Mobi Casa

Sarë Gjergji – një krijues i heshtur dhe mjaft prodhimtar…

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Nuk ka gjë më joshëse se të jesh poet. Poet i fjalës së bukur poetike. Andaj, poetët janë thërmia e botës, të cilët nuk shihen, por sytë i kanë të “mëdhenj” dhe ata shohin çdo gjë në botën e njerëzimit. Ata dhe vetëm ata janë “aedë” më të thellë të kësaj bote. Fjala e tyre të rrëmben dhe të bën për vete. Të lë pa gjumë, por edhe të bënë princ të jetës. Kur “këndon” poeti, zemrat trazohen së rrahuri.

Andaj, duke i nisur në këtë rrugë të këtij shkrimi, s’ka se si mos ta përmendim poetin e madh shqiptar, Lasgushin, i cili, në një rast ka shtuar: “më vështirë është të bësh një varg, se një studim”! Pra, fjala poetike e ka peshën e madhe. Ajo peshon. Peshon dhe pesha e saj është filozofi e thellë e botës së krijuesit.

Edhe Sarë Gjergji është njëri nga poetët që ka bërë emër në jetën letrare e shkencore tek ne e më gjerë. Poet që po dëshmon për pjekuri serioze si në artin poetik, po ashtu edhe në fushën e studimeve të letërsisë sonë. Arti te ky krijues është një “burim” që e ushqen me të bukurën. S’ka gjë se madhështia e artit. Pra, arti i është bërë ushqim i tij, si janë: poezia, tregimi, analizat studimore për letërsinë, por edhe jeta publicistike e forma të tjera të jetës së përditshme krijuese. Ai i tëri është krijues mbresëlënës i artit në përgjithësi. Ai është i lindur më 1965 në Stubëll të Epërme të Vitisë.

Stublla është një vendbanim shumë karakteristikë. Vend malor, ku jetojnë njerëzit pa urrejtje ndërmjet veti, por këtu është edhe një “fenomen” tjetër se këta njerëz janë shumë bujarë e mikpritës të mëdhenj të të gjitha kohërave. Pse jo? Sa herë vjen ndonjë festë e tyre, ata i madh e i vogël dalin dhe bëjnë pritje të rralla për njerëzit tanë. Pra, kjo pritje e tyre bujare, jo vetëm që të mahnit, por të bën që t`i falënderosh për atë bamirësi njerëzore. Manifestimi kulturor “Takimet e Dom Mikelit” janë manifestime kombëtare të këtij vendi në Malësinë e Karadakut.

Stubllasit e respektojnë shumë këtë manifestim të këndshëm kulturor e kombëtar. Aty vijnë personalitete të ndryshme të jetës jo vetëm shkencore, por edhe të jetës letrare nga të gjitha trevat shqiptare. Këtu ka lutje për dashurinë ndërmjet njerëzve, por ka edhe shfletime për dijet e shkencës.

Njëherit, këtu ka edhe organizime të orëve letrare që mbahen për nder të djaloshit më të mirë të Karadakut, Agim Ramadanit. Me këtë rast, ndahen çmimet për krijime letrare, sidomos për poezi. Dhe, e tërë kjo punë i bie krijuesit stubllas, Sarë Gjergjit me bashkëpunëtorët e tij të palodhur. Dhe, jo vetëm kaq. Ky krijues i këtij vendi të Malësisë së Karadakut, ka studiuar pranë Universitetit të Prishtinës. Me kohë ka kryer studimet dhe, pastaj, ai ka vazhduar studimet dhe ka magjistruar në temën: “Prania e Biblës në letërsinë e periudhës së romantizmit dhe filleve të realizmit”, të cilin punim serioz e ka mbrojtur në Universitetin e Tetovës (Maqedoni).

Tash, ky krijues i artit poetik e studiues i letërsisë është duke ndjekur studimet e doktoraturës për Letërsi në Universitetin “Shën Kirili e Metodi” në Shkup.

Uji Dea

Pra, në jetën krijuese, Sarë Gjergji po dëshmon dhe puna e tij është kurorëzuar me vepra e studime të shumta e të ndryshme nga letërsia shqiptare. Me fjalë të tjera, ai këto “sende” të artit i bënë pak më ndryshe të të tjerët. Gjer më tani ka botuar këto vepra letrare, si janë: “Golgotë”, Drita Ferizaj (1994), “Kontrast ngjyrash” Graz, Prishtinë (1996)3, “Terapia e vdekjes – requiem për Kosovë”, Ura – Martin Segoni, Gjilan, (2000), “Peizazh toke”, Eurorilindja, Tiranë, (2004), “Stublla, monografi, (2005) (grup autorësh), “Foc nestnis (Zjarr i pashuar, në gjuhën rumune), Bukuresht, (2007), “Dashuri e pambarim”, T-Kom, Shkup (2007), “Vitia 2009, udhërrëfyes” (2009), vepër e botuar në gjuhën shqipe, serbokroate dhe një pjesë në gjuhën angleze), “Të tjerët për veprën letrare të Isak Ahmetit ose letërsia ndryshe e tij”, Albanisches Institut, St.Gallen, Zvicër, (2011), “Legjenda e tërfilit”, MediaPlusArt, Prishtinë, (2012) dhe vepra “Shkolla e Parë Shqipe”, (1584) (në shtyp). Sarë Gjergji ka botuar edhe shumë artikuj mbi: Karl Poperin, Ismail Kadarenë, Platonin, Horacin, De Radën, Konicën, Mgjenin, e shumë autorë të tjerë, për praninë e Biblës në letërsinë evropiane dhe atë shqipe, si dhe një numër të konsiderueshëm shkrimesh të tjera nga publicistika, arti, kultura, brenda dhe jashtë vendit.

Edhe pas kësaj veprimtarie të bujshme, ai nuk ndalet dhe përpara ka vepra në në dorëshkrim, si janë: “Poperi dhe krijues të tjerë”, “Teatri absurd (poezi), “Prania e Biblës në letërsinë e periudhës së romantizmit dhe filleve të realizmit”. Ja çmimet e fituara letrare për krijimtari artistike: ka fituar çmimet letrare: “Agim Ramadani”, “Flaka e janarit”, “Akil Koci”, “Takimet poetike të Karadakut” (Maqedoni), “Muza e Agimit”, “Esad Mekuli” (Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës), “Valët e Llapit” etj..

Në vitin 1992, fitues i shpërblimit vjetor për krijimtari, nga Shoqata e Letrarëve të Rinj të Kosovës. Pra, krijimtari letrare e Sarë Gjergjit ka qenë objekt studimi i studiuesve të shumtë vendorë e ndërkombëtarë. Poezia e tij është e përfshirë në disa antologji në gjuhën shqipe, rumune dhe gjermane.

Ai tashmë është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i shumë asociacioneve kulturore. Është ndër organizatorët e manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” si dhe botues i buletinit të manifestimit me të njëjtin emër. Shih për këtë, ai me kumtesa shkencore është paraqitur në disa konferenca shkencore, si në: Konferencën shkencore mbi shkollat shqiptare në shekujt XVI-XVIII, organizuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe QSA-ja, Tiranë, tetor 2012, në Seminarin e VII Ndërkombëtar të Albanologjisë, mbajtur më 26, 27.9.2013 nën organizim të Universitetit Shtetëror të Tetovës etj. Jo vetëm kaq.

Ai është një personalitet i gjithanshëm i jetës publike. Pse jo? Nuk ndjen lodhje, por gjithnjë është në aktivitet dhe në organizimin e jetës së përditshme. Prandaj, puna e parë e tij në arsim, 1990-1995, 2000-2001; udhëheqës i Karitasit të Republikës Ceke dhe të Kosovës, Gjilan 2000-2007; përgjegjës i Zyrës për Informim të Komunës së Vitisë, 2008-2010; në vitet 2004-2013 ishte Këshilltar në Asamblenë Komunale të Vitisë etj. Sarë Gjergji ka qenë botues dhe kryeredaktor i revistës “Lajmëtari” (Graz, 1998-1999), kryeredaktor i revistës “Identiteti” (Prishtinë), dhe redaktor përgjegjës i revistës “Kalendari letrar” (Prishtinë).

Po ashtu, ky krijues dhe studiues i letërsisë njihet edhe për aktivitetin e tij në aksionin e pajtimit të gjaqeve; për aktivitetin, angazhimin, qëndrimin dhe diskutimet e tij në demonstratat dhe protestat e studentëve (1989); për shkrimet polemike me qarqe të caktuara serbe për problemin e kauzës kombëtare në Kosovë (sidomos në kohën studentore, para vitit 1990); për angazhimin e tij rreth çështjes së Kosovës në Graz (1997-1999) etj. Kjo është një vepër jetësore e Sarë Gjergjit, i cili po dëshmon dhe po hapëron drejt një rruge të tij fort të qëndrueshme dhe të kapshme për të gjithë njerëzit e shkencës dhe të dijeve të tjera. Aktualisht Sarë Gjergji punon në arsim.

Ky është Sarë Gjergji, krijues i palodhur, i cili mbetet modest jo vetëm në të folur, por edhe në shumë “sende” tjera që i ka bërë gjer më sot. Si krijues dhe si studiues, ai është i përfshirë në shumë vepra të studiuesve tanë, të cilët e kanë për nderë ta kenë referencë në librat e tyre studimorë. Së shpejti, vepra jetësore e Sarë Gjergji do të kurorëzohet me shpërblimin e titullit doktor i shkencave të të letërsisë. /tefik selimi/rajonipress/