Eko Higjiena

Shahini: KEDS-i, investitor i përkëdhelur

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se KEDS-in e kemi shndërruar në një investitor të përdhelur të institucioneve shtetërore, që vazhdimisht kërkon subvencione nga shteti, por njëkohësisht edhe ngarkesa për qytetarët.

Mos konstituimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, kryetari në Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, e sheh si një pengesë për thithjen e investimeve të huaja, por edhe për realizimin e shumë projekteve, të cilat tashmë janë ndalur ose kanë ngecur pikërisht për shkak të moskonstituimit të institucioneve të reja.

“Kemi ngecje në privatizimin e Postës, kemi ngecje në investime në termocentralin e ri, gjithashtu edhe për privatizimin e Brezovicës, çështjen e Trepçës për të cilën është folur se do të ndërrojë komplet statuti i saj dhe do të shkojë në drejtim që të tërheqë investitorë të huaj e njëkohësisht të rrisë edhe numrin e të punësuarve aty…”, tha Shahini në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ai thotë se “politikanët nuk duhet të nguten të japin deklarata, të cilat e frikësojnë investitorin, përderisa në Kosovë nuk kemi institucione stabile, nuk kemi politika të qëndrueshme ekonomike dhe më joshëse fiskale. Investitorët e huaj dhe ata vendorë do të kenë shumë vështirë të jenë më konkurrentë në treg dhe të krijojnë hapësirë për zhvillim më të përshpejtuar”.

Shahini përmend kontaktet e fundit me investitorë nga Bullgaria, Rumania, Turqia, Zvicra. “Kemi paralajmërime se do të ketë investitorë edhe nga Italia, për të parë dhe shikuar potencialet, të cilat ne vazhdimisht para zgjedhjeve dhe viteve të kaluara kemi proklamuar se Kosova është vend i artë për investime. Marketingu, i cili ka pasur jehonë të madhe në tërë rajonin dhe Ballkanin Perëndimor dhe tashmë ata po hezitojnë të vijnë përderisa të funksionalizohen institucionet e reja”.

Uji Dea

Shahini kritikon sistemin bankar në Kosovë, i cili sipas tij nuk po tregon një partneritet të mirëfilltë më bizneset jo bankare. “Biznese me këtë interes aq të lartë, me greis – periudhë të shkurtë, po i vë në vështirësi – nuk po mund të zhvillohen si kompani, por njëkohësisht nuk po arrijnë as t’i kthejnë kreditë”.

“Në një hulumtim që vite më parë ka bërë aleanca, te bizneset e falimentuara, ka rezultuar se 25 për qind prej tyre kanë falimentuar në pamundësi të pafuqisë së kthimit të kredisë për shkak normave të larta të kredive dhe vështirësive të tjera. Prandaj, ky është një mesazh që duhet t’u drejtohet bankave, të cilat për fat të keq shumica janë jo vendore?, tha ai.

Ndërsa lidhur me paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike, Shahini thotë se Aleanca e Biznesit ka thënë se shtrenjtimi i energjisë elektrike është një moment tepër i vështirë për bizneset.

“Një shtrenjtim të tillë e kemi pasur ditë më parë rreth 4.7 për qind dhe tashmë kërkohet 5 për qind . Kjo është një ngarkesë, kur dihet se energjia elektrike në çdo subjekt afarist është faktor numër një”, tha ai.

“Tashmë KEDS-in e kemi shndërruar në një investitor të përkëdhelur të institucioneve shtetërore, që vazhdimisht kërkon subvencione nga shteti, por njëkohësisht edhe ngarkesa për qytetarët. Dhe, këto ngarkesa janë të shtrenjta, edhe për qytetarë, edhe për biznese, sepse e shtrenjton dhe e kufizon fuqinë prodhuese dhe në mënyrë direkte dhe indirekte ndikon edhe në eksport, investime dhe punësim. Energjia elektrike në Kosovë po thuajse është më e shtrenjta në rajon, për veç kësaj kjo energji asnjëherë nuk është e sigurt”, tha Shahini.