ARKATANA

Prishtina, xhungla jonë urbanistike!

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Adrian Çollaku – Pesë vjet më parë isha i bindur se kisha përzgjedhur pjesën “më të mirë” për të banuar. Lagjen te Parku i Qytetit. Qiraja ishte pak më shtrenjtë, por kisha pamje kah parku që të çelen sytë kur zgjohesh në mëngjes. Fatkeqësisht kisha gabuar dhe nuk shkoi gjatë dhe çdo gjë u përmbys. Pak muaj pas vendosjes, papritmas i dëgjoj çekiçët dhe zhurmën e punëtorëve që kishin nisur ta prishnin një shtëpi të vogël, aty pranë.

Zhurma disi durohej pasi, sado të zgjasë, një ditë do të përfundojë. Se do të dalë më e keqja, nuk e kisha menduar. Së shpejti ndërtesa aty pranë, gati ngjitur me banesën time, lëshoi shtat, por shpresoja se do të ndalonin. Edhe këtu e kisha pasur gabim. Ndërtimet vazhduan dhe së pari ma zunë diellin. Nuk shkoi shumë dhe më zuri edhe dritën.

Komshiu ndërtesën dhjetëkatëshe e kishte nisur vetëm 80 centimetra larg, aq sa për të na “ngufatur” si të ishte burg.
Për pamjen e bukur të parkut, as që ëndërroja më sepse më kishte kapur sikleti. Veç ai që e ka përjetuar mund ta kuptojë atë gjendje terri që të bëhet gjithnjë e më e padurueshme. Komuna që lejonte këtë kasaphanë ndërtimore bëhej e shurdhër ndaj ankesave e protestave tona.

Zgjidhja e vetme mbetet largimi sa më i shpejtë nga lagjja e shndërruar në xhungël urbanistike. Lagjja që me bekimin e pushtetarëve është shndërruar në fatkeqësinë e atyre që banojnë aty. Lagjja ku edhe drita e diellit është bërë luks. E të mos flasim për parkingje, rrugë normale, trotuare, gjelbërime…
Pronarit fatkeq të banesës, ia ktheva çelësat pasi po ndërroja banesë.

Pak me forcat e mia e pak edhe me ndihmën e familjarëve vendosa t’i jap fund jetesës së qiraxhiut. U përcaktova për një lagje paksa më periferike. Me shpresë se kryetari Isa e kishte me gjithë mend kur premtonte rend e rregull metropolitan dhe se nuk do të lejojë të përsëriten dështimet si ato te Parku, u përcaktova për zgjidhjen.

Ishte “Lagja e Spitalit”. Isha shumë entuziast në fillim. Shpesh ktheja për të parë përparimin e ndërtesës që po rritej. Megjithatë, s’të lënë të gëzohesh. Edhe kjo doli zgjidhje e gabuar. Pa kaluar as tre vjet, lagja ka filluar të ngjasojë si shumë me atë te Parku i Qytetit. Ndërtimet janë shpeshtuar aq shumë dhe pa kurrfarë plani urbanistik, saqë tashmë është vështirë të kalosh andej e lëre më të jetosh aty.

Degradimi fatkeqësisht nuk po ndodh vetëm me këto dy lagje ku kam pasur fatin apo fatkeqësinë të jetoj. E njëjta po ndodh thuajse në të gjitha lagjet që janë lënë në mëshirën e matrapazëve e profiterëve të mafisë ndërtimore. Mafisë ku roli i komunës e zyrtarëve të korruptuar dokumentohet me vetë ndërtimet e tilla para të cilave i mbyllin sytë.

Mobi Casa

Nuk duhet të jesh arkitekt a ekspert i ndërtimeve dhe urbanizmit për të kuptuar se po ndërtohen jashtë çdo kriteri a standardi, pa rrugë, pa parqe, pa parkingje, pa trotuare, pa hapësirë të mjaftueshme…

Më shumë se tmerri i tërë këtij degradimi nga i cili do ta pësojnë edhe brezat që vijnë, është shqetësuese se gati askush nuk reagon dhe as nuk mërzitet për këtë fenomen shqetësues. Njerëzit kanë preokupime tjera, më të mëdha e më të rëndësishme se mjedisi ku jetojnë.

E tërë vëmendja është përqendruar në bisedimet Kosovë – Serbi. Secili tash merret me zgjidhjen e problemit të veriut. Shumë pak, thuajse askush nuk merret me problemet reale, problemet tona të përditshme, problemet jetësore që po na ngufasin.

Komuna e Prishtinës, në krye me Isa Mustafën duket se tanimë janë dorëzuar ose janë bërë pjesë e krejt kësaj. Jo vetëm që nuk e ndaluan trendin e degradimit por vetëm sa e kanë rënduar “tmerrin” e të jetuarit në kryeqytet.

Është shumë befasuese se si edhe partitë opozitare, shoqëria civile dhe asociacionet apo shoqatat e arkitektëve mbajnë gojën mbyllur. Asnjë zë kundër këtij degradimi. Asnjë zë në mbrojtje të qytetit e të qytetarëve të Prishtinës.

Nëse vazhdohet me këtë, Prishtina do të jetë shembull i qytetit që ngufat veten. E kryetari i Prishtinës dhe i LDK-së duhet ta harrojë përsëritjen e fitores në “Prishtinën metropolitane” që ka mbetur një fjalë boshe.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.