Haziri kërkon transparencë për projektin e bulevardit: Gjilani meriton planifikim, debat publik dhe llogaridhënie
Gjilan – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjilan, Sokol Haziri, ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me mënyrën se si po procedohet projekti i ndërtimit të bulevardit të qytetit, duke kërkuar më shumë transparencë, planifikim profesional dhe përfshirje të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes.
Përmes një reagimi publik, Haziri ka theksuar se askush nuk është kundër zhvillimit të Gjilanit dhe investimeve që synojnë modernizimin e qytetit, por sipas tij, projekte të kësaj rëndësie nuk duhet të realizohen pa analiza të detajuara dhe pa konsultim me publikun.
“Edhe ne duam një qytet më modern, më të bukur dhe më funksional. Por zhvillimi nuk ndërtohet me vendime të njëanshme, pa transparencë dhe pa planifikim profesional”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me projektin, duke vënë në pah mungesën e debatit institucional dhe publik për një investim që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, bizneset dhe qarkullimin urban.
Sipas Hazirit, projekti nuk është diskutuar në Kuvendin Komunal dhe nuk është organizuar asnjë dëgjim publik me banorët, bizneset apo ekspertët e fushës. Ai ka theksuar se deri më tani nuk është prezantuar asnjë studim fizibiliteti që do të argumentonte përfitimet, kostot dhe ndikimin real të projektit në zhvillimin e qytetit.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga kreu i AAK-së në Gjilan lidhet me mungesën e informacionit rreth kostos së përgjithshme financiare, burimeve të financimit dhe ndikimit që projekti mund të ketë në buxhetin komunal.
Po ashtu, Haziri ka kërkuar sqarime për menaxhimin e trafikut gjatë realizimit të punimeve, funksionimin e shërbimeve emergjente, qasjen e qytetarëve në zonat e prekura dhe mbrojtjen e interesave të bizneseve lokale që mund të përballen me vështirësi ekonomike gjatë fazës së ndërtimit.
“Nuk jemi kundër bulevardit. Jemi kundër mënyrës së papërgjegjshme se si po tentohet të realizohet ky projekt”, ka theksuar ai.
Në fund, Haziri ka kërkuar që para çdo vendimi përfundimtar të prezantohet një plan i detajuar i projektit, studimi i fizibilitetit, kostoja financiare, burimet e financimit, plani i menaxhimit të trafikut dhe të zhvillohet një debat i hapur institucional me qytetarët.
Sipas tij, Gjilani meriton projekte serioze dhe afatgjata, të ndërtuara mbi parimet e transparencës, ligjshmërisë dhe interesit publik, duke shmangur vendimmarrjet që mund të prodhojnë më shumë probleme sesa zgjidhje për qytetin./rajonipress/


