RCCOLA

Afërdita Bogiqi, kandidate për zgjedhjet federale: Votoni kandidatët shqiptarë

/ 7 minuta lexim

“Mendoj se shqiptarët që kanë të drejtë vote duhet t’i mbështesin kandidatët që prezantohen, pa marrë parasysh se të çfarë partie janë”. Afërdita Bogiqi është kandidate nga PS e Kantonit të Valisit, që garon për një vend në Dhomën e Kantoneve (senat) të Parlamentit të Zvicrës, në zgjedhjet që mbahen më 22 tetor 2023.

Ndryshe nga kandidatët e tjerë me rrënjë shqiptare, Afërdita është e vetmja që ka edhe një përvojë ekzekutive. Ajo, prej afër tre vjetësh është pjesë e qeverisë lokale, të qytetit ku jeton, Monthey, të Kantonit Valis. Për më tepër, ajo është gruaja e vetme në këtë post që i është bashkuar ekzekutivit pas tetë vjetësh sa në përbërjen e tij nuk kishte asnjë grua. Zonja Bogiqi në intervistën për albinfo.ch flet për garën në të cilën ka shpallur kandidaturën, për pikëpamjet e saj lidhur me politikëbërjen në Zvicër, për domosdonë e aktivizimit më të madh të shqiptarëve me të drejtë vote në Zvicër, etj.

Albinfo.ch: Jeni nominuar nga partia juaj si kandidate për zgjedhjet federale (për Dhomën e Lartë, Senatin) që mbahen më 22 tetor të këtij viti. Ju jeni edhe anëtare e ekzekutivit të Monthey-së, qytetit të tretë në Valis sa i përket numrit të banorëve. Çka është ajo që ju ka shtyrë konkretisht të provoni veten edhe në nivelin nacional?

A.Bogiqi: Së pari është dëshira të kontribuoj për mirëqenien e të gjithë qytetarëve si dhe për demokracinë. Pastaj është pasioni për politikën, për t’i kuptuar dhe eksperimentuar raportet komplekse që ekzistojnë mes politikës, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë. Dhe së fundi, dëshira e gjithhershme të mësoj gjëra të reja, qoftë edhe në fushat teknike që unë nuk i njoh. Të kontribuoj që qytetarët e Valisit ta shohin se edhe personat me origjinë të huaj, e sidomos shqiptarët bëjnë pjesë e këtij vendi dhe kontribuojnë për këtë shtet.

Albinfo.ch: Ju ka trimëruar kjo që të kandidoni në zgjedhjet nacionale?

A.Bogiqi: Qartësisht po. Fakti që mandati im si politikane shkon mirë, që puna ime dhe karakteri im pëlqehet më ka inkurajuar të shkoj më larg.

Albinfo.ch: Ju jeni nominuar nga partia juaj dhe i jepni llogari asaj, duke kërkuar mbështetjen nga ajo. Por, komuniteti shqiptar ka po ashtu interesin e tij në këto zgjedhje: Sipas tij, “janë pjekur kushtet” që më në fund të ketë një ose më shumë politikanë me rrënjë shqiptare në Parlament. A mendoni edhe ju se “janë pjekur” këto kushte?

A.Bogiqi: Mendoj se po. Dëshmia më e madhe është zgjedhja e Ylfete Fanajt në ekzekutivin e kantonit të Lucernit. Çfarë suksesi dhe progresi për të, por edhe për popullin tonë! Sa më shumë persona arrijnë në këto vende të pushtetit aq më i madh është impakti, jo vetëm në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve, por dhe lehtësimin e bashkëjetesës në shoqërinë zvicerane. Pra mendoj se shqiptarët që kanë të drejtë vote duhet t’i mbështesin kandidatët që prezantohen, pa marrë parasysh se të çfarë partie janë.

Albinfo.ch: A llogaritni shumë në mbështetjen nga komuniteti shqiptar në këto zgjedhje apo mendoni se e keni bazën e sigurt te zgjedhësit tradicionalë të partisë suaj?

A.Bogiqi: Partia ime ka peshë me 20 % të votave këtu në Valis. Zgjidhjet në Senat janë me sistem mazhoritar, që do të thotë se duhen rreth 50’000 vota për t’u zgjedhur. Pra, duhet shumë punë deri më 22 tetor dhe mbështetje e gjerë e popullatës zvicerane dhe asaj të komuniteteve të huaja, por edhe asaj me origjinë shqiptare, për t’ia arritur.

Albinfo.ch: Çfarë i premtoni këtij grupimi, në rast se do të zgjidheni deputete ?

Uji Dea

A.Bogiqi: Benefiti i parë është se imazhi i popullatës shqiptare do të jetë edhe më i mirë se që është sot. I gjithë Valisi do ta zbulojë se një femër me emër dhe mbiemër shqiptar do të jetë kandidate në Dhomën e Kantoneve. Ne të gjithë kemi nevojë për persona që na frymëzojnë dhe na nxisin të shkojmë përpara. Është vështirë t’i premtosh diçka konkrete një grupi të tërë, por si personalitet publik ti je ambasadore e këtij komuniteti kudo që të shkosh.

Albinfo.ch: Jeni të njohur edhe në aktivitetet e komunitetit shqiptar, na thoni, me pak fjalë: përse duhet t`ua japë votën një shqiptar, person me të drejtë vote në Zvicër? A ka ndonjë fushë specifike në të cilën premtoni se do të angazhoheni veçanërisht në këtë drejtim?

A.Bogiqi: Unë do t’i mbroj ndërmarrjet (firmat) e mesme dhe të vogla, fuqinë blerëse të qytetarëve, sigurimet shëndetësore me çmim të përballueshëm, krijimin e vendeve të mjaftueshme të çerdheve për fëmijë, trajnimin profesional etj.

Albinfo.ch: Deri në zgjedhje kanë mbetur rreth 5 muaj, që nuk është një periudhë aq e gjatë. A keni bërë planin për fushatën tuaj zgjedhore? Nëse po, si duket ajo, në pika të shkurtra? Keni paraparë takime edhe me komunitetin shqiptar të këtushëm apo edhe me të tjerët, me prejardhje të huaj?

A.Bogiqi: Avantazhi i kësaj fushate është se sjell vizibilitet të madh. Por, të jesh kandidate për Senat kërkon sakrificë të madhe, prezencë afër popullatës dhe në manifestime të shumta në gjithë Valisin deri më 20 tetor, javë të tëra për të studiuar dosjet dhe përgatitur debatet televizive dhe në radio, fushatë komunikimi në mediat sociale etj.

Do të marr pjesë në disa festa të organizuara nga komuniteti ynë si për shembull, nga Shoqata “Medvexha”.

B.SH.

Albinfo.ch: Ndonjë fjalë me të cilën doni t`i drejtoheni komunitetit shqiptar, gjegjësisht lexuesve të Albinfo.ch me rastin e garës tuaj për Parlamentin e Zvicrës?

A.Bogiqi: Të votosh, do të thotë të participosh në demokracinë e shtetit ku jeton. Do të thotë ta shprehësh këtë të drejtë si qytetar. Do të thotë t`i mbështetësh personat që angazhohen jo vetëm për shtetin zviceran që është bërë edhe yni, por edhe për shtetin kosovar, shqiptar, e të gjitha trojet shqiptare. Do të thotë, të fuqizohesh si person, por edhe si grup për t’i mbështetur më vonë interesat tona si popull. Do të thotë, ta mbështetësh një person që angazhohet dhe e sakrifikon kohën e lirë për t’u angazhuar për të mirën dhe interesin e të gjithëve. Pra, mos harroni të votoni dhe t’i motivoni të afërmit, shokët dhe shoqet që të votojnë për të gjithë shqiptarët që prezantohen.

Materiali i votës do të vijë me postë në fillim të tetorit. Lista për Senatin në Valis do të jetë një listë prej tetë kandidatësh. Mjafton ta vendosni një kryq afër emrit të kandidates Aferdita Bogiqi. Janë dy raunde të zgjedhjeve, që do të thotë se duhet votuar dy herë.