Fundamenti

Regjistrohet bujqësia

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Sivjet do të dihet se sa ka Kosova tokë të bukës. Ministria e Bujqësisë se bashku me Agjencinë e Statistikave tashmë kanë mbledhur të dhënat e para testuese. Me këtë, përveç të dhënave më të sakta, do t’i jepet fund edhe betonizimit të tokës bujqësore.

Rreth 70 për qind e fermerëve në Kosovë veprojnë në sektorin informal dhe nuk janë të regjistruar fare. Si pasojë ata kanë vështirësi në marrjen e kredive dhe subvencioneve bujqësore.

Por, kësaj situate pritet t’i japë fund projekti për regjistrimin e bujqësisë. Shumë shpejt do të dihet saktësisht sa fermerë e sa tokë bujqësore ka Kosova. Krejt kjo pasi të bëhet regjistrimi i bujqësisë, faza testuese e të cili tashmë është kryer. Në muajin nëntor të vitit të kaluar anketuesit Agjencisë së statistikave kanë marrë në terren të dhënat testuese, të cilat pritet të bëhen publike në muajt në vazhdim.

Me këtë do t’i jepet fund edhe betonizimit të tokës bujqësore, pasi Ministria kur do t’i ketë të dhënat e sakta për tokën e bukës, do ta ketë më të lehtë edhe menaxhimin e saj. Statistikat zyrtare në Kosovë flasin për 1 mijë hektarë tokë bujqësore që humb në vit. Kryesisht për shkak të ndërrimit të destinimit të tokës bujqësore.

Në Ministrinë e Bujqësisë deri tani kanë punuar me të dhëna të vitit 1960, kur edhe është bërë për herë të fundit regjistrimi në këtë fushë.

Punët përgatitore tashmë i ka filluar ky institucion me Entin e Statistikave të Kosovës. Ndërkaq, implementimi i këtij projekti që do të kushtojë 4.7 milionë euro, do të financohet prej pjesës së mjeteve të mbetura në vlerë prej 2.3 milionë eurosh nga regjistrimi i tanishëm i popullsisë si dhe donatorëve të tjerë dhe buxhetit shtesë të Qeverisë.

Sipas këshilltarit për medie në Ministrinë e Bujqësisë, Adil Behramaj, rëndësia e regjistrimit të bujqësisë qëndron në sigurimin e informacioneve mbi prodhuesit dhe ekonomitë familjare në Kosovë, që merren me veprimtari bujqësore.

Regjistrimi testues i bujqësisë tashme ka përfunduar. Ai ka mbuluar të gjitha komunat e Kosovës, duke u bazuar në mostrat e përzgjedhura të ekonomive familjare. Në çdo komunë janë përzgjedhur dy qarqe regjistruese në zonat rurale dhe një në zonat urbane të realizuara mbi ortofoto dhe me GIS’

Uji Dea

“Regjistrimi testues është kryer gjatë periudhës 1-15 nëntor 2012 dhe gjatë kësaj kohe janë mbledhur të dhënat për: Tokën e shfrytëzuar, një (1) vit bujqësor, prej 31 tetor 2011 deri më 1 nëntor 2012; Bagëtinë deri më 1 nëntor 2012; Fuqinë punëtore, një (1) vit bujqësor, prej 31 tetor 2011 deri më 1 nëntor 2012; Masat e zhvillimit rural në periudhë prej tri (3)”, ka thënë Behramaj.

Fokusi i këtij regjistrimi do të jetë çdo gjë që ndërlidhet me ekonomitë familjare bujqësore në zonat rurale, numri i fermerëve dhe fermave, si dhe të dhënat e detajuara rreth tyre, numri i krerëve të bagëtisë, sipërfaqet e punueshme dhe të papunueshme të tokës bujqësore dhe kulturat bujqësore që kultivohen në këto sipërfaqe dhe gjithçka tjetër që ndërlidhet me sektorin.

“Pasi të kompletohen këto të dhëna, fermerët tanë do të gëzojnë përkrahje financiare dhe lehtësira shumë më të mëdha në veprimtaritë e tyre, sepse tani për tani rreth 70 për qind e tyre veprojnë në sektorin informal dhe nuk janë të regjistruar, e si rrjedhojë hasin në vështirësi të shumta si gjatë kredimarrjes, ashtu edhe në aspekte të tjera të përfitimit të përkrahjes financiare, sepse asnjë shtet nuk ofron përkrahje financiare në mënyrë të pakontrolluar”, ka thënë Behramaj.

Kërkesë për të pasur të dhëna të sakta rreth ekonomive familjare, ka ardhur edhe nga Komisioni Evropian që sipas Raporti të Progresit të viti 2010, del se nuk ekziston lista e fermave të regjistruara në Kosovë.

Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural, për shkak se regjistrimi i fundit bujqësor është bërë 50 vjet më parë, të gjitha politikat dhe strategjitë e saj i ka hartuar duke u bazuar në dy burime kryesore të të dhënave, të dhënat nga komunat dhe anketat e ESK-së, të cilat mblidhen me metodologji të ndryshme. Ndërsa, për analiza të ndryshme, Ministria i përdor edhe të dhënat e doganave dhe indikatorëve të tjerë statistikorë dhe socialë. Megjithatë, të gjitha këto të dhëna të deritashme vlerësohen të mangëta.

Së fundi, gjatë dekadës së fundit, po thuajse të gjitha vendet në rajon kanë kryer Regjistrimin e Bujqësisë, përveç Bosnjës dhe Hercegovinës.

Përmirësimi i sistemit statistikor bujqësor në Kosovë thuhet se do të krijojë bazë të mirë për krahasimin e të dhënave statistikore bujqësore dhe zhvillimin e këtij sektori në të ardhmen.(express)