UBT

Seritë turke, pa vlera, por të shikuara

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

“Fatura e serisë kudo në botë është faturë televizive dhe këtu pak ka vlera artistike, jo vetëm nëpër seritë turke, por gjithkah ku ka seri”, thotë regjisori Musliu.

Gjatë viteve të 90-ta, shumë kosovarë kanë ‘vuajtur’ bashkë me Ibrahim Tatlisesin, që nuk arrinte të bëhej ‘rehat’ në dashuri. Filmat e tij, më shumë ngjasonin sikur këngët tallava, mirëpo publiku i donte,transmeton ina.
Mentaliteti shqiptar

Tani, sërish pas sa kohe, televizionet tona na kanë mbushur me seri turke, por më moderne. Filmbërësit i vlerësojnë këto seri, sidomos fabulën e tyre. “Mentaliteti shqiptar në substancën e tij jetësore kultivon, mburret dhe ujitet shpirtërisht me mendësinë turke. Në këtë kuptim, nuk mendoj se do të dëmtojnë në zhvillimin e të bërit jetë, art dhe kulturë jetësore këto seri. Ato janë të strukturuara, të shtrira, të shtruara, kanë etikë brenda vetvetes. Rrahin probleme të ndryshme, realizohen mirë për mendësinë dhe mentalitetin turk, përshfaqin emocione të forta, përjetime të veçanta, mbase ato i sfidojnë edhe seritë vendore. Këtu, mos të harrojmë se muzika është tërësisht e mbështetur në orientin turk. Ai teatraliteti, patetika, janë produkt i kësaj shoqërie. Në këtë sens, familjet shqiptare, them për ato që nuk kanë ndonjë argëtim më atraktiv, shijojnë dhe ushqehen me këto seri”, thotë skenaristi Shatrolli, duke shtuar se në tërësi këto seri trajtojnë tema të dashurisë së ndaluar. “Ato seri zakonisht projektojnë dashuri të ndaluara, pastaj, rinjohje familjare, këto i bëjnë të veçanta. Gjithsesi kanë edhe vlera artistike. Por, unë e di që tematika që prekin ata, publikun vendor e çojnë peshë. Janë mendësi e njëjtë. Shqiptarët e gjejnë vetveten në ato seri, në të kundërt, nuk e di përse do të ishte kaq i madh entuziazmi karshi tyre”, nënvizoi Shatrolli.

Shtrirje e gjerë

Mobi Casa

Regjisori Mahir Musliu thotë se ne shqiptarët kemi shumë gjëra të përbashkëta me turqit, prandaj këto seri kanë shumë shtrirje te ne. “Në jetën tonë, mendoj që ndikojnë ashtu që përcillet një mënyrë e të menduarit, të vepruarit dhe të dashuruarit, sepse nëpër skenarët e serive turke dominojnë këto ndërthurje, aty shikojmë shumë skena më ndarje, tradhti dhe krim. Ndërsa, e dyta, ne nuk duhet ta harrojmë edhe kontekstin historik, 500 vjet kemi jetuar nën ombrellën e Perandorisë Osmane dhe është e pamundur që ky sundim i gjatë të mos ketë lënë gjurmë te ne. Pra, ritet, feja dhe shumë forma të tjera jetësore neve na bashkojnë më ta, kurse kjo i bën seritë edhe më të kapshme, më të pranueshme dhe më lehtë të depërtueshme te shikuesi ynë”, mendon ai. Regjisori Musliu thotë se këto seri kanë pak vlerë artistike. “Shiko, fatura e serisë kudo në botë është faturë televizive dhe këtu pak ka vlera artistike, jo vetëm nëpër seritë turke, por gjithkah ku ka seri, pak ka vlerë artistike, ngaqë shumica prej tyre bëhen për konsum televiziv dhe argëtim. Ndërsa, në aspektin profesional, nuk kam asnjë vërejtje, produksionet filmike turke kanë arritur shumë dhe lirisht mund ta them që konkurrojnë edhe me ato evropiane dhe amerikane. Ata kanë avancuar shumë dhe nga ajo që kam arritur të shoh, si nëpër filma, ashtu edhe nëpër seri, është e përsosur”, tha Musliu për “Kosova Sot”.

500 vjet nën ombrellën e Perandorisë Osmane kanë lënë gjurmë te ne

“Mendoj se seritë turke nuk kanë ndonjë vlerë artistike, por janë më se të pëlqyera nga teleshikuesit për arsye të përmbajtjes së fabulës, e cila është mjaft intriguese. Realizimi teknik është profesional, sheshet e xhirimit, grimi, kostumet janë profesionale”, thotë aktori dhe regjisori Sunaj Raça.