Pacolli: Bllokimi i punimeve në Aeroportin e Vlorës u bë pa vendim gjyqësor, e vërteta do të dalë në dritë
Ish-presidenti dhe biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke pretenduar se kompania MABCO dhe nënkontraktorët e saj janë penguar të vazhdojnë punimet në mënyrë të paligjshme dhe jashtë procedurave ligjore.
Përmes një postimi publik, Pacolli ka deklaruar se në momentin kur po përfundonin punimet e gjelbërimit të brendshëm dhe proceset finale të pastrimit, me synimin për t’ua dorëzuar qytetarëve një terminal modern dhe funksional, më 18 maj 2026 hyrja e kompanisë në kantier është bllokuar nga persona që, sipas tij, nuk kishin bazë ligjore për një veprim të tillë.
Ai pretendon se në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Policisë së Shtetit, ndërsa, sipas tij, nuk ka ekzistuar asnjë vendim gjyqësor që do të justifikonte ndalimin e punimeve apo kufizimin e qasjes së kompanisë në projekt.
Pacolli ka theksuar se gjatë ngjarjes janë konfiskuar edhe makineri dhe pajisje pune të kompanisë dhe nënkontraktorëve, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për një shtet që synon të funksionojë mbi parimet e sundimit të ligjit.
“Kur pyetëm pse nuk na lejohej qasja në vendin e punës, përgjigjja që morëm ishte: ‘Është urdhër nga lart’. Por cili është ai urdhër dhe kush qëndron pas tij? Një ditë gjithçka do të zbardhet”, ka shkruar Pacolli.
Në reagimin e tij, ai shpreh bindjen se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë, duke shtuar se raste të tilla janë të vështira të gjenden në vende ku respektohen procedurat ligjore dhe pavarësia institucionale.
Pacolli ka përfunduar mesazhin e tij me besimin se çështja do të marrë epilog ligjor dhe se përgjegjësit për veprimet e ndërmarra do të përballen me drejtësinë, qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë./rajonipress/


