RCCOLA

Pse islami po përqafohet nga të rinjtë e Francës?

/ 5 minuta lexim

Tendencën e forcimit të islamit në mesin e të rinjve në Francë, sociologët kryesisht e shpjegojnë me dështimin e modelit republikan në periferitë e varfra, ku nuk arriti të ndërtojë një kornizë të suksesshme të integrimit social.

Sipas një serie të studimeve të fundit, Franca gjithnjë e më shumë po shekullarizohet. Për shembull, nga 80 për qind e katolikëve në vitin 1966, më 2007 ajo ka numëruar 51 për qind nga ta. Ndërsa, në atë përqindje të ngushtë, vetëm pesë për qind janë tamam fetarë që shkojnë rregullisht në mesha kishtare, ndërsa ata janë kryesisht të vjetër.

Protestantizmi dhe judaizmi mbeten relativisht stabil, me rreth 2.1 apo 0.6 për qind të pjesëmarrjes, ndërsa ateizmi po shënon rritjen më të madhe. Kështu, më 2012, 35 për qind e popullatës janë deklaruar ateistë, ndërsa tek të rinjtë e moshës 18-24 vjeçare kjo shifër arrin në 63 për qind.

Paralelisht me këto tendenca të forta të laicizmit të shoqërisë, i vetmi religjion që shënon rritje, dhe atë të dyfishtë, është islami. Kjo është feja e dytë zyrtare në Francë, që ka 2.1 milionë besimtarë, apo 3.2 për qind të popullatës. Numri i atyre që e praktikojnë islamin është 8000 mijë, dhe ata përbëjnë një të tretën e emigrantëve të ardhur nga vendet myslimane. Ajo që tërheq studiuesit në këtë fenomen është se një numër i madh i të rinjve, kryesisht të lindur në Francë, po i bashkohen këtij besimi. .

Një shpjegim për fenomenin e rritjes së islamit ka dhënë politologu Gilles Kepel në studimin: “Periferitë e Republikës”, që i dedikohet të rinjve në lagjet Clichy-sous-Bois dhe Montfermeil, që ishin vatër e trazirave sociale në vitin 2005. Në studim thuhet se “zemërimi dhe islami janë zhvilluar atje ku ka dështuar Republika”, shkruan gazeta prestigjioze franceze, “Le Monde”.

Mobi Casa

Se islami po shfaqet si një forcë e re federative në paralagjet e varfra – në vend të parimeve republikane që janë dëshmuar me të meta në praktikë – është teza që shumë sociologë kanë vënë para. Në fakt, disa vite më parë është menduar se ekziston një prirje për ta dobësuar forcimin e islamit, sidomos në mesin e të rinjve. Por, hulumtimet e fundit që po kryhen nga Qendra për Studime Politike “Sciences Po” dhe Instituti Kombëtar për Studime Demografike, po e dëshmojnë të kundërtën.

Konsumi i ushqimit hallall, shkuarje e rregullt në falje… janë praktikat që po shfaqen më shumë tek të rinjtë e moshës 16-20 vjeçare, të lindur në Francë, sesa tek emigrantët që kanë ardhur në Francë në moshë të pjekur. Vetëm tek një pakicë vërehet tendenca ekstreme e miratimit të parimeve të ngurta morale, rreth seksualitetit, rreth martesës që kufizohet vetëm tek myslimanët, me nota të theksuara të antisemitizmit. Këto paraqitje alarmuese zbuten me statistikat se 72 për qind e myslimanëve në Francë nuk shohin asnjë konflikt mes praktikës së islamit dhe jetës në shoqërinë moderne.

Disa shpjegime jepen për rritjen e islamit tek të rinjtë. Së bashku me argumentet e zakonshme në lidhje me nivelin e lartë të papunësisë në mesin e të rinjve në periferi, të cilat pjesërisht janë pasojë e sistemit joefikas arsimor joefikas, e që rezultojnë me pabarazi sociale, sociologu Hugues Lagrange përmend edhe faktorët kulturorë. Pra, meqë vlerat tradicionale që vijnë nga vendet e origjinës nuk janë as afatgjate e as vendimtare, “të rinjtë ndjejnë një nevojë të fortë për të vërtetuar identitetin e tyre”. Meqë këtë nuk e gjejnë as në sistemin e arsimit, e as në vendin e punës, ata i kthehen fesë.

Më tutje, përmendet faktori i izolimit, i cili është theksuar sidomos në paralagjet me numër të madh të banorëve ardhacakë, kryesisht nga shtetet e Magrebit (Afrika Veriore – v.j.). Perspektiva kulturore edhe tani është injoruar në politikat e qyteteve dhe komunave, për çka janë fajtorë edhe hulumtuesit të cilët shpesh kanë bërë ndërlidhje të drejtpërdrejta ndërmjet, për shembull, zakoneve tradicionale familjare nga vendet afrikane me një model të theksuar patriarkal apo dështimin e shkollimit të fëmijëve. Këto teza ishin temë e kritikave brenda vet hulumtuesve.

Shembujt e suksesshëm të Francës multietnike dhe multifetare është e mundur të gjenden eventualisht në qendrat e qyteteve, ku disa pakica, si kineze, indiane, afrikane apo turke, ia dalin në një bashkëjetesë më shumë ose më pak të qetë. Por, në një gjë studiuesit bien në pajtim dhe kjo ka të bëjë me faktin se pikërisht të dhënat për përforcimin e islamit më së shumti abuzohen në fjalimet e politikanëve. Disa i injorojnë e disa i relativizojnë pasi nuk kanë zgjidhje adekuate afatgjate, ndërsa disa i përdorin me qëllim të mbledhjes së votave. /Telegrafi/