Uji Dea

Selimi: Deklaratat e Gjuriqit për Mustafën, të turpshme

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi ka mbrojtur në mediet serbe kryeministrin e Kosovës Mustafa nga deklaratat e zyrtarit serb, Marko Gjuriq, i cili kryeministrin kosovar e ka quajtur gënjeshtar.

Në një prononcim për të përditshmen serbe “Danas”, Selimi ka thënë se deklaratat e Gjuriqit janë të turpshme dhe të pavërteta.

“Deklaratat e Gjuriqit janë të turpshme dhe të pavërteta. Kjo nuk është një shenjë e edukatës së mirë familjare apo e profesionalizmit të një zyrtari të rangut të ulët kur një vend e quan në media kryeministrin e vendit fqinj një “gënjeshtar”, ka thënë zëvendësministri Selimi për Danas.

Ai rikujtoi se kryeministri Mustafa dhe kryeministri Vuçiq kanë nënshkruar një marrëveshje në gusht të vitit 2015, ndërsa pika dy e asaj marrëveshje përcakton se në bazë të marrëveshjes së Parë që njeh karakterin e saj të veçantë, Qeveria e Kosovës do të miratojë një dekret të zbatueshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“I referohem pikës 2 të “Parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, të publikuar nga BE-ja më 25 gusht 2015”, u shpreh Selimi.

Fundamenti

Zëvendësshefi i diplomacisë kosovare theksoi se nuk ka asnjë dyshim se vetë Qeveria e Serbisë ka rënë dakord se i vetmi autoritet që do të mund të shqyrtojë marrëveshjen dhe statusin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbë është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

“Kjo është “sine qua non” i gjithë dialogut të Brukselit. Nëse kthehemi tek të gjitha marrëveshjet, ju do të shihni se ligjet e vetme të përmendura ndonjëherë si bazë për të gjitha marrëveshjet janë ligjet e Kosovës. Asnjë fjali e vetme dhe as një herë të vetme nuk është bërë ndonjë referencë tjetër si platformë ligjore për dialog përveç ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së Kosovës”, tha Selimi.

Ai shtoi se çdo qytetar apo çdo gazetar mund të verifikojë që kjo është e vërtetë. Dialogu i Brukselit ka të bëjë me zbatimin e Planit të Ahtisaarit, pa e quajtur si të tillë, për t’ia lehtësuar qeverisë serbe që të gëlltisë mbylljen e plotë të institucioneve paralele në Kosovë.

Selimi tha në fund se mendon se pala kosovare duhet vetëm të shpërfill deklaratat e politikanëve serbë në javët e ardhshme meqë ato janë pjesë e fushatës së brendshme parazgjedhore dhe një stres i caktuar i natyrshëm për të marrë vota nga votuesit e luhatshëm.

“Deklaratat e Gjuriqit janë gjithmonë për përdorim të brendshëm në Serbi, por është keq që ai helmon atmosferën e dialogut mes dy vendeve duke fyer bashkëbiseduesin”, konkludoi Selimi.