Pse të bardhët vrapojnë me ngadalë, ose pse zezakët vrapojnë më shpejt?
Që nga viti 1984 asnjë i bardhë nuk është kualifikuar për finalen 100 m në Lojërat Olimpike. Në një libër Jean-Philippe Leclaire është përpjekur të sqarojë këtë pyetje mitike.
Në të vërtetë, që nga viti 1984 të gjitha finalet janë monopolizuar nga sportistët zezakë. Për të gjetur një kampion olimpik të bardhë në 100 m ne duhet të kthehemi në vitin 1980, ku Allan Wells pati fituar në Lojërat Olimpike në Moskë, lojëra që në atë kohë u patën bojkotuar nga vrapuesit amerikanë për shkak të vendimit të presidentit të tyre, Jimmy Carter.
Një libër për t’iu përgjigjur klisheve!
“Pse njerëzit e bardhë vrapojnë më ngadalë”. Ja, pra, titulli pa pikëpyetje i librit të shkruar nga Jean-Philippe Leclaire, ish-redaktor i revistës “L’Equipe Magazine” si dhe producent televiziv. Pavarësisht ndjeshmërisë së tematikës a komenteve të ndryshme, autori i këtij libri prek tabunë e sportit lidhur me ngjyrën e lëkurës.
Në këtë shkrim-hulumtim, Jean-Philippe Leclaire, ekspert i madh në atletikë, shkruan:
“Kam një bindje absolute se çështja e ngjyrës (zi dhe bardhë) në sport nuk duhet të injorohet, të shmanget ose të shpërfillet në emër të korrektësisë politike apo frikës së zgjuar nga fantazmat e Berlinit ‘36. Në vendet anglo-saksone shumë shkencëtarë bëjnë hulumtime çdo ditë për këtë temë dhe botojnë artikuj dhe libra që kanë shkaktuar debate të gjëra. Në Francë, lidhja mes performancës atletike dhe ngjyrës së lëkurës mbetet kryesisht tabu”.
Libri, i cili gjurmon ngjarje të ndryshme historike që kanë shënuar sportin botëror dhe kanë kristalizuar konceptin e “racës”, nuk jep asnjë përgjigje definitive për çështjen e dominimit të supozuar të sportistëve të zinj ndaj atyre të bardhë në gara të shkurtra.
Çështja e gjeneve?
Pjesa e dytë e librit, shumë teknike, titullohet: “Është në gjene”. Flitet kryesisht për “gjenin sprint”, i ashtuquajturi “alfaktin ACTN3”, një gjen që favorizon fibrat shpërthyes të muskujve.
Kemi të bëjmë me tri forma të këtij gjeni: i fortë (RR), i ulët (RX) dhe zero (XX). Dy format e para tregojnë një prirje për garën, ndërsa e treta një paaftësi për t’u bërë një burrë apo një grua shumë e shpejtë. Sipas Rachel Irving, një studiues në Universitetin e West Indies në Xhamajka, 75% e 120 atletëve lokalë të testuar (duke përfshirë Usain Bolt) do të kenë formën e RR. Por, miti i gjeneve “sprint” është kontestuar nga studime të tjera që i kanë zbuluar te banorët e Kenisë, të cilët kanë edhe më shumë gjenin RR sesa xhamaikanët, të cilët janë prapëseprapë praktikisht të papadukshëm në garat e shkurtra, edhe pse ata triumfojnë në distancat e gjata.
Në këtë dokument, ku njeriu mbetet në zemër të çështjes përtej studimeve dhe përqindjeve të cekura, Jean-Philippe Leclaire thellon dy raste simbolike, të Usain Bolt-it (i zi) dhe Christophe Lemaitre-it (i bardhë). Në mënyrë paradoksale, ngjashmëritë e tyre janë të shumta, sipas autorit:
“Madhësia, gjatësia (hapa të mëdhenj), shpërthimi i shpejtësisë, por edhe mungesa e qëndrimit afatgjatë, fakt që ata nuk kanë praktikisht nevojë për t’u nxehur para një gare…,etj.”
Pa sjellë një përgjigje definitive, autori zgjon kureshtjen duke dhënë disa përgjigje gjenetike mjaft interesante, por gjithashtu duke shtruar një sërë pyetjesh, në mos publikisht, të paktën në heshtje ndaj vetvetes.