Fundamenti

Rrugët e Kosovës, të shtrenjta dhe të këqija

/ 3 minuta lexim

Shtrimi me asfalt i rrugëve në Kosovë ka dështuar në të gjitha hallkat: nga projektimi, ndërtimi, mbikëqyrja dhe laboratorët.

Këtë e thonë njohës të kësaj fushe, të cilët thonë se këto lëshime janë bërë për shkak të mungesës së profesionalizmit, korrupsionit dhe tentimeve të kompanive që me çdo kusht të fitojnë më shumë, shkruan sot Koha Ditore.

Përveçqë janë me cilësi të dobët, ndërtimi i disa rrugëve në Kosovë është karakterizuar edhe me çmime shumë të larta dhe me vonesa të mëdha në kryerjen e punëve. Çmimi për ndërtimin e një kilometri autostrade në Kosovë është më i shtrenjtë se ndërtimi një kilometri autostradë në shtetet më të fuqishme evropiane si: Gjermania, Finlanda, Sllovenia apo Kroacia.

UBT

Rrugët magjistrale dhe ato komunale kanë kushtuar më pak, por janë dëmtuar për shkak të cilësisë së dobët. Pothuajse në gjithë Kosovën ka shembuj të dëmtimit të rrugëve në 2 vitet e para të lëshimit, aq sa duhet të zgjasë garancia e kompanisë që e shtron një rrugë.

Qeveria e Kosovës e ka vendosur shtrimin e rrugëve në prioritet të prioriteteve që nga viti 2008. Që nga ajo kohë e deri në fund të vitit 2013, në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, janë investuar 1 miliard e 328 milionë euro. Prej tyre, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, në ndërtimin e autostradave janë investuar 819 milionë e 782 mijë euro. Për ndërtimin e rrugëve magjistrale dhe regjionale, sipas MI-së, janë investuar 179 milionë e 580 mijë euro. Në ndërtimin e rrugëve lokale janë investuar 270 milionë euro, që nga viti 2008. Kurse, për mirëmbajtjen e rrugëve janë investuar 59.1 milionë euro. Edhe në katër vitet e ardhshme pjesa më e madhe e investimeve do të shkojnë në ndërtimin e rrugëve, pasi qeveria e ka kontraktuar ndërtimin e autostradës Prishtinë – Han i Elezit, që do të kushtojë 600 milionë euro.

Muhamet Selimi, inxhinier që ka mbikëqyrur dhe ndërtuar rrugë për afro tri vite në Kosovë, thotë se në të gjitha hallkat për ndërtimin e rrugëve ka lëshime. Fillimisht thotë se ka pak mungesë të profesionalizmit në shtrimin e rrugëve, pasi në fakultetin teknik nuk ka pasur degë për shtrimin e rrugëve, por ndërtimtarët janë marrë me këtë punë. Lëshimi i dytë, sipas tij, bëhet gabim kur për projektim vendoset si kriter për dhënien e kontratës çmimi më i lirë. Me këtë hap, sipas inxhinierit të ndërtimtarisë, por që ka ndërtuar disa rrugë, autoritetet kontraktuese e kontraktojnë projektin e hartuar në mënyrë më të lehtë dhe më pak të kushtueshme.