Nxënësit e “Nazim Hikmet” ecin me Uta Ibrahimin në Sharr, një ditë edukimi, frymëzimi dhe dashurie për natyrën
Gjilan – Nxënësit e ShFMU “Nazim Hikmet” morën pjesë në aktivitetin “Ecje Edukative”, të organizuar në kuadër të projektit “Uta në Sharr”, një iniciativë e Fondacionit Utalaya që synon të promovojë edukimin mjedisor, jetën aktive dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e natyrës te brezat e rinj.
Aktiviteti i zhvilluar më 4 qershor në një ambient të pasur natyror u mundësoi nxënësve të kalonin një ditë ndryshe, larg rutinës së përditshme shkollore, duke kombinuar mësimin praktik me argëtimin dhe eksplorimin e natyrës. Përmes ecjes dhe aktiviteteve të organizuara në terren, ata patën mundësinë të njihen nga afër me biodiversitetin, rëndësinë e ekosistemeve natyrore dhe përgjegjësinë që secili ka për ruajtjen e mjedisit.
Një moment i veçantë i këtij aktiviteti ishte pjesëmarrja e alpinistes së njohur kosovare, Uta Ibrahimi, themeluese e Fondacionit Utalaya dhe një nga figurat më frymëzuese të sportit dhe aktivizmit mjedisor në Kosovë. Nxënësit patën rastin të bashkëbisedojnë me të dhe të dëgjojnë rrëfime nga ekspeditat e saj në majat më të larta të botës, përfshirë edhe suksesin historik të ngjitjes në Mount Everest.
Përmes mesazheve të saj motivuese, Uta i inkurajoi të rinjtë të besojnë në ëndrrat e tyre, të kultivojnë dashurinë për natyrën dhe të mos heqin dorë nga synimet, pavarësisht sfidave që mund t’u dalin përpara.
Projekti “Uta në Sharr” ka për qëllim të forcojë lidhjen e fëmijëve me natyrën, të promovojë gjithëpërfshirjen dhe bashkëpunimin, si dhe të krijojë përvoja edukative që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin personal dhe social të tyre. Në këtë aktivitet morën pjesë 30 nxënës të shkollës, të cilët përjetuan një ditë të mbushur me njohuri, emocion dhe frymëzim.
Realizimi i këtij projekti u mundësua falë bashkëpunimit të drejtorit të shkollës, Fadil Shabani, Koordinatorit për Sigurimin e Cilësisë, Rexhep Arifi, si dhe zyrtarëve të Fondacionit Utalaya. Në terren, aktiviteti u mbështet nga mësimdhënësit e edukatës fizike, Korab Baftiu dhe Adem Adiler.
Përfaqësuesit e shkollës vlerësuan se aktivitete të tilla kanë rëndësi të veçantë në edukimin bashkëkohor, pasi u japin nxënësve mundësinë të mësojnë përmes përvojës direkte dhe të ndërtojnë një raport më të afërt me natyrën dhe komunitetin.
Në fund, ShFMU “Nazim Hikmet” shprehu mirënjohjen për Fondacionin Utalaya dhe për Uta Ibrahimin për kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj, duke përcjellë mesazhin se mbrojtja e natyrës dhe investimi në dije mbeten çelësi për një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme./rajonipress/







