Fundamenti

Rinia, politika, kultura dhe sporti nga këndi i VV

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Se në çfarë gjendje ndodhet rinia, se në çfarë situata ajo ndodhet përballë dukurive negative, si nuk përkrahet ajo nga institucionet, pozita e rinisë dhe jetës kulturore në qytet, gjendja e rëndë e kësaj kategorie edhe në sport. VV në Gjilan shpalos përmes Kaltrina Zekës, Limnije Avdiut, Shkodran Ramadanit dhe Alban Hysenit gjendjen e mjerueshme të kësaj sfere në shoqëri.

Delikuenca dhe dukuritë negative janë shqetësuese për të rinjtë. Në këto periudha të këtij pushteti, ne jemi dëshmitarë të sjelljeve huligane në afërsi të shkollave. Shumë të rinj po konsumojnë që në moshë të hershme drogë, alkool, duhan dhe prej tyre kemi edhe një numër të miturish që janë zënë duke vjedhur në shtëpi, dyqane, kanë kapur çanta dore te kalimtarët etj. Rinia është në gjendje të mjerueshme.

Ka pasur shumë pak angazhime institucionale të komunës në bashkordinim me shkollat, prindërit, nxënësit, qendrat për punë sociale dhe ato të shëndetit mendor. Ka pasur shumë pak mbështetje të organizatave të ndryshme për të hartuar projekte që vetëdijësojnë të rinjtë që të shmangen nga delikuenca, narkomania dhe dukuritë e tjera negative. Janë organizuar numër minimal i seminarive, punëtorive, debateve rreth të rinjve dhe dukurive negative.

Shumë të rinj nuk kanë hapësira të mjaftueshme për aktivitete sportive, kulturore, rekreative e të ngjashme dhe duke qenë se kanë pasur mbështetje shumë të dobët institucionale, janë krijuar fatkeqësisht edhe kushte të favorshme për lulëzimin e dukurive negative. Po ashtu, komuna nuk ka arritur që vendet, parqet dhe ambientet e caktuara publike, t’i bëjë me ndriçim publik, me gjelbërim e mirëmbajtje të ulëseve, e jo të lë hapësirat publike pa kushte të mira. Po marrim shembullin në lagjen “Arbëria”, ku edhe pse është ndërtuar një park, ka errësirë, kalimtarët nuk guxojnë të kalojnë andejpari dhe komuna nuk ka intervenuar për ta bërë hapësirë të mirëfilltë urbane. Në këtë hapësirë, zhvillohen dukuri negative të grupmoshave të reja.

Fatkeqësisht ne jemi dëshmitarë edhe të gjetjes së mjeteve narkotike te nxënësit e shkollave fillore e të mesme, të cilat janë raportuar nga policia. Kjo kërkon një qasje shumë serioze, duke përfshirë një numër të madh të personelit për t’iu qasur dukurive negative në mesin e të rinjve tanë. Këtu duhet thelluar bashkëpunimi polici e komunitetit-shkollë-prindër-psikologë-punëtorë socialë, organizata joqeveritare, këshilli i nxënësve etj., në mënyrë që të bashkëpunohet për të ndalur sa më shumë zhvillimin e dukurive negative tek të rinjtë ka thënë Kaltrina Zeka anëtare e kryesisë së VV në Gjilan.

Rinia dhe kultura

Rinia nuk është përfshirë në shumë aktivitete kulturore. Vendi i vetëm ka mbetur kafeneja, por jo edhe qendrat kulturore dhe rinore. Nuk ka projekte të nxitjes së leximit te të rinjtë dhe asnjë kampanjë nuk është mbajtur deri më tash për lobimin drejt leximit. Nuk mbështeten krijuesit e rinj dhe nuk dimë ndonjë rast ku komuna ka ndarë ndonjë buxhet për shkrimtarët e rinj apo poetët. Mungon bashkëpunimi i drejtorisë për kulturë, rini dhe sport me shkollat fillore dhe të mesme, për të nxitur projekte të përbashkëta dhe pjesëmarrjen e nxënësve në aktivitete kulturore, mbrëmje poetike, lexime grupore, marrjen me vallëzim tradicional e modern. Ka munguar përkrahja financiare për të ndërtuar kushte falas që të rinjtë të merren me kurse vallëzimi, të mësimit të instrumenteve muzikore.

Po ashtu, ne kemi prindër tanë që dërgojnë fëmijët e tyre të mësojnë baletin te trajnuesit nga Prishtina, ndërsa nuk ndihmohet hapja e ndonjë qendre ku fëmijët tanë do të mësonin baletin në qytetin tonë. Mungon tërësisht hapësira për të rinjtë qoftë në zonat urbane, qoftë në zonat rurale. Në fakt, në zonat rurale nuk ka fare aktivitete kulturore të të rinjve, me përjashtim të ditës së shkollës apo ndonjë përvjetori të rrallë për ndonjë ngjarje kombëtare. Nuk ka koncerte për të rinjtë që kemi ne për muzikë klasike. Ne kemi instrumentistë shumë të njohur në mesin e të rinjve, në kitarë, piano, etj., të cilët kanë pasur edhe depërtim në vendet evropiane, ndërsa qyteti nuk i njeh, sepse nuk i ka krijuar kushte motivimi dhe stimulimi të dalin para bashkëmoshatarëve dhe bashkëvendësve të tyre ka thënë Lumnije Avdiu aktiviste e VV në Gjilan.

Rinia dhe politika

Një dukuri shqetësuese që është vërejtur në komunën e Gjilanit mbetet joefektshmëria e Këshillit Lokal të Veprimit Rinor. Ndonëse me Ligjin për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, ky Këshill ka shumë përgjegjësi për avokimin e të drejtave dhe të interesave të të rinjve, ky Këshill ka qenë në shërbim të partisë në pushtet. Vetëm nëse marrim shembullin e kryetarit të këtij Këshilli, e gjejmë se si i ka shërbyer kryetarit të komunës, e jo projekteve rinore.

Kryetari i Këshillit Lokal të Veprimit Rinor, në vend se të organizonte debate me të rinjtë, të adresonte problemet e të rinjve në komunë dhe të ishte avokati kryesor i mbështetjes financiare të projekteve rinore, ai ka qenë në shërbim të kryetarit Mustafa. E kemi një fakt shumë konkret: Ish kryetari i Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, pati dalur me urdhër të Qemajl Mustafës, për të na larguar pamfletat në të cilat shkruhej se “ky dru i ka kushtuar komunës 360 euro”, ndërsa përgjegjësia e tij ka qenë sa e dimë ne të gjithë, vetëm me sektorin e rinisë dhe të organizatave rinore.

RCCOLA

Po ashtu, me Nenin 10, të Ligjit të përmendur për rininë, thuhet se “Këshilli lokal i veprimit rinor është formacion këshillues i organizatave rinore, që veprojnë në nivelin lokal dhe përfaqësojnë interesat e organizatave rinore dhe të rinjve tek institucionet e pushtetit lokal.” Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur, sepse pushteti dhe udhëheqja komunale ka ndikuar në të rinjtë e Këshillit, nuk e kanë ndihmuar por janë përpjekur gjithmonë ta mbajnë për t’i mbështetur agjendat e kryetarit të komunës dhe zyrtarëve tjerë komunalë.

Kjo ka qenë mjaft e dëmshme, sepse të rinjtë dhe ky Këshill, në vend se të ndihmohej nga komuna për projekte rinore, pushteti komunal ka dashur t’i instrumentalizojë. Ky Këshill do të duhej të jetë kryekëput në interes të të rinjve, të bëjë presione në komunë për të mbështetur projektet rinore, madje të bie edhe në përplasje me komunën, kur cenohen interesat rinore.

Udhëheqësi i deritanishëm që ka qenë përgjegjës për Këshillin lokal të veprimit rinor, me sa dimë është në moshë edhe më lartë sesa vetë kategoria e moshës, e cila definohet në Ligji mbi fuqizimin e rinisë. Në këtë ligj thuhet se moshë rinore ose “i ri, e re – grup-mosha e të rinjve prej pesëmbëdhjetë (15) deri njëzetekatër (24) vjeç, ndërsa kjo ka qenë dukuri edhe në subjekte politike ku ka pasur raste që kemi dëgjuar se mbi 30 vjeçar, ka udhëhequr forumet rinore.

Ne ua përkujtojmë përgjegjësitë e pushtetit komunal që kanë për të rinjtë edhe me këtë ligj: Neni 7/Përgjegjësitë e organeve të pushtetit komunal
1. Organet e pushtetit komunal kanë përgjegjësi:
1.1. për t’u përkujdesur për sigurimin e resurseve njerëzore dhe financiare për realizimin
e programeve të rinisë;
1.2. për t’u përkujdesur për sigurimin e hapësirës së duhur publike në konsultim me
këshillin e veprimit të rinisë të komunës, ku të rinjtë planifikojnë, udhëheqin dhe
zhvillojnë veprimtaritë e tyre rinore dhe edukimin joformal;
1.3. për mbështetjen e organizatave rinore për edukim joformal dhe për veprimtari të
tjera zhvillimore të inicuara nga të rinjtë;
1.4. për zhvillimin e politikave rinore lokale në konsultim me këshillin e veprimit të
rinisë të komunës, në përputhje me nevojat lokale;
1.5. për sigurimin e një procesi transparent gjatë angazhimit të menaxhmentit për
qendrën e licencuar publike rinore nga komuna përkatëse.

Dhe thuajse asnjë nuk është zbatuar nga komuna e Gjilanit.
Në Lëvizjen VV, nuk ka barriera në mes të gjeneratave më të moshuara dhe të të rinjve brenda strukturës organizative dhe hierarkike të Lëvizjes VV! Po ashtu, nëntë të rinj janë pjesë e listës së Lëvizjes, për asamble komunale, dhe nuk janë sikur në disa subjekte politike, ku të rinjtë janë pjesë e forumit rinor dhe u thuhet rrini aty dhe për ne është politika dhe vendimmarrja ka thënë Shkodran Ramadani aktivist i VV në Gjilan.

Rinia dhe sporti

Fakti që kushtet për zhvillimin e sportit nuk janë të mira dihen botërisht. Duke e ditur që sporti është një veprimtari që parimisht praktikohet nga të rinjtë atëherë edhe të rinjtë ndikohen nga mungesa e kushteve dhe mundësive për të zhvilluar këto aktivitete. E fundi i të rinjve është në dukuritë negative të theksuara nga parafolësit.

Vënia e personave jo adekuat në pozita udhëheqëse dhe me ndikim në sferën e sportit sigurisht që nuk e ndihmon zhvillimin e sportit e me këtë edhe edukimin sportiv dhe kulturor të të rinjve!

Në shkollat tona Fillore e të Mesme me shumë pak përjashtime, aktivitetet sportive dhe nxitja për zhvillimin e këtyre aktiviteteve pothuajse nuk ekziston fare! Lënda e edukatës fizike në shkolla në të shumtën e rasteve është vetëm sa për të plotësuar numrin e orëve.

MUNGESA E INFRASTRUKTURËS SPORTIVE
MUNGESA E PËRKRAHJES INSTITUCIONALE
MUNGESA E ZBATIMIT TË LIGJIT TË SPONZORIMIT
MUNGON BASHKËPUNIMI I KLUBEVE SPORTIVE DHE TË RINJVE NGA LUGINA E PRESHEVËS
KA SHUMË PAK HAPËSIRË PËR AKTIVITETE SPORTIVE
NUK KA KUSHTE SOLIDE PËR ZHVILLIMIN E AKTIVITETEVE SPORTIVE, VENDE SI PALESTRA DHE STADIUMI, I KANË KUSHTET IDEALE PËR ZHVILLIMIN E SHIRINGAVE TË DROGËS DHE DUKURIVE NEGATIVE.
GJATË DIMRIT NË PALESTËR MBRETRON TË FTOHTIT, KU LËNDIMET PËR SPORTISTËT QË SHUMICA JANË TË RINJË JANË TË PA SHMANGSHME ka thënë Alban Hyseni udhëheqës i vullnetarëve të rinj në Lëvizjen VV në Gjilan./rajonipress/