KKVITI

Sekularizmi* shqip

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Xhemal Ahmeti- «Përdorues të dëmshëm dhe asocialë të lirisë». [Frobourg: 2002], kështu i definoi miku dhe ish profesori im i filozofisë politike Jean – Claude Wolf subjektet me aspirata sundimi totalitar.

E pyeta: «Pse ky definim kaq i pangjyrë, një përshkrim që mezi rri në këmbë e nuk alivanoset nga «political correctness«-i tepruar që përmban në vete?»

Filozofi i shndërruar në bust habie: «Po ti a don të flasësh me ta apo t’i tërbosh edhe më shumë duke eliminuar që në fillim çdo mundësi komunikimi?».

«Po pse të tërbohet religjiozi, komunisti, fashisti ose turbonacionalisti kur i themi të vërtetën se synimi hegjemonist i tij cenon liritë e dikujt tjetër?»

«Sepse edhe në trurin e despotit më të verbuar nga superbia duket të ekzistojë një turmë qelizash që e ngacmojnë, nuk e lënë të gjëmojë qetë duke ia bërë të qartë se me luftën e tij ia zë frymën, ia përdhunon lirinë dikujt tjetër, kështu duke e detyruar që pavetëdijshëm ta refuzojë të vërtetën mbi vetveten», kështu profesori zviceran.

Kur e përkthejmë implikueshëm e në favor të temës këtë teori të Wolf-it ndoshta kuptojmë se pse islamisti apo xhihadisti, fashisti apo racisti dhe çdo radikalinski tjetër shqiptar bën çmos, në çdo kohë e gjithandej për të bindur shoqërinë që mos ta perceptojë ashtu siç vepron; si xhihadist, si fashist, si racist, si ultranacionalist e të sojit.

Strategji manipulimi? Gjykuar sipas anatomisë intelektuale të ekstremistëve shqiptarë – Jo! Jean-Claude Wolf ka të drejtë: kryesisht kemi të bëjmë me njerëz që nga hallet ose nga mbivlerësimi i vetes kanë humbur rrugën e oborrit.

Fundamenti

Më shumë se për të ligjëruar mbi karakterin e homo demens-ëve ndër shqiptarë dialogu i sapopërfolur na përball me një diskurs edhe më esencial e që ka të bëjë edhe me sjelljen e një shoqërie ndaj dukurive ekstreme: si i perceptojmë, trajtojmë dhe i (para)gjykojmë ata «që dëmshëm për tjerët (keq)përdorin lirinë»?

IDENTIFIKIMI – Bazuar në opinionet, polemikat dhe debatet e muajve të fundit mediave kosovare dy grupe perceptohen të shfrytëzojnë lirinë në dëm të shumicës: VV dhe islamistët! Jo vetëm indikacione, por thuhet se ka edhe veprime konkrete dhe dëshmitarë okularë për atë se VV praktikon metoda fashiste për të disiplinuar hierarkinë brenda vetes. «Lëvizja» – Parti politike manifestuaka totalitarizëm sepse beson të jetë mesianike, ajo u sjellka sikur të jetë e vetmja që do ta shpëtonte vendin nga demonët e tij. Atëherë islamistët dalluakan vetëm metodikisht, vetë në aspektin gjeografik në krahasim me aleatët e tyre të natyrshëm: përderisa të parët dashkan ta shpëtojnë vetëm Kosovën, të dytët duan ta shpëtojnë krejt botën. Sipas kësaj analize nuk ekziston as edhe dyshimi më i vogël se dy grupet me retorikën dhe veprimet e tyre konkrete fizike e psikosociale kufizojnë, përdhunojnë lirinë e shumicës – me sukses?

SI VEPROJNË TJERËT – Ata që kanë shtet funksional i zgjedhin problemet ndryshe. Para tre viteve në Zvicër u shfaq një grup radikal arabo- islamik që udhëhiqej nga një zviceran me emrin Nicolas Andrev Blancho alias Abdullah. Grupi i të njëjtit që ligjërohej edhe nga dy fanatikë kosovarë. Mediat zvicerane u dhanë publicitetin maksimal kërkesave ë tyre për shami, më shumë minare dhe legalizim të islamit si religjion të njohur nga shteti. Shteti as që u përzi në debat. Ftoi të gjitha grupet myslimane në dialog dhe dha preferencat për referendumet në këtë drejtim. Sovrani pas dëgjimeve demokratike vendosi: S’ka minare sepse nuk kanë justifikimin e nevojshëm në kuran. S’ka shami sepse nga bartëset ose përdoret si demonstrim politik o nga presioni i grupit. S’ka njohje të islamit si religjion sepse shumica nuk don. Fertig. Pas këtyre referendumeve askush më nuk dëgjoi më as për grupin as për kërkesat as për Abdullahun. As sot.

KU MBETI SHTETI – Është me rëndësi që gupet – edhe radikale – të dëgjohen. Të flitet me ta. Të mos stigmatizohen. Të prezantohen ashtu siç janë, pa kozmetikë. Nëse synimet e tyre janë antikushtetuese, antishtetërore, fashiste, të dëmshme duhet t’iu thuhet haptas. Pas debatit dhe komunikimit me ta duhet shteti dhe pastaj demokracia të vendos: janë «përdorues të dëmshëm dhe asocialë të lirisë» apo komunitet me të drejtën për t’u legjitimuar? Islamistët si fashistë që janë s’kanë pse i nxjerrin problem shtetit sekular; ata shkelin çdo normë të tij sepse duan ta zëvendësojnë atë. Mirupafshim ne xhehnet a xhehnem!

[*Autori nuk donë që sekularizimi të korrigjohet në shekullarizëm]

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)