Fundamenti

Ruajtja e rrethit është domosdoshmëri

/ 7 minuta lexim

Shkruan: Shefik Shkodra- Në Kosovë ka shumë gjëra që mungojnë. Ato janë të natyrës materiale dhe ato të natyrës mentale. Është e vërtetë se, për të gjitha në një kohë të shkurtër nuk mund të krijohet bazë solide. Sidomos, kur bëhet fjalë për të mirat materiale.

Shkaktarët janë të shumtë dhe nuk do të futemi në analiza, që mund të determinojnë shmangien nga ato që mund të krijonin nismë të mbarë për të mirat e materializuara për qytetarin në çdo mjedis tonin. Bie fjala, rritje të një zhvillimi ekonomik, zgjërim të një punësimi më të madh për të rinjtë dhe të tjerët, po për të gjitha këto dhe të tjerat kërkohet një investim serioz, edhe faktori njeri do të duhet të jetë sa më operativ e syqelë në të gjitha trevat e vendit.

Duhet mbrojtur tokën dhe gjithë pasurinë e paluajtshme publike, por edhe urbaizimi do të duhej të ketë një rend, qoftë edhe në parcelat e pronës private, nëse ngjet diç e dëmshme për të gjithë.

Ruajtja e ambientit nevojë e të gjithë qytetarëve

Çështja e veprimeve ‘prapë e mbarë’, si thotë populli, është nga mentaliteti, përkatësisht shprehia e fituar nga individi. Dhe, kështu shoqëria e gjerë përbëhet prej individëve. Vetëdija për të dobishmen dhe atë negativen është punë e çdo qytetari, por edhe e institucioneve shtetërore.

Ajo për të cilën duam të flasim kësaj here, është ambienti ku jetojmë dhe veprojmë. Nëse dikur ka pas rast më pak të dëmtohet e të ndotet, tash rrethanat janë që të rritet ndotja, sidomos në vendet e urbanizuara. Që do të thotë se, edhe ky vend ka filluar të ndotët në mënyra të ndryshme. Qoftë në pikëpamje industriale, nga veturat, por edhe nga ndotës tjerë, që ende nuk kemi arritur të jemi në nivelin e duhur, me ndonjë filtrim, apo me një preventivë tjetër.

Shpeshherë shihet qartë, se edhe faktori njeri është protagonisti kryesor i një ambienti të papastër e të rrezikshëm për jetë. Pra, nga shtëpia me oborr, sokaku dhe rrugët tjera, institucionet publike, si shkollat, universitetet, administrata, spitalet, etj. atje ku veprojnë me shumicë njerëzit.

Sikurse edhe sheshet, koshtijet, parqet, por edhe arat e pyjet, në të shumtën e rasteve janë të pa kursyera nga ndotjet që krijohen nga vetë njeriu. Jetomë në një vend mjaft të përshtatshëm për mbajtje të një pastërtie si i ka hije, por thash, për këtë kemi edhe një mungesë shprhie. Kjo mungesë, së pari vjen nga një mosorganizim i mirfilltë nga institucionet qeverisëse lokale dhe qëndrore.

Me një investim të vogël (me roje atje ku duhet, me infrastrukturë ligjore), do të duhej me siguri të mbrohet fryma që e marrim. Qytetarët tanë do të formonin vetëdije, atëherë kur do të shohin blerim dhe rregullim të mjaftueshëm. Jo një ditë, as një javë për pastrim ambienti. Pastërtia duhet të mbahet gjithnjë nga vetëdija e qytetarëve, kuptohet duke pas parasysh se, për hedhje të bërllokut mund të sanksionohet kushdo qoftë më në fund.

Dhe ndotja e ajrit nga individi dhe grupit, dëmtojnë të drejtën e të tjerëve. Dhe koha është, të sanksionohen këto sjellje, që dikush i merr si për asgjë send.

Ambienti mbahet nga institucionet dhe qytetarët

ARKATANA

Shembuj për ndotje kemi kahdo e sjellim kokën, edhe pse pjesërisht qyteti mbahet i pastër. Ka rrugë që ende nuk ka shporta për hedhjen e mbeturinave. Ka vende që do të duhej të mbillen drunj e të gjelbërohet, por në vend të gjelbërimit e të drunjve, gjejmë grumbuj mbeturinash (kese najlloni, dhé të qitur, tuba gurësh, në mos edhe pastrim të ëc-ve).

Për këtë e kemi një ilustrim më markantë, në periferi të qytetit, rruga Gjilan – kazermat e ushtrisë (UÇK), që çon drejt fshatit Uglar. Kjo lagje e re, lë që nuk ka kurrfarë plani urbanistik, por edhe ndotjen më të madhe e bëjnë vetë qytetarët e kësaj pjese. Përgjatë gjithë kësaj rruge kanë rendit hedhurina nga më të ndryshme, deri te kafshët e ndryshme të ngordhura.

Këto mbeturina nuk do të thotë se i gjuajnë vetëm banorët e kësaj lagjeje. Këto mund t’i bartin nga anë tjera të qytetit me traktorë dhe kamionë. Atje ku e shohin se ka mundësi, ku është nis koncetrimi i grumbullimit të bërllokut, atje hedh kush si mundet e si i vjen më lehtë. Kështu, asgjë e gjallë nuk kurset në mjedise të tilla.

Prandaj, për këtë duhet të angazhohen në rend të parë institucionet komunale, duke pas inspektoratin, por edhe duke pas punësuar ndonjë person për përkujdesje më të mirë.

Edhe ajo copë mali për marrje fryeme po dëmtohet
Qyteti i Gjilanit pak ka vende rekreacioni si shumë qytete tjera të Kosovës. Ku të dalë njeriu me fëmijë dhe ta kaloj ndonjë çast të shëndetshëm? Por, edhe atë që e kemi, si po shihet, nuk jemi në gjendje apo nuk po duam ta mbrojmë si duhet.

Kryesorja, një vend për rekreacion, përtej Lagjës Arbëria, ngjitur gati me atë Lagjen në luginë, për të cilën u bë fjalë, është një rrugë përreth me gjelbërim deri te mali me drunj halor shumë i këndshëm e i përshtatshëm, për pushim e rekreacion ditor të qytetarëve. Në këtë copë vend mund të dalin jo veç për vikend nga të gjitha anët e qytetit.

Mirëpo, ky nuk është mal që ruhet e mbahet si duhet. Ndoshta, do të duhej të kishte edhe ndonjë vendstrehim e shitore, rrugë të shtruara shetitore si i kanë shumë vende tjera. Mirëpo, ky vend ka mbetur shumë në gjendje të keqe. Ndodh që në impiantin, menjëherë përtej këtij mali, ndezen mbeturinat dhe mbushet tym e tërë kjo anë, deri poshtë në fshatin e Velekincës dhe gjatë gjithë një pjese të qytetit.

Nga atje del tym i të gjitha mbeturinave, goma, plastika, ngordhësira, etj. Kjo pjesë e pyllzuar, që mund t’i themi si një anë mushkërie, është e mbushur kudo me mbeturina. Një këtë pjesë nuk kam dëgjuar aq shumë korba deri më tash. Sigurisht, ngordhësirat e hedhura bëjnë që edhe këta shpezë të ndytë të koncetrohen këtu aq shumë sivjet.

Qytetari i jonë e ka pastruar shtëpinë e vet, e ka ngarkuar traktorin me ato mbetje (televizor të thyer, shporetë, e vegla dhe aparate të ndryshme) sende tjera të papërdorshme edhe ngordhësirë kafshe dhe janë hedhur kudo nëpër këtë mal.

Nuk mund të ngihesh frymë lirisht nën këta drunj dhe gjelbrim nga erërat dhe kundërmimet e athta e të rrezikshme që i bën vetë qytetari. Për të gjitha këto (derisa të vetëdijësohet qytetari) do të duhej të sanksionohen si preventivë dhe ruajtje të ambientit. Në këtë mënyrë, mendoj se nuk është e mjaftueshme të pastrojmë me data, duke i thirrë qytetarët, por të vihet rend nga institucionet përkatëse./rajonipress/