Serbia kërkon hise

Serbia po kërkon që në bisedimet me Kosovën të diskutohet edhe për pasuritë natyrore. Ministrja për Energjetikë e Serbisë, Zorana Mihajloviç, ka thënë se në Bruksel duhet të merren vesh edhe për rezervat e thëngjillit që i ka Kosova. Këto pretendime nuk i kanë komentuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ndërsa për shoqërinë civile idetë e tilla janë absurde.

Qeveria e Serbisë po kërkon hise në pasurinë më të madhe të Kosovës. Të premten ministrja për Energjetikë e Serbisë, Zorana Mihajloviç, ka deklaruar se në bisedimet e shtetit të saj me Kosovën në Bruksel duhet të merren vesh edhe për rezervat e thëngjillit.

Kjo deklaratë nuk është komentuar nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ndërsa për shoqërinë civile pretendimet e tilla janë absurde.

Mihajloviç ka thënë se Kosova me pasuri thëngjilli është e dyta në Evropë. Sipas të dhënave të prezantuara në strategjinë minerare të Kosovës 2010-2025, rezervat e thëngjillit janë mbi 12 miliardë tonë.

“Ky është një resurs gjigant për të cilin duhet bashkërisht të merremi vesh, natyrisht me prani të institucioneve ndërkombëtare dhe të Komisionit Evropian “, ka thënë Mihajloviç për agjencinë e lajmeve Beta.

Sipas saj, Qeveria e Serbisë nuk është e interesuar të bisedojë me Kosovën vetëm për rrjete transmetuese dhe për atë nëse ka apo jo rrymë në veri, “por duam të bisedojmë edhe për resurset natyrore”.

Ajo ka bërë të ditur se bisedat teknike për zgjidhjen e çështjeve nga energjetika kanë filluar se dhe delegacioni serb ka qenë dy herë në Bruksel për këtë punë. Por, sipas saj, në takimin e parë delegacioni nga Kosova nuk është paraqitur, ndërsa në të dytin vetëm janë paraqitur pikat fillestare nga duhen filluar bisedimet.

Pala kosovare nuk ka dhënë ndonjë informacion e as nuk i ka komentuar këto pretendime.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të cilës i bie barrë çështja e thëngjillit, kanë pohuar se kjo punë u takon përfaqësuesve të dialogut.

Ndërkaq, as koordinatori i tanishëm i bisedimeve, Blerim Shala e as ish udhëheqësja e bisedimeve të deritashme Kosovë-Serbi, Edita Tahiri nuk kanë qenë në dispozicion të flasin për këtë punë.

E përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend e kundërshtojnë çfarëdo forme të negocimit të pasurive të Kosovës me shtetin fqinj.

Drejtori i Institut Kosovar për Shoqëri të Hapur, Luan Shllaku, vlerëson se nuk ka kurrfarë logjike që të hapet për diskutim kjo temë dhe të pretendojë Serbia hise në resurset e Kosovës.

“Pasi ajo s’ka kurrfarë kontrolli në asnjë segment në Kosovë, nuk ka asfare logjike të diskutohet për çështje të thëngjillit”, thekson Shllaku.

Sipas tij, nëse flitet për këtë punë, atëherë Kosova i hap rrugë Serbisë të kërkojë hise edhe në resurset e tjera natyrore.

Megjithatë, Shllaku thotë se Serbia me ide dhe pretendime të tilla, pavarësisht a ka të drejtë a jo, po synon që Kosovën në procesin e dialogut ta lë në pozitën e fajtorit.

“Ata janë proaktivë dhe me kërkesa jo logjike na bëjnë që ne të jemi në defanzivë në vend që të sulmojmë”, thotë Shllaku.

Ai i porosit institucionet e vendit të mos i nënshtrohen këtij lloj presioni, me të cilin Serbia ka për qëllim të nxjerrë sa më shumë që të jetë e mundur në procesin e dialogut.

Ndërkaq, qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike.

Në strategjinë minerare të Kosovës 2012-2025 shihet se rezervat totale të qymyrit në vend, të shtrira në tri bazene kryesore të hulumtuara në Kosovë, janë rreth 12 miliardë tonë.

Ndërkaq, besohet se ka edhe rezerva tjera të pa hulumtuara që mund të çojnë në 14 miliardë tonë totalin e rezervave të pashfrytëzuar të këtij burimi natyror.

Shfrytëzimi i rezervave ka filluar që në vitin 1922 dhe aktualisht përdoret kryesisht për prodhimin e energjisë në Kosovë.(express)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).