Fundamenti

Politikë që shkakton plagë!

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Arbana Xharra – Ekziston rreziku që edhe në vitin 2017 të merremi vetëm me problemet e vitit që po lëmë pas. Shumë qytetarë tashmë kanë filluar të tërhiqen nga jeta publike për shkak të sistemit arbitrar dhe ambientit jodemokratik. Por, tërheqja nga ajo që në Republikën e Romës quhej “res publica” do të ishte triumf i keqbërësve në këtë vend. Këtë nuk duhet ta lejojnë qytetarët e Kosovës.

Në çdo fund të vitit në editoriale synohet të përmblidhen dështimet që na shoqëruan dhe dëmtuan si pasojë e politikës së keqe pa strategji, pa plan e pa synim. Një politikë që refuzon t’i shërbejë elektoratit, prej të cilit politikanët kanë marrë besimin për të qeverisur. Ky besim shpërdoret për çdo ditë. Viti 2016 nuk paraqet ndonjë përjashtim të madh. Lexueseve dhe lexuesve nuk do t’ua përkujtojmë kësaj radhe dështimet e vitit. Fundja, secili prej jush këto dështime i ka përjetuar në lëkurën e vet dhe ka paguar një çmim të lartë për këtë personal, familjar dhe publik. Gjasat janë të mëdha që viti 2017 të jetë vazhdimësi e problemeve që na shoqëruan në vitin të cilin po e lëmë pas. Do të merremi me pasojat e politikës së keqe dhe jo me zgjidhjen e problemeve.

Fjalët: korrupsion, kriminel, hajn, keqpërdorues po bëhen pjesë e normalitetit jo vetëm gjuhësor. Ndodh kështu për shkak se i korruptuari nuk ndiqet nga policia, krimineli trajtohet me dorëza mëndafshi nga drejtësia, hajni shihet si shembull shoqëror. Jorastësisht fjalia “Qe besa mafi je bërë” në Kosovë dhe më gjerë ndër shqiptarë kuptohet si kompliment. Krizat e stërzgjatura, izolimi, mungesa e perspektivës lënë gjurmë dhe pasoja në personalitetin e çdo njeriu, madje edhe e transformojnë mendësinë e tij, e shkatërrojnë vetëbesimin dhe e bëjnë vetëm të mendojë një gjë: si të largohet sa më shpejt nga ky vend? Në pamundësi për të ikur, për t’ia kthyer shpinën politikës së keqe dhe politikanëve plaçkitës shumë njerëz dorëzohen, tërhiqen në jetën e tyre thellësisht private, ikin nga ajo që në Republikën e Romës quhej “res publica”, i përshtaten disi ambientit, duan të mbijetojnë dhe të mos zhyten.

Në këtë fundvit duhet thënë disa fjalë jofort të këndshme edhe për branshën (fushën) tonë, për gazetarët dhe për punën e tyre. Gjithnjë e më shumë prej tyre po e shohin vardisjen ndaj politikanëve të korruptuar apo të pushtetshëm si synim jetësor të karrierës. Nivelimi dhe banalizimi i batutave mes gazetarëve të estradës dhe politikanëve të nëntokës po bëhet pjesë e jetës publike. Aleanca mes gazetarëve që shkruajnë me porosi në shërbim të këtij apo atij politikani po forcohet. Po bashkohen shijet: të dyja palëve u pëlqen t’i ekspozojnë në publik orët e shtrenjta, veshjet luksoze (firmato, siç do të thoshin bashkëmendimtarët e tyre në Tiranë), veturat, fotografitë nga pushimet e shtrenjta në vende ekzotike. Jargëzimi publik pas parasë së fituar në mënyrë të pandershme po bëhet shenjë dalluese e jo pak gazetarëve të estradës. Për të treguar njëfarë pavarësie herë-herë kjo kategori gazetarësh kritikon edhe pushtetin, sa për balancë, por gjithnjë me dozë humori. Mesazhi është i qartë: “Të dashur pushtetarë, mos i merrni seriozisht kritikat tona!”.

Uji Dea

Aspak më ndryshe nuk është situata në atë që njihet si shoqëri civile. Ajo me vite ka kultivuar imazhin e një grupi të djemve dhe vajzave që vërtet ia duan të mirën këtij vendi dhe luftojnë pa asnjë kompromis krimin e korrupsionin. Në të vërtetë, shumica e bartësve të shoqërisë civile e kanë harruar misionin e tyre, nëse kanë pasur ndonjëherë mision tjetër përveç vjeljes së fondeve nga organizatat ndërkombëtare. Mision i tyre është si të kacavirren disi në politikë, duke bërë kompromiset më të mëdha të mundshme me atë strukturë politike që me vite e kanë quajtur me emrin e vërtetë: një grumbull banditësh.

Mbetet opozita. Por, a duhet të kemi shpresë nga opozita? Pavarësisht përkrahjes masive nga shumica e medieve të pavarura, Lëvizja “Vetëvendosje”, si partia më e madhe opozitare, nuk po arrin të fitojë besimin e shtresave të gjëra të shoqërisë. Paaftësia për t’u ballafaquar me kritikën konstruktive dhe gatishmëria për të vrarë me gjuhë morbide secilin që s’pajtohet me të gjitha veprimet e LVV-së, lënë përshtypjen se udhëheqja e LVV-së ende nuk e ka të qartë çka është politika. Në të vërtetë, çka është politika? Art i së mundshmes. Kjo nuk do të thotë kompromis me krim, por nuk do të thotë as denoncim e njollosje e secilit që nuk i bën amin çdo deklarate të LVV-së. Në vitin 2017 LVV-ja ka kohë të mësojë, por koha po ecën shpejt dhe gatishmëria e LVV-së për të mësuar nuk po rritet. Nga partitë e tjera opozitare, si AAK-ja dhe “Nisma”, nuk duhet pritur shumë. Liderët e tyre që nga viti 1999 kanë qenë pjesë e shumë mëkateve jo vetëm politike, andaj prej tyre nuk duhet pritur ndonjë mrekulli. E vetmja mrekulli do të ishte nëse nuk do t’i bashkohen një koalicioni të ri me PDK-në pas zgjedhjeve eventuale të parakohshme në vitin 2017.

Ndonëse mund të tingëllojë si thirrje në shkretëtirë, por sidomos në vitin 2017 qytetarët e Kosovës duhet të jenë aktivë për ta shpëtuar vendin e tyre. Për hatër të fëmijëve të tyre. Tërheqja nga “res publica” do të ishte triumf i keqbërësve në këtë vend. Këtë nuk duhet ta lejojnë qytetarët e Kosovës.