Rifat Jashari, portret i një dijetari dhe njeriu popullor
Gjilan – Rifat Jashari ishte një figurë e rrallë që përfaqësonte bashkimin e dijes, urtësisë dhe humanizmit në jetën e përditshme të komunitetit. Personaliteti i tij nuk matet vetëm me vitet e shumta, por me ndikimin e pashlyer që la tek njerëzit e Malësisë së Karadakut, Anamoravës dhe më gjerë. Ai nuk ishte thjesht një hoxhë; ishte ndërmjetës, pajtues, mikpritës, bisedues që sillnin qetësi dhe shpresë. Sa herë një ngjarje konfliktuale kërcënonte komunitetin, emri i Mulla Rifatit mjaftonte për ta kthyer atë në një kujtim të zbehtë të së kaluarës.
I lindur më 20 maj 1918 në fshatin Sefer, Jashari mori mësimet e para fetare në Zhegër, nën udhëheqjen e Mulla Kadrisë e Llashticës, ndërsa studimet e mëtejshme i vijoi në medresën e Gjilanit dhe më pas në Prizren, ku përfundoi shkollimin në vitin 1939/40. Karriera e tij intelektuale e institucionalizuar filloi që në vitin 1943, kur u zgjodh kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, duke u bërë një pikë referimi për komunitetin lokal dhe më gjerë.
Çelësi i autoritetit të tij nuk qëndronte vetëm në tituj apo poste zyrtare, por në karakterin dhe veprimet e tij. Mulla Rifat Jashari ishte i njohur për gojën e ëmbël, mirësinë e brendshme dhe aftësinë për të pajtuar njerëzit mes vete.
Ai ishte pranë të rinjve dhe fëmijëve, po ashtu edhe pranë të moshuarve, duke u bërë një figurë kujdestare e komunitetit. Siç e përshkruan vetë kujtesa popullore, ai kurrë nuk ka lënë vend pa hyrë dhe pa dalë, duke afruar njerëzit dhe duke shuar grindjet me mençuri.
Dhunti natyrore e Mulla Rifatit, ajo që e bëri të veçantë, ishte lidhja e tij e thellë me dijen. Ai ishte lexues i flaktë i literaturës fetare, por nuk u ndal tek kjo; hulumtoi dhe u ushqye nga literatura e gjërë, duke e bërë dijen një mjet për të kultivuar mirësi dhe respekt.
Mesazhet e tij për jetën ishin të thjeshta, por thelbësore: “Koha po kalon, por njerëzit nuk e shohin se ajo po ikën dhe s’po punojnë për kohën. Duhet të mendojnë edhe për Zotin, por edhe për jetën e tyre, që të jetë e bukur dhe me pak halle.”
Veprimtaria e tij shtrihej përtej kufijve të Zhegrës. Mulla Rifat Jashari ishte ndër figurat kryesore të pajtimit të gjaqeve, duke ndërmjetësuar dhe zgjidhur konflikte nga Konçuli deri në Kaçanik, duke përfshirë vendbanime si Dunav, Stançiç, Pidiç, Çelik, Stubëll, Goden, Gjylekreshtë, Remnik, Mogillë, Buzovik dhe shumë të tjera.
Ai e shihte historinë si një mësues të pazëvendësueshëm; rrëfimet e tij mbi masakrat dhe padrejtësitë e shekujve të kaluar mbetën dëshmi e përvojës dhe kujtesës së komunitetit.
Mulla Rifat Jashari ndërtoi një portret të dijetarit të vërtetë: i respektuar, i besueshëm, i pranueshëm nga të gjitha shtresat shoqërore, i përkushtuar ndaj familjes, komunitetit dhe dijes. Pas 98 vitesh jetësore, ai u nda nga jeta, duke lënë pas dy fëmijë, Mustafën dhe Mirushen, por edhe një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore që do të mbetet udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.
Në kujtesën e komunitetit, Mulla Rifat Jashari do të mbetet jo thjesht si një hoxhë, por si simbol i urtësisë, i drejtësisë dhe humanizmit, një figurë që bashkoi njerëzit, ndërtoi paqe dhe mbajti gjallë traditën e dijes dhe respektit të ndërsjellë në Karadakun e Anamoravë./rajonipress/

