Sot nuk kërkohet drejtësi, por sot protestohet kundër padrejtësisë
Nga Shefik Sadiku – Nesër më 17.10.2025 Tirana dhe gjithë shqiptaria i thonë Europës se rrenat për UÇK-në duhet kthyer nga atje prej nga kanë ardhur ! Sot më së paku është koha të shtyhemi se kush më shumë e kush më pak e deshi Gjykatën Speciale, kush më shumë e kush më pak pati faj që ajo e mallkuara Gjykatë iu lidh rreth qafe Ushtrisë Çlirimtare për t’ia ndalur frymën shqiptarëve, që ata gjithçka mund të kishin, por vetëm liri kombëtare nuk duhej të gëzonin.
Sot nuk kërkohet drejtësi, por sot protestohet kundër padrejtësisë. Sot Tirana, Prishtina, Shkupi nuk kërkojnë që në emër të drejtësisë të mbulohet padrejtësia, jo, sot, Tirana, Prishtina, Shkupi dhe gjithë shqiptaria kërkojnë që mashtrimi dhe rrenat që i gatuan kuzhinat serbo-ruse se gjoja shqiptarët paskan trafikuar organe njerëzore, të kthehen atje nga e kanë burimin, sepse historia ka dëshmuar se shqiptari kurrë nuk ka ngritur dorë mbi njeriun duarlidhur, prandaj këto sajesa çnjerëzore dalin vetëm prej atyre që dinë t’i mendojnë.
Tentimnjollosja e kodit shqiptar me një çmenduri kaq antihumane, kaq çnjerëzore, kaq mizore dhe kaq kafshërore, sot, nesër dhe gjithmonë duhet të demaskohet se kjo vetëm shqiptare nuk ka qenë dhe kurrë nuk mund të jetë.
Tentimnjollosja se do të gjykohet kjo pandehmë ka qenë thika e radhës që shpesh u është bërë shqiptarëve duke e përdhosur kodin e tyre hyjnor të quajtur besë shqiptare. Për këtë padrejtësi protestojnë shqiptarët, për këtë pabesi që u është bërë shqiptarëve ata e ngrisin zërin lartë, që Europa nëse pretendon se kultivon vlera civilizuese duhet të reflektojë e të mos i lë njollën e padrejtësisë përjetësisht Kontinentit të vjetër dhe për këtë çmenduri shpikjeje të akuzave më perfide, shqiptarët sot i kërkojnë Europës që këtë pjellë të shëmtuar mendore të pak popujve ta kthejë te origjina e saj.
Nesër Tirana proteston kundër të pavërtetës për të vërtetën.
Nesër në Tiranë shqiptarët tregojnë se trillimi për trafik organesh nuk ka ndodhur nga shqiptarët, por ky trllim duhet të kthehet në burimin e vet.
Nesër në Tiranë tregohet se shqiptarët shtëpitë e tyre të bardha, të verdha apo të kuqe qofshin ato nuk i kanë për të bërë krime, por për t’i rritur fëmijët e tyre dhe për t’i bërë strehë udhëtarit që e zë terri i natës larg shtëpisë së tij.
Nesër Tirana tregon se themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari nuk ka vrarë asnjë fëmijë, asnjë grua, asnjë plak dhe asnjë të sëmurë të atij populli Ushtria e të cilit ia ka vrarë e djegur gjithë familjen Adem Jasharit, madje edhe fëmijë, edhe pleq, edhe të sëmurë e gra.
Nesër Tirana ia bën me dije Europës se shqiptaria i ka dhënë Botës Nënë Terezën, e cila ka ushqyer dhe mjekuar njerëz pa kqyrë origjinën, regjionin, besimin apo etninë e tyre.
Nesër Tirana duhet t’i tregojë Europës se shqiptaria ka dhënë një Adem Demaç, i cili kurrë asnjë fjalë të keqe nuk ka folur për popullin qeveritë e të cilin e kanë mbajtur në burgje 28 vjet !


