmuese për gjithë rajonit. Këtu askush nuk është përpjekur që të rris ekonominë dhe standardin e jetës së qytetarëve. Kjo është thënë me qindra e mijëra herë. S’kanë rëndësi më as shkrimet nëpër faqet e gazetave e të portaleve të ndryshme. Po mënyra se si po procedohet te ne nëpër ato sallat e atij Parlamenti, është mjerim. Është pak komike e më shumë tragjike. Është vepër e një fundërrinë e gërditshme.

Kundërmim i qelbët shumë që ndihet larg. Po më e afër e më e ndjeshme është për ne këtu që jetojmë dhe e quajmë vend tonë. Cili është ky vend dhe i kujt? Të thirren mini-provincat që të luftojnë për kokat e princave! Këto pamje t’i kujtojnë rrëfimet historike me shkrim ose me gojë, jo larg kohë, për bajraqet dhe bajraktarët në luftë për votat, apo për “ujdisjen” e ndonjë kajmekami, komunari (në kohën e sundimit turk, atij serb), për këtë në luftë njëri me tjetrin.

Njëri prej tyre me taborin e katundarëve të vet, sigurisht me ndihmën e pushtetit, do ta mundte bajraktarin me bajrakun e tij. Por fitorja bëhej gati sa herë sinonim i fitores së Pirros. Këtu nuk ka nevojë për kurrfarë analize. Për këtë duhet të mendohet kush, sa dhe si duhet të përgjigjet para këtij populli. Pse të futet mileti si në feudalizmin e vonshëm në luftë për asgjë. Tipat – politikanë të rinj të këtij shekulli. Nuk i vret ndërgjegjja për këto skena të tmerrshme. Kjo është pasqyra që s’do koment. Errësira feudale nuk ka kaluar ende nga Kosova e mbi Kosovën.

Ky është shek. XXI, kur në Kosovë ende përsëriten skenat e tilla të atyre regjimeve të kaluara që shtypnin pa mëshirë këtë popull. E gjithë kjo sinkroni e akteve deri te synimi i vendit institucional të privilegjuar, me “hu në krah”, është më shumë produkt i forcave të jashtme të bashkuara me ato brenda. Kjo “punë të kryhet me çdo çmim!…” këtu dalin ‘për fushë’ edhe (jo)legjitimiteti i protagonistit tonë, krejt sipas asaj që shkruhet në dokumente juridike te ne, jomoralisht jo e këndshme, por edhe kushtëzimet ndaj kandidatit tonë të zgjedhur.

Fundamenti

Edhe pak për ata që ishin për të votuar në atë sallë

Opozita nuk është aq e përgatitur, them për të ofruar diç më të mirë e të besueshme. Megjithatë, më vjen mirë për rezistencën jo për “inate”, (edhe pse këtë mund ta mendojë dikush përbrenda kësaj opozite, si dhe pozitës) por është shumë me rëndësi, të mos pranohen marrëveshjet në dëm të këtyre qytetarëve dhe këtij vendi. Të mos mundet më pozita, koalicioni në pushtet të veproj çka të dojë e në mënyrë jo transparente dhe të mos dëgjohet asnjë zë në organin legjislativ të popullit. Kjo është edhe pjekuri për opozitën dhe qytetarët.

Këta të tjerët…

Po këta zotërinjtë dhe zonjat e nderuara, a dinë të thonë, kë e përfaqësojnë në ato ulëse. Pse një herë jo, pastaj po, pastaj…Është e çuditshme. Të paguhesh dhe të betohesh se do të jesh zëri i popullit, atyre votuesve dhe ta kundërshtosh këtë zë e të implikohesh si gënjeshtar-e dhe njeri pa dinjitet…?! As kjo nuk mund të zbërthehet në asnjë mënyrë, kushdo le të mundohet. Te ne bëhen… Si lajthitet njeriu i vetëdijshëm për cilëndo punë që shtrohet në kuvend? Si i mbyll sytë e veshët njeriu që është i deleguar dhe paguhet bukur shtrenjtë në krahasim me shtresat tjera sociale të kësaj shoqërie? Kuvendi i jonë nuk është vetëm për këtë rast një mbrapshti. Ka iks tema e ligje që janë shtruar dhe s’kanë bërë efekt në shoqëri, sepse kuadrot janë të dobëta e për interes dite. Edhe ato ligje që miratohen, nuk funksionojnë.

Gjithsesi, duke filluar nga liderët e atyre partive. Por ka edhe iks tema e çështje të ndryshme që i përkasin jetës së qytetarit, e që nuk janë shtruar në këtë kuvend dhe kemi mbetur në mese të “bylyqeve” të qytetarëve të vendeve tjera si “dhia e zhugavtë”. Prandaj , luhet lehtë me ne, por edhe këta njerëzit tonë, luajnë me cilëndo kartë që u vjen për shtati e për interes të vetin – po si ata deputet e deputete në atë kuvendin tragjiko-komik.