RCCOLA

Shënohet përvjetori i LDK-së në Starnberg

/ 25 minuta lexim

Starnbergu është një qytezë turistike 25 km në jug të Mynihut, në Bavari. Sharmin joshës ia jep liqeni plot kaltëri. Me qindra varka, të parkuara në anësore, të cilat aktivizohen në lëvizje ujore në ditët e ngrohta me diell.

Në qytezë dhe fshatrat përrreth jeton një komunitet, relativisht, i shumtë mërgimtarësh shqiptarë, të cilët, që nga viti 1993 janë organizuar në një aktiv të LDK-së. 20 vjet më parë, të mbledhur në fshatin Gauting, me nismën e komunitetit shqiptar dhe mbështetjen e Nëndegës të LDK-së për Bavari, me praninë e kryetarit Bashkim Leci, u themelua Aktivi i LDK-së në Starnberg.

Tani, të mbledhur në një datë jubilare, Kryesia bënë bilancin 20 vjeçarë të punës shumë të suksesshme të këtij Aktivi të veçantë në të gjithë Mërgatën shqiptare e, pse jo edhe në Kosovë.

Moderatori Hajzer Gashi, njëherit edhe anëtar i Kryesisë, bën hapjen e takimit, duke i dhënë fjalën nënkryetarit të aktivit, Musa Hamza, i cili përshëndetë mysafirët dhe prezanton Kryesinë, e cila, edhe pas 20 vitesh gjysma e saj është aktive dhe pjesë e Kryesisë edhe sot: Gani Batatina, kryetar, Musa hamza, nënkryetar, Ibrahim Potoku, sekretar, Afrim Mulaj, arkatar, Hajzer Gashi, Sabedin Dushi, Adem Lushaku, Ramadan Shema, anëtarë të Kryesisë, Daut Pepaj, delegat në Nëndegë, Fazli Gashi, kryetar nderi.

Harmonia – traditë e aktivit

Kryetari Gani Batatina mbajti raportin e punës, duke bërë një përvijim përgjithësues të veprimtarisë të begatë, që nga krijimi i aktivit dhe deri me sot: “20 vjet më parë mërgimtarët e kësaj zone, që përfshinë disa fshatra, me qendër qytetin e Starnbergut, u tubuan në Gauting dhe themeluan Aktivin e LDK-së. Zgjodhën kryesinë dhe kryetarin e parë Ali Mshica. Në kohën kur po themelohej aktivi ynë, Kosova e pushtuar ishte plot halle dhe përjetonte ditët më të vështira në historinë e saj. Qëllimi i organizimit tonë në një aktiv ishte fisnik. Kosova kishte nevojë për ndihmën e bijave dhe të bijëve të saj mërgimtarë. Dhe, vërtet, Aktivi ynë e nisi mbarë dhe vazhdon edhe sot, pas plot dy dekadash të përmbush obligimet statutore, edukative dhe humanitare”, – tha, në mes tjerash kryetari Batatina.

Më 1994, në zgjedhjet e radhës, kryetar u zgjodh Fazli Gashi, i cili do të vazhdojë kryesimin e aktivit për më shumë se një dekadë. Zotëri Gashi, një punëtor i hershëm, me njohje të gjerë të emigracionit në këtë zonë, i zellshëm dhe fort i përkushtuar për ta ndihmuar Atdheun, një organizator i shkëlqyer; njeri i nismave, i aksioneve të shumta të kohës; i rrethuar nga shokë të mirë; me gadishmëri për të punuar dhe kontribuar moralisht dhe materialisht. Aksionet pasonin njëri – tjetrin: ndihmë për arsimin në Kosovë; për Universitetin e Prishtinës; për Fondin e Republikës të Kosovës 3%-in; për Drenicën e përkallur; aksionin e madh -Gjithëçka për pavarësinë e Kosovës- …

Kryetari Batatina me shokët e Kryesisë të aktivit, me të drejtë, krenohen se në aktivin e tyre kanë pritur dhe biseduar për dramën e Kosovës dhe të popullit të saj me personalitete të shumta, duke filluar nga Kristina von Kohl, avokate dhe mike e madhe e shqiptarëve; zyrtarët e lartë të Qeverisë në ekzil, kryeminstrin Bukoshi dhe ministrat Isa Mustafa e Xhafer Shatri; historianin Skënder Gashi, atëherë kryetar i degës të LDK-ë në Austri; drejtuesit e LDK-së në Gjermani: Pjetër Colin, Marjan Tunaj, Donikë Gërvalla; shkrimtarë e poetë Azem Shkreli e Ali Podrimjen; prof. dr. Fidler nga Universiteti i Mynihut, gazetarë dhe zyrtarë të lartë gjermanë, me të cilët janë bërë organizimi i tri tribunave, për të shpalosur të vërtetën e hidhur për Kosovën.

Demonstrimet, protestat e shumta kundra presionit, torturave, terrorit, gjenocidit serbo-sllav, ishin pjesë aktivitetit të këtij aktivi emërmirë. Dhe, protagonistë të kësaj game veprimtarish ishin: Fazli Gashi, Gani Batatina, Ibrashim Potoku, Musa hamza, Shahin Sjarina, Selatin Gajtani, Ramadan Shema, Nazmi Meqani me bashkatdhetarët e shumtë, të cilët treguan gadishmëri dhe mirëkuptim për dy dekada radhazi.

Veprimtarët e aktivit të Starnbergut janë modest dhe ngurrojnë të flasin për kontributin e tyre të dhënë ndër vite e dekada. Miqësisht pyes ish-kryetarin shumëvjeçarë Fazli Gashi, për ndonjë asksion të ndërmarrë nga aktivi në vitet e robërisë dhe të varfërisë absolute të Kosovës? Zotëri Gashi, fillimisht ngurron, me arsyetimin se ne kemi bërë vetëm detyrën, si pjesë e Kosovës, Atdheut, prandaj nuk më pëlqen të lavdërohemi. Por, para ngulmimit tim, për të folur në emër të fakteve, dorëzohet.

Në aktiv mbizotëron ndjenja humane

“Dihet, Drenica ka qenë njëra nga trevat më të varfëra të Kosovës. Kryesia jonë, duke marrë edhe pëlqimin e anëtarësisë, u pajtua të ndihmojë 16 familje me nga 200 euro. Përzgjedhjen e familjeve e bëri mulla Osmani, kryetar i Bashkësisë Islame në Drenas. Pastaj mësuam për një djalë të zgjuar, i cili nuk kishte mundësi financiare për shkollim. Aktivi ynë mori përsipër shkollimin e tij dhe ai sot është jurist i diplomuar. Ai mbetet mirënjohës ndaj nesh, ndërsa ne krenohemi me sukseset e tij, në profesionin e tij. Një dridhje e fuqishme e tokës shkaktoi dëme në Gjilan. Aktivi ynë mblodhi dhe i dorëzoi zotëri Lutfi Haszirit një shumë modeste parash. Një djalë, luftëtar nga Juniku qe plagosur në kokë, në Koshare. Aktivi ynë mori përsipër shërimin e tij, duke bashkëpunuar me agjensinë “Ruselia”, për sjelljen e tij këtu dhe ai u vendos në familjet tona, deri në shërimin, rehabilitimin e tij të plotë”, – rrëfen modestisht Fazli Gashi, kryetar nderi i këtij asktivi.

Zoti Gashi preferon t`i heshtë aksionet tjera. Por, ne mësojmë nga shokët e tij se me rastin e plagosjes të luftëtarit Gani Geci, anëtar i çetës të Adem Jasharit, ka dhënë një shumë modeste parash për shërimin e tij si dhe shërimin e akademik Sabri Hamitit, që të dy të plagosur nga bandat kriminale të SHIK-ut. Aktivi ka blerë një makinë, tip xhip, për familjen Jashari në Prekaz. Ka mbështetur ngritjen e shtatores të heroit Sali Çekaj. Ka ndihmuar edhe funksionimin e Degës të LDK-së për Gjermani, para dhe pasluftës. Ka ftuar, pritur dhe përcjellur, herpashere, kuadro të LDK-së nga Kosova, duke organizuar takime informimi me bashkatdhetarët e këtueshëm dhe me palën gjermane.

Aktivi i Starnbergut ka organizuar promovimin e librit “Kështu foli Tahir Zemaj” si dhe librin e dr. Enver Bytyçit “Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës”.

Ka ndihmuar, për një muaj radhazi, pamjen e madhe për familjen e Jasharajve në Mynih. Ademi ishte ushtar i Ibrahim Rugovës dhe gjithçka u përballua nga LDK-së. Edhepse Hamëz e Adem Jashari ishin shpërfillur dhe injoruar gjatë luftës nga LPK-ja, ndërsa pasluftës, me një propagandë shfrenuese e gebelsiane e përvehtësuan luftën e tyre dhe familjen Jashari, me qëllim të përfitimit politik. Për më shumë se një dekadë lansuan gënjeshtrën e madhe sikur krerët e sotëm pushtetarë ishin “bashkëluftëtarë” të Ademit. Por, së fundi, rezultoi e kundërta. Ata i kishin luftuar, përgjuar dhe spiunuar Jasharët.

Rafet Krasniqi: Për Atdheun, Kosovën dhe Rugovën nuk kursehem

Është mërgimtar veteran, nga fshati Bresnje e Prizrenit, por ka lëvizur familjarisht, duke ushtruar, tradicionalisht, profesionin e gastronomisë, hotelerinë. Në qytezën piktoreske të Istogut ka kaluar rininë e hershme dhe kujton drejtorin autoritar të Gjimnazit, Abdurrahim Gashin, i cili, tashmë, ka kaluar të 90 vitet e jetës të tij shumë aktive dhe ende lëviz, por i ndihmuar nga shkopi i pleqërisë. Gjithashtu kujton me ndjenjen e dashurisë, respektit dhe të dhimbjes, madje deri në përlotje, nxënësin shkollar të shkëlqyeshm në sjellje dhe mësime, Ibrahim Rugovën, tanimë, i amëshuar.

Zoti Rafet Krasniqi rrëfen edhe për provokimet e “Lugut të Shkive” në Istog, një komunitet serb kundrashqiptar, të dëshmuar për lidhje direkte me Kralin e Serbisë dikur dhe më vonë me kryepolicin jugosllav Aleksander Rankoviç e shefin e nacionalizmit serb Sllobodan Millosheviç. Kryezoti i familjes Krasniqi, Dervish Aga, ishte provokua nga pushteti komunist në vijimësi, deri në detyrimin për ta brakstisur bisnesin dhe Istogun.

Kryetari Gani Batatina rrëfen: “Kur trokita në derën e bacës Rafet për ndihmë Kosovës, m´i numëroi 12 mijë marka gjermane. I hapa sytë dhe mendova: A thua ky njeri fisnik e dorëdhënës i pakursyer, e ka pasurinë e madhe apo zemrën dhe atdhedashurinë më të madhe. Megjithatë, përgjatë këtyre 20 viteve të veprimtarisë tonë aktive, kemi njohur shumë zotërinj më të kamur në pasuri, por, jo edhe në fisnikëri, në gadishmëri për kontribute materiale të kësaj përmase, siç bëri dhe bën baca i mirë, Rafet Krasniqi. E falenderova për bujarinë e dëshmuar vite me radhë, në emër të Aktivit të LDK-së dhe të popullit të Kosovës. “Për Atdheun, Kosovën dhe Rugovën, dera dhe kuleta ime janë gjhithmonë të hapura”, – më tha në përcjellje baca Rafet Krasniqi. Prej atëherë kanë kaluar vite dhe baca e mbajti premtimin, fjalën e dhënë. Dhe, në darkën jubilare, në përkujtim të 20 vjetorit të themelimit të Aktivit të LDK-së të Starnbergut, baca Rafet ishte ballëlartë dhe fort i admiruar nga të pranishmit, veprimtarë të Mërgatës shqiptare.

Aktivi i Starnbergut – ballëhapur në darkën festive

Në përvjetorin e 20-të të themelimit të Aktivit të LDK-së të Starnbergut, Kryesia kishte ftuar veprimtarë e kuadro të LDK-së, të shoqatave dhe të kubeve, të cilët veprojnë në këtë pjesë të Bavarisë. Ndër ta edhe 80 vjeçarin, veteran Nikollë Skelin me shokë nga Rosenheim-i; kontribuesin e madh material në paqe dhe në luftë Rafet Krasniqin; të kudondodhurit në veprimtari të ndryshme lokale e kombëtare, Mehmet Koka e Demë Çetta; kryetarin e sotëm të Nëndegës të LDK-së për Bavari, Mehmet Zymerin dhe atë të djeshmin Bashkim Lecin; kryetarin e Shoqatës “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen Osman Ferizin dhe anëtarin e kryesisë Gazmend Gashin; kryetarin dhe nënkryetarin e klubit sportiv ”FC Kosova” të Mynihut: Shaqir Zeqirin e Lulëzim Maliqin dhe të tjerë.

Përgjatë darkës të shtruar për këtë rast, mysafirët evokuan kujtimet e tyre për themelimin dhe bashkëpunimin me Aktivin e Starnbergut. Bashkim Leci kujton: “Ishte dita e parë e aktivitetit tim si kryetar i Nëndegës, dita kur themeluam këtë aktiv, i cili ka qenë ambasadë e Kosovës, ka qenë bukë, libër, ka qenë shkollë për nxënësit në Kosovë. Kryesia e këtij aktivi është shquar për organizim të shkëlqyer dhe vijimësi unike në veprimtarinë atdhetare. Ka kultivuar ndjenjën e miqësisë, të respektit reciprok, hyrje – daljet shoqërore e familjare, si vlera të mëdha shqiptare e njerëzore, duke ruajtur frymën, traditën tonë kombëtare, të përafrimit të njerëzve në kohë të mira dhe të vështira, për të përballuar bashkarisht trysninë dhe terrorin armik serbo-sllav. Sa herë jam në mesin Tuaj, unë ndjehem mirë dhe i familjarizuar”.

Nënkryetari Musa Hamza dhe sekretari Ibrahim Potoku flasin pët të djeshmen dhe të sotmen e aktivit. Aktvi ka arritur ta ruajë bërthamën e kryesisë dhe të anëtarësisë për 20 vitet të shkuara, duke qenë pagues të rregulltë të anëtarësisë, të aktiviteteve, të kontributeve humanitare. Ata krenohen me kryetarin e mëparshëm Fazli Gashin dhe me të tashmin Gani Batatina, i cili, me nismen e luftës, la familjen dhe iu bashkua çetës të Llapit. Ai nuk është marrë me burgjet e disa biçim “komandantësh”, por qëllimi i tij ishte lufta kundër pushtuesit, çlirimi, liria e Kosovës.

Mysafirët urojnë aktivin, por edhe sugjerojnë

Në këtë përkujtesë jubilare të themelimit të Aktivit të LDK-së të Starnbergut, të ftuar ishin edhe tre djemtë e Kosovës: Osman Ferizi, Ramadan Begu dhe Bashkim Leci, pjesëmarrës në përgaditjen ushtarake në Shqipëri, sipas një marrëveshjeje të arritur nga presidentët Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia. Bashkim Leci, i cili ndjehet më intim më këtë aktiv, meqë ishte bashkëthemelues i tij 20 vjet më parë, u sugjeron pritësve zëvendësimin e aktivit me shoqatë, madje “me emër të gatshëm dhe meritorë për këtë aktiv krejt të veçantë “Dr. Ibrahim Rugova”, me qëllim të gjithëpërfshirjes të mërgimtarëve të kësaj zone.

Kryetari Batatina dhe kryesia, me gjithë respektin për ish-kryetarin e tyre të Nëndegës, Lecin, nuk janë të gatshëm për të bërë lëshime, ndryshime. Tri gërmat e arta të LDK-së janë të shenjta për ata. Ato gërma i kanë lidhur përjetësisht me hyjnorin e Kosovës, me shtetbërësin tonë urtak dr. Ibrahim Rugova. Ata reagojnë maturisht, por vendosmërisht, se “edhe si aktiv jemi ofrues në bashkëpunim, madje jo vetëm me mërgimtarët tanë të kësaj zone, por edhe më gjerë. Ne jemi të kyçur në Shoqatën “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen dhe nuk ka arsye ta shuajmë aktivin, për t`u dyzuar në një shoqatë tjetër. Në organizimet tona festive marrin pjesë edhe mërgimtarët e partive tjera, bile edhe të partive “të vështira”, siç konsiderohen ato të ekstremit të majtë. Ne ofrojmë mirëpritje, ngrohtësi vëllazërore dhe siguri absolute për të gjithë shqiptarët, pavarësisht krahine, feje e partie. Këtë ndjesi dhe edukatë e kemi trashëguar nga njeriu i madh, i cili në Shqiptari nuk ka ndërmjetës që nga Skënderbeu, Presidenti Rugova”. Dhe, mjafton vetëm përmendja e këtij emri, tashmë, proverbial, për t`i përlotur të pranishmit në sallë!

Dr. Ibrahim Rugova – njeri vizionar

Mobi Casa

Të gjitha nismat, veprimet e dr. Rugovës kanë qenë mirë të peshuara. Ai e njihte popullin e vet më mirë se askush tjetër. Përgjatë studimeve, të specializimit për kritikën letrare, kishte kontaktuar edhe pjesëtarë të Mërgatës tonë. Në Paris kishte ndarë dhomën me piktorin e përmasës botërore, Daut Berisha, bashkkohës në Gjimnazin e Pejës, në vitet `60-a. Veprimtari dhe publicisti Avdyl Gërvalla më shkruan se piktori zulmëmadh është njëri nga 10 (dhjetë) personalitetet e shquara të Francës, të cilët, i konsultojnë, të paktën dy herë në vit, presidentët e Francës.

Dr. Ibrahim Rugova ishte njeri i heshtur, i mençur dhe i besës. Atij i ofronin informacione nga burime të dorës së parë. Vrasja e mikut të Tij të rinisë dhe të artit Jusuf Gërvalla në Mërgatë, ishte jo vetëm dhembje e madhe për Atë, por edhe një ogur i keq për implikimet e shqiptarëve në këtë ekzekutim makabër. UDB-a dhe Sigurimi Shqiptar ishin sinonim i krimit. Tashmë, në shënjestër u vu edhe Mërgata jonë. Vrasja e Jusufit me vëllanë Bardhoshin dhe Kadri Zeka, la boshllëk në radhët e organizimit të Mërgatës tonë.

Ata që kishin projektuar atentatin në Untergruppenbach të Stuttgart-it, ishin përkujdesur edhe për përmbushjen e boshllëkut, natyrisht, me njerëzit e tyre. Dhe, ashtu ndodhi. Këtë e dinte dr. Rugova, por, ama, edhe ata e dinin se dr. Rugova është mirë i informuar për shpirtin e tyre të shitur. Dhe, fillimisht, vepronin nën rrogoz kundër dr. Rugovës dhe shokëve të tij. Më vonë u shpërfaqen sheshit. Madje, Tirana zyrtare e nostalgjisë enveriste – staliniste u dërgoi përforcime me kuadro profesionistë, përfshi këtu edhe njerëz që kishin kryesuar partinë në rrethe dhe gazetarë të qendrës, për propagandë shfrenuese e rrënuese. Megjithatë, përballë një mërgate të bashkuar në fatkeqësi, dështuan. Është pikërisht kjo arsyeja që lukunia staliniste u sul tërbueshëm kundër Dr. Rugovës dhe partisë së Tij – LDK-së.

Arsyeja e organizimit partiak në Mërgatë

Vrasja e djemëve të Kosovës, në Untergruppenbach, hapi plagë, e cila nuk shërohej dot në shpirtin dhe mendjet e mërgimtarëve. I vrau Serbia? Po, por, ekziston dyshimi i bazuar me gishtin e ngrehur nga shqiptarët, argatë të Serbisë. Dhe, dyshimet binin pikërisht mbi ata që, tashmë, manipulonin me emrat e dëshmorëve, tani, zyrtarisht, heronj të Kosovës, dhe hiqeshin sikur kishin qenë “shokë për kokë” me të rënët, më sakt, viktimat e tyre.

Garuesit, për ta përvehtësuar atë veprimtari që kishin bërë Jusufi me vëlla dhe Kadriu, kishin përçarë jo vetëm të angazhuarit direkt në aktivitetet e Lëvizjes, t`i quajmë kështu grupimet e pakta, por edhe punëtorët hallexhi, të ardhur, kinse, për “punë të përkohëshme”, por që u pensionuan në mërgim. UDB-a kishte shtrirë tentakulat edhe në banesat kolektive të “beqarëve” me gra dhe fëmijë të lënë në vendlindje. Kërcënimi me marrjen e pashaportave, thirrjet në bisedat informative policore, kur shkonin në vizitat e rralla ke familja, ishin shantazhuese, torturuese dhe, shpesh herë, të kushtueshme.

Dr. Rugova kishte parashikuar kohë të vështira për popullin e Kosovës. Dhe, shumësia numerike e shqiptarëve në Evropë dhe në botë, me një organizim të mirëfilltë, mund ta çante bllokadën serbo-sllave, duke zbutur varfërinë absolute në Kosovë, për të qenë më qendresëtarë përballë një armiku të organizuar dhe me mendësinë e mykur shekullore, për t`i përzënë shqiptarët nga trojet e tyre stërgjyshore, siç kishte vepruar, me zjarr e hekur, për ta boshatisur Kosovën Lindore.

Organizimi i mërgimtarëve shqiptarë në një lob, do të ishte ideal. Por, dyshimi i dështimit ishte i parathënë, sepse disa nga krerët e Lëvizjes, me stazh rekrutimi në shërbim të UDB-së, do ta pushtonin kreun e lobit dhe, rrjedhimisht, UDB-a do ta manipulonte të gjithë mërgatën tonë.

Themelimi i degëve të partive politike në Mërgatë, në rastin konkret të LDK-së, u vinte fre orekseve të UDB-së dhe të argatëve të saj në Mërgatë. Partia kishte statut dhe rregullore. Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe me votim të fshehtë. Këtë kod të shenjtë e përdhosi Kryesia Qendrore në Kuvendin e VII-të zgjedhor të saj, si rrjedhojë e kompromiseve të ndyra ndërklanore, për të mos dhënë llogari për ndarjen dhe humbjet seriale të LDK-së, gjë që ka bllokuar reformat e premtuara dhe aleancat parimore dhe të domosdoshme të së djathtës të Kosovës.

Krahu i Jusuf Gërvallës quheshin mërgimtarët që e mbështetën atë në vitet `80-a dhe ata ishin shumica absolute e tyre. Dhe, kjo masë u vu në krye të themelimit të aktivave, nëndegëve dhe të degëve të LDK-së në Evropë dhe në botë. Një pakicë, pothuajse, e papërfillshme, me mendësi fanatike komuniste e staliniste, e lidhur fort me Sigurimin Shqiptar, nëpërmjet të “diplomatëve” të ambasadave të Shqipërisë, por që njëkohësisht disa nga krerët e saj kokëtonin edhe me Sigurimin jugosllav, iu kundrvunë të gjitha nismave, aksioneve për tubimin e parave, me qëllim të sigurimit të kafshatës të gojës, të arsimimit, të shëndetësisë, pra, të mbijetesës të popullit në Kosovë, i cili kishte rënë në hall e fatkeqësi të madhe, me papunësi tërësore dhe përndjekje të egër policore.

Vrazhdësia e kundërshtisë të stalinistëve lëvizakë, kalonte çdo përmasë dhe fliste qartë se ata kishin marrë obligime për të sabotuar në çdo mjedis mërgimtarësh, ku ata arrinin të depërtonin. Shembujt janë numerikë, por, këtu po sjellim vetëm ndonjërin syrësh. Pas ndihmave të vjelura nga mërgimtarët për Radio-Televizionin (RTP), minatorët, arsimin, për të varfërit ekstrem në Kosovë, radha i erdhi krijimit të një fondi solid dhe kjo u realizua në vjeshtën e vitit 1991, me aksionin: “Ta ndihmojmë Kosovën për vetëmbrojtje”.

Në Erlangen të Bavarisë u organizua një takim me mërgimtarët tanë. Të deleguar ishim: Martin Quni, Pjetër Coli dhe Idriz Zeqiraj. Ne bëmë ekspozenë e qartë për nevojat që ka Kosova dhe obligimi ynë për t`iu përgjigjur Atdheut të renë në nevojë. Dilema dhe pyetjet paushalle të mërgimtarëve, vetëkuptohet, në atë kohë dominonte garda e vjetër e puntorëve fizikë, të mërguar në vitet `70-a, nëse bëhet fjalë për armë dhe luftë, ne jipshim përgjigje ekuivoke, të dyzuar, duke thënë se edhe mbijetesa në Kosovë, përballë një armiku barbar e mizor, është luftë.

“Studenti” i përjetshëm – “uçk-a” i Gjermanisë

Nga fundi i sallës një “student” i përjetshëm, i moshës jo fort normale për të qenë pjesë e auditorit, reagoi, duke mos u dakorduar me aksionin. E ftova të zinte vend në radhën e parë të ulëseve dhe të shpjegonte pse-në e kundërshtisë së tij. Ishte i vagulltë, fjalëlum dhe shumë konfuz, gjë që na mori mjaft kohë dhe për 7 (shtatë) orë mbetëm të ngulur në karrike. Ndonëse, në fillim, kisha bërë prezantimin e Martin Qunit, si i liruar, rishtazi nga burgu politik i Serbisë, pas nëntë viteve të rënda izolimi, sytë e mërgimtarëve u drejtuan tek ai. Toni i qetë i Martinit, mendimi i qartë dhe shprehja e habisë, se si mund të këtë ende bastardë të tillë në mesin tonë, kur Atdheu i robëruar na thërret për ndihmë, krijoi një atmosferë përgjegjësie individuale dhe kolektive. Për ta përmbyllur odisejadën e këtij takimi të stërzgjatur, bëra ndërhyrjen e rëndë dhe provokuese: “Kush është me Kosovën, ejani dhe paguani, ndëra ata që janë me Serbinë, lirohen nga obligimi”! Asaj nate u volën 69 mijë marka, me premtimin për të vazhduar të nesërmen, meqë aksioni ishte në kohëzgjatje një mujore.

Viti 1998. Lufta, më sakt, masakrat, tashmë, kishin filluar. LDK-ja, në një sallë të madhe, organizon një takim me mërgimtarët. Qëllimi: ndihmë materiale për luftën. I njëjti, gjithnjë “student” me mjekërr leshtake, arrin në Mynih, i shoqëruar nga sejmenë të kuq, në cilësinë e përfaqësuesit të “UÇK-së” në Gjermai, i cili bëri thirrje që paratë të mos jipen në xhiro-llogarinë e Fondit të Qeverisë, por në fondin e luftës, me emër emocional “Vendlindja thërret”. Në çast, ndërhynë një mërgimtar i viteve `70-a, me fshatra fqinj me “uçkën”, me pyetjen zemrake: “Po ne për ke po tubojmë marka?! Nga ai që nëna e tij i ka mbajtur në qiler, (në dhomën e çiftit), rrobat e gjuetisë të Rankoviçit, nuk presim ndonjë fjalë apo punë të mirë”.

– “Mati fjalët”, – reagoi i mëdyshur “uçka” i Gjermanisë.

– “Pushka top”,- i përgjigjet punëtori dhe veprimtari veteran, i cili ishte i pranishëm edhe në festimin e 20 vjetorit të themelimit të Aktivit të Starnbergut. Dhe, “uçk-a” i Gjermanisë, me një bashkë lesh në fytyrë, iku, pa provuar për t`u kthyer më në këtë mjedis.

Babëzia e stalinistëve të Kosovës u shpërfaq turpshëm gjatë dhe pas luftës. Fondi “Vendlindja thërret” ishte shpërdorimi më flagrant dhe më i pacipshëm nga të gjitha fondet dhe aksionet e bëra gjatë këtij gjysmëshekulli nga Mërgata jonë masive. Ne që ishim të angazhuar në emërgjencën e luftës, i kemi parë më nga afër hajnitë dhe zënkat e stalinistëve në ndarjen e “gjahut”, të vjelur përdhunshëm nga mërgimtarët e mashtruar, të shantazhuar dhe të terrorizuar.

Stalinistët shpërdoruan po kaq egërsisht Fondin shtetëror të 3%-it, duke përfituar nga kalkulimet në emër të luftës. Dhurimet e milionave, pa përfillur fare donatorët mërgimtarë, madje pa fije mbulese faktike, sepse pjesëmarrja e tyre në “luftë”, ishte simbolike, e pakët në numër, pa shënuar asnjë betejë, asnjë ndeshje ballore me pushtuesin. Ata u kufizuan në mbushjen e burgjeve të shumta me veprimtarë të LDK-së dhe përcjelljen e tyre për në varr, për t`i hapur rrugë pushtetit të tyre të përgjakur. Edhe ministri i mbrojtjes, i cili u katapultua në këtë post, pas ministrit Krasniqi, të ekzekutuar, pothuajse, zyrtarisht në Tiranë, pothuajse, ishte zgjedhje e stalinistëve dhe ka pjesën e tij të fajit, për lëvrimet paushalle të parave stalinistëve të babëzitur, grykësa gopsekianë.

Aktivi i Starnbergut vazhdon aksionet

Në mesnatën e natës festive, mysafirët lënë sallën dekorative, duke u përshëndetur ngrohtësisht nga organizatorët pritës. Kryesia, aktivi vazhdoi mbledhjen e parashikuar. Bëri bilancin e shpenzimeve të darkës dhe përcaktoi detyrat për të ardhmen. Asaj pasmesnate ndërmori dhe realizoi dy aksione. Ndau një ndihmë në para për klubin futbollistik “FC Koosova” në Mynih, i cili ka 3 ekipe me 61 lojtarë. Në këtë klub, të drejtuar nga trajnerët e suksesshëm Shaqir Zeqiri dhe Lulzim Maliqi, dominojnë të rinjtë shqiptarë, por ka edhe vendorë, gjermanë dhe të kombeve të tjera.

Arkatari i zellshëm dhe korrekt i aktivit, Afrim Mulaj, është gjithnjë në krye të detyrës, duke qenë edhe donatori, dhënësi më i pakursyer në begatimin e arkës të aktivit, e cila “shterron” herpashere në favor të njerëve në nevojë. Në Brecë të Podujevës, një grua e vejë me mundime ushqen tre fëmijtë jetimër. Dhe, aktivi vendosi të ndihmojë në lehtësimin e halleve të kësaj familje nevojtare.

Përkujdesja e aktivit për festat dhe kulturën

Festa e çlirimit, 12 Qershori, po afron. Shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës shteteve pjesëmarrëse në paktin NATO – forca faktike çliruese e Kosovës. Njëkohësisht nderon, me dhimbje të thellë, luftëtarët e rënë dhe viktimat e pambrojtura numerike. Aktivi i Starnbergut ka filluar përgaditjet për një festim sa më dinjitoz. Anëtari i kryesisë, piktori i përkushtuar, Sabedin Dushi, ka skicuar paraqitjen skenike, dekorin adekuat, të përshtatshëm për këtë ngjarje të shënuar kombëtare. Presidenti Rugova, si gjithherë, në sfondin ballor të skenës, si kryemeritor për çlirimin e Kosovës dhe bërjen e Kosovës shtet. Ndërkohë, anëtari tjetër i vyeshëm i kryesisë, Hajzer Gashi, në cilësinë e moderatorit, ndihmon dhe “përgjon” përgaditjen e programit, për ta bërë sa më joshës transmetimin për publikun e rregulltë të zonës dhe më gjerë.

Veprimtaria kontinuitive, në vijimësi, për 20 vjet radhazi, me ritmin harmonik, por me hope gjithnjë e më cilësore, është veçantia e Aktivit të LDK-së të Starnbergut, në Bavarinë e zëshme gjermane, e cila, duke qenë njëri nga Landet, Republikat më të mëdha dhe më të zhvilluara të Gjermanisë, konsiderohet si shtet brenda shtetit.

Në përmbyllje të këtij shkrimi, i urojmë suksese të mëtejme këtij aktivi zëmadh dhe gjithnjë aktiv, në realizimin e objektivave në shërbim të Mërgatës dhe të Kosovës tonë.(tung.ch)