Mobi Casa

Politika ia dorëzoi mafisë Kosovën

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nuk mbeti asnjë institucion pa u kapur nga krimi dhe nëntoka.

NJË DEKADË SHTETNDËRTIM U KTHYE NË SHTETSHKATËRRIM

Nuk mbeti asnjë institucion pa u kapur nga krimi dhe nëntoka

“Pa marrë parasysh se cila parti i fiton zgjedhjet e vjen në pushtet, ajo vepron në saje të lidhjeve me nëntokën e krimit të fuqishëm e të organizuar, i cili në fakt e kontrollon shtetin dhe pushtetin formal, duke filluar nga sistemi i drejtësisë e deri tek aspektet zhvillimore të vendit”, tha analisti Florim Zeqa.

Edhe pse nga qytetarët është pritur me shumë optimizëm, që fillimi i shtetndërtimit të ri të Kosovës do të rezultojë me një shtet zhvillimor të sundimit të ligjit dhe drejtësisë për të gjithë, praktika e keqqeverisjes së deritanishme nga shumica e partive politike po dëshmon se Kosova vetëm u shndërrua në një lloj enklave, një shtet të kapur nga mafiozët, ku shteti është bërë orbitë për politikanët mafiozë.

Sipas analistëve politikë, kjo klasë politike, ose te gjitha partitë politike pa dallim, janë lidhur me nëntokën kriminale, që do të thotë se pa marrë parasysh se kush fiton e vjen në pushtet. vepron në saje të lidhjeve me nëntokën e krimit të fuqishëm e të organizuar, i cili në fakt e kontrollon shtetin dhe pushtetin formal, ngase edhe është më i fuqishëm me financat e pakufishme nga krimi i organizuar, korrupsioni, kontrabanda, evazioni fiskal, monopolet, droga dhe transporti e shitja e saj, e të gjitha format e tjetra të veprimit të papenguar kriminal. Sipas analistit Florim Zeqa, Republika e Kosovës e 17 shkurtit 2008 gjithnjë e më pak është duke mbetur shtet i qytetarëve. “Kjo klasë kusarësh politikë, ose më qartë, të gjitha partitë politike pa dallim, janë lidhur me nëntokën kriminale, respektivisht me bizneset e pista dhe korporatat e inkriminuara, përmes të cilave vijnë në pushtet dhe mbajnë atë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve”, u shpreh Zeqa për “Kosova Sot”.

Kapja që nga privatizimi

Mobi Casa

Sipas analistit politik Ali Hertica, kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe rrjetet mafioze ka filluar që nga privatizimi i pasurisë publike dhe shtetërore. “Që nga procesi i privatizimit nga grupet mafioze të dyshuara, Kosova humbi ekonomikisht, nga e gjithë kjo plaçkitje, dhe nga e gjithë kjo katrahurë që pësoi ekonomia e vendit fituan dhe u pasuruan disa politikanë të cilit e zhvaten shtetin dhe shoqërinë, e ku ata janë të instaluar në të gjitha subjektet politike, ku secili subjekt politik ka mafinë e nëntokës së vet kriminale”, theksoi ai. “Është pothuajse krejt politika e pasluftës që drejtoi vendin, ajo që e futi në duar privatizimin e pasurisë publike, e ku klanet e tyre i uzurpuan thuajse të gjitha pronat e shtetit. Njerëz dhe familjarët e pushtetarëve ishin ata që kryesisht arritën të “blejnë” ndërmarrje të vlefshme që deri asokohe punësonin dhe ushqenin qindra familje, e që pas privatizimit të punësuarit i hodhën në rrugë, sepse nuk u respektuan udhëzimin e destinimit të tyre, por i ndërruan në objekte me destinime nga më të ndryshmet, joprofitabile për zhvillimin e vendit, por vetëm në interes të përfitimit nga matrapazët politikë”, tha Ali Hertica.

Pushteti për klientelën, jo për qytetarët

Analisti politik Arsim Haziri pohon se shteti i Kosovës është i kapur dhe kjo është shumë e argumentueshme, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. “Pamundësinë për të funksionuar në bazë të rregullave e ligjeve e bënë edhe mosfunksionimi i rrjetit të gjykatave, pikërisht kapja e tyre nga politika e sëmurë, e cila organizohet dhe jeton brenda interesave individuale”, u shpreh ai. “Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për ndryshime ne mënyrën e funksionimit të pushteteve, ngase kjo e tanishmja shumicën e organizimit shtetëror e ka reduktuar në nevoja klienteliste dhe nga kjo e metë sot qytetarët e Kosovës jetojnë në një mjerim të përgjithshëm. Përgjegjësinë për ketë katrahurë, përkatësisht mosfunksionim të mirëfilltë të dikastereve shtetërore e bartin të gjitha pushtet e deritanishme”, tha Haziri. “Me këtë qeverisje jo për qytetarë, vendi vetëm sa do të hidhet në krizë edhe më të thellë, andaj për kohën që jemi nevojitet një lloj revolucioni social, ku do të mund të përzgjidhej një klasë e re politike që për obligim do ta kishte rregullimin e gjithë dikastereve shtetërore dhe përfundimisht avancimin e gjendjes në shoqëri”, theksoi Arsim Haziri.

Stagnimi i madh

Edhe analisti Skënder Mulliqi është shumë kritik për këtë dështim 18- vjeçar të shtetndërtimit të mirëfilltë, për çka thekson se askush nuk e ka pritur një zhvillim kaq negativ të ngjarjeve, të cilat ndodhën pas luftës në Kosovë. “Na goditën rëndë krimi i organizuar, kapja nga grupet e ndryshme mafioze, shfaqja e korrupsionit, hajnitë e mëdha e të vogla, zhvatja dhe shumë keqpërdorime të pronës shoqërore. Sigurisht se të gjitha këto dukuri negative gjetën terren të përshtatshëm, se në krye të shtetit u ngjitën njerëz të caktuar, të cilët përfitimet personale dhe pasurimin në mënyrë joligjore e qitën para interesit të përgjithshëm”, theksoi ai. “Në vend që të avancoheshin proceset politike dhe proceset ekonomike, vendi jo vetëm që stagnoi, por edhe kemi kthim mbrapa. Nga të gjitha partitë ‘shtetformuese’ u formuan grupe të caktuara të interesit, të cilat keqpërdorën pozitën e lartë në shoqëri, keqpërdorën votën e sovranit, dhe nuk i kryen ashtu si duhet detyrimet karshi qytetarëve që po jetojnë sikur të ishin dy shekuj mbrapa e jo në shekullin 21. Në atë vend ku nuk punohet ndershmërisht për shtet dhe për komb, vijnë në shprehje grupet mafioze, nëntoka dhe grupe të tjera kontrabaduese, prandaj edhe kemi mbetur shteti më i varfër dhe më i izoluari në Evropë”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)