Mobi Casa

Rahimaj: Metush Krasniqi nuk është thjesht një figurë historike, ai është një gur themel i ndërgjegjes sonë kombëtare dhe një krenari për Kamenicën

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Kamenicë – Metush Krasniqi na mësoi se të jetosh me ideal është të jetosh përtej vetes. Ai e shndërroi jetën e tij në një urë midis të kaluarës dhe së ardhmes, duke u përballur me burgun, torturat dhe kërcënimet, por duke mos u dorëzuar kurrë. Burgosjet e tij të njëpasnjëshme – pesë herë në kushte nga më të tmerrshmet – nuk ishin thjesht episode të një represioni brutal, por akte të rezistencës së heshtur ka thënë Kadri Rahimaj.

Postimi i plotë:

ARKATANA

Fjala e Kadri Rahimajt në Akademinë Përkujtimore për Heroin Metush Krasniqi:
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti,
E nderuar Zëvendëskryemnistre znj. Donika Gërvalla,
Të nderuar përfaqësues të Shoqatës së të Burgosurve Politik dhe organizatave të veteranëve të luftës,
E nderuara dhe shumë e respektuara familja Krasniqi,
Të nderuar qytetarë të Kamenicës dhe mbarë trojeve shqiptare,
Mirë se erdhët sot në Kamenicë, në përurimin e shtatores së Metush Krasniqit, njërës prej figurave më emblematike të Kamenicës dhe sigurisht të mbarë kombit shqiptar.
Njeriu është më shumë se një trup fizik; ai është ide, vizion dhe një ideal. Kur një individ i përkushtohet plotësisht një ideali të madh si liria dhe dinjitetit kombëtar, ai bëhet simbol, dhe me pas një dritë që ndriçon rrugën e brezave.
Sot, në këtë përurim të shtatores së Metush Krasniqit, nuk përkujtojmë thjesht një njeri, por një epokë që ai mishëron – një epokë vuajtjeje, sakrifice, por edhe shprese të palëkundur.
Metush Krasniqi nuk është thjesht një figurë historike, ai është një gur themel i ndërgjegjes sonë kombëtare dhe një krenari për Kamenicën, vendlindjen e tij, e cila i dha frymë një figure kaq të madhe. Ai u rrit me ndjeshmërinë e një fshati që e mbronte identitetin kombëtar me dinjitet dhe i dha zë brezave të nëpërkëmbur të shqiptarëve.
Metush Krasniqi na mësoi se të jetosh me ideal është të jetosh përtej vetes. Ai e shndërroi jetën e tij në një urë midis të kaluarës dhe së ardhmes, duke u përballur me burgun, torturat dhe kërcënimet, por duke mos u dorëzuar kurrë. Burgosjet e tij të njëpasnjëshme – pesë herë në kushte nga më të tmerrshmet – nuk ishin thjesht episode të një represioni brutal, por akte të rezistencës së heshtur.
Në qelitë e errëta të burgjeve të Prishtinës dhe Mitrovicës, nën tortura që synonin të thyenin shpirtin dhe trupin e tij, sepse idealin nuk mund t’ia lëviznin, Metush Krasniqi mbeti i palëkundur. Ai e shihte vuajtjen jo si fundin e qëllimit të tij, por si çmimin që paguhej për lirinë e një populli. Të dalësh i lirë fizikisht pas shtatë muajve të tmerrshëm, por i dërmuar për vdekje, dhe sërish të vazhdosh të mendosh për kombin – kjo është madhështia që pak kush mund ta përmbushë.
Ai nuk ishte një figurë që kërkonte lavdi personale; qëllimi i tij ishte më i madh se vetvetja, qëllimi ishte një komb që jeton i lirë dhe i bashkuar. Filozofia e tij e jetës ishte e thjeshtë, por e thellë: liria në robëri nuk dhurohet, ajo fitohet. Kjo filozofi ishte busulla që e udhëhoqi atë përmes viteve të errëta të izolimit dhe torturave. Ai e kuptoi se heshtja përballë padrejtësisë nuk është neutralitet, por një formë e pranimit.
Shtatorja e tij, që prej sot do të qëndrojë në mes të qytetit, do të jetë si dëshmi e pavdekësisë së tij shpirtërore, pra do të jetë përtej thjesht një monumenti të bronztë. Metush Krasniqi na kujton se liria nuk është vetëm një e drejtë e lindur, por edhe një përgjegjësi që kërkon guxim dhe përkushtim.
Kamenica, vendlindja e këtij kolosi, ka arsye të ndjehet krenare. Ajo ka dhënë një nga figurat më të ndritura të kombit, një njeri që nuk u përkul kurrë përballë asnjë kërcënimi. Në botën e sotme, shpesh të përçarë nga interesat e vogla dhe pasiguritë, figura e tij është një thirrje për të parë përtej vetes, për t’u bashkuar rreth vlerave që na lidhin dhe për të ruajtur të pacenuar atë që është thelbësisht e jona, dinjiteti dhe uniteti kombëtar.
Duke përkujtuar Metush Krasniqin, ne nuk përulemi thjesht para së kaluarës, por afirmojmë detyrimin tonë ndaj së ardhmes. Kujtimi për të është më shumë se një histori; është një kujtesë për të mbajtur gjallë idealet që ai mishëroi dhe për të qenë gjithmonë vigjilentë ndaj thirrjes për drejtësi dhe liri.
Metush Krasniqi nuk është më vetëm i kohës së tij. Ai është një shembull i përjetshëm i asaj se si një jetë, sado e vështirë, mund të bëhet flamur i një populli. Ai është zëri që na thërret të qëndrojmë të fortë, të palëkundur dhe të bashkuar.
Lavdi!