Mobi Casa

Pieter Feith: I takon policisë së Kosovës të jetë reaguesi i parë dhe të marrë përgjegjësi

/ 14 minuta lexim

Ish-Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, tha se shpreson se autoritetet në Serbi do të ‘shtypin’ elementet e armatosura në veriun e Kosovës dhe do t’i dënojnë ata sipas ligjeve në fuqi. Ai tha se ka shenja për një mbështetje qoftë të heshtur ose aktive të autoriteteve serbe për sulmin në veriun e Kosovës, por nënvizoi se hetimet ende janë duke u zhvilluar.

Pieter Feith tha se nëse presidenti Vuçiq ka humbur kontrollin mbi elementet e armatosur në veriun e Kosovës kjo e bën situatën edhe më të keqe, meqë mund të sabotohet rezultati i bisedimeve.

Feith kundërshtoi përfshirjen e më shumë forcave ushtarake në veriun e Kosovës, duke thënë se i takon policisë së Kosovës që të merret me paqëndrueshmërinë dhe me elementet e armatosur në veri. Pieter Feith i bëri thirrje kryeministrit Kurti, që të mos e rrezikojë miqësinë dhe mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së dhe të mos e përhapë narracionin e luftë dhe katastrofës por të ecë, siç tha, përpara një narrative më pozitive, drejt pajtimit dhe rifillimit të dialogut.

Ai tha se dialogu duhet të rifillojë menjëherë dhe të dyja vendet të përgatiten për anëtarësim në BE. Fieth kërkoi themelimin e Asociacionit në Komunave me shumicë serbe, bazuar në ligjet e Kosovës dhe njëkohësisht kërkoi nga Serbia që të pranojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare përfshirë OKB-në.

Intervista e plotë me Pieter Feith

RTV21: E gjithë ngjarja në pjesën veriore të Kosovës erdhi disa muaj pasi u arrit një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel dhe Ohër. Logjikisht, kjo nuk do të duhej të ishte rrjedha normale e ngjarjes. Pra a nuk shënon kjo një kthim në një situatë të një konflikti të drejtpërdrejt dhe të hapur?

Pieter Feith: Mendoj se ngjarjet e javës së kaluar ishin të dënueshme. Sot jemi më shumë se dhjetë vjet nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nga të dy palët, edhe në Kosovë, në Prishtinë dhe në Beograd duket se ka mungesë të vullnetit, vullnetit politik për të ecur përpara drejt pajtimit dhe normalizimit ndërmjet dy shteteve. E dënoj dhe ndjej keqardhje për dhunën. Kjo na çon prapa në përpjekjet për të sjell rrethana normale në Kosovë. Por gjëja me rëndësishme është që liderët politikë duhet të tregojnë vullnet për të bërë kompromis dhe të arrijnë një pajtueshmëri të paraparë në marrëveshjet që i përmendët

RTV21: Kjo duhet të jetë kështu por në realitet nuk ka ende një ndarje të përgjegjësisë për Serbinë në sulmet në pjesën veriore të Kosovës, ditë më parë. A ka kalkulime politike, madje edhe në nivelin ndërkombëtar, për përfshirjen e Beogradit në këto sulme? A është Beogradi sot drejtpërdrejt i përfshirë në gjithë këtë skenar?

Pieter Feith: Hetimet janë duke u zhvilluar ende, dhe unë po flas me ju nga një distancë. Nuk jam në vendngjarje. Por ka vërtetë indicie, marrë parasysh cilësinë dhe sasinë e armëve dhe të pajisjeve që janë gjetur, se ekziston një formë e heshtur ose mbështetje aktive nga autoritetet serbe. Por do ta urreja që të paragjykoj rezultatin e punës së mëtejshme hetimore.

RTV21: Milan Radojçiq, nënkryetari i Listës Serbe, parti kjo e mbështetur plotësisht nga Beogradi, mori përgjegjësinë për gjithë organizimin e këtij sulmi në pjesën veriore dhe sot ndodhet në burg. Serbia vuri një numër të madh të ushtarëve dhe armatim në kufi me Kosovën. Në vend të dialogut, a po shohim më shumë përpjekje për të krijuar një front të ri në Ballkanin Perëndimor?

Pieter Feith: Mendoj, një nga pyetjet e para që i kam bërë vetes dhe nuk jam i vetmi, është nëse elementët e armatosur serb të Kosovës kanë vepruar në mënyrë autonome apo me mbështetje të Beogradit. Sërish, duket sikur ka pasur një formë mbështetjeje, por mund të jetë gjithashtu se presidenti Vuçiq ka humbur kontrollin mbi elementët e armatosur në pjesën veriore. Nëse do të ishte kështu, unë vetëm po e pyes veten, por nëse do të ishte kështu, mendoj se jemi në një situatë shumë më të keqe. Sepse atëherë nuk është vetëm çështja e dialogut mes dy kryeqyteteve, por gjithashtu është edhe çështje e mbajtjes nën kontroll e një organizate që ka axhendën e vet negative dhe kjo ndoshta mund të vë në frustrim dhe sabotojë rezultatin e dialogut. Prandaj shpresoj shumë se autoritetet serbe do të shtypin elementet e armatosura që kanë hyrë në Kosovë dhe do t’i dënojnë sipas ligjit serb, ashtu siç duhet.

RTV21: Qeveria serbe ka mohuar se po grumbullon trupat e saj në kufi me Kosovën. Pa dyshim se ka një situatë të rrezikshme në pjesën veriore të Kosovës sot. A shihni shenja të rritjes të, së ashtuaquajturës, lojë të luftës

Pieter Feith: Sërish, është e vështirë për mua që të gjykoj. Kam parë se KFOR do të marrë përforcime nga Mbretëria e Bashkuar. Unë e shoh këtë si një shenjë që komandantët ushtarakë janë të vetëdijshëm për tablonë e rritur të kërcënimit dhe se rezerva është e nevojshme për të siguruar një forcë shtesë mbrojtëse. Por më lejoni të jem shumë i qartë: është në dorë të policisë së Kosovës dhe jo të ushtrisë për t’u marrë me paqëndrueshmërinë dhe me elementë të armatosur në veri. Ushtria nuk është aty që në mënyrë të përhershme të kryej detyra të policisë në veriun e Kosovës. Ata mund të mbështesin, sikur që EULEX mund ta bëjë për Policinë e Kosovës. Por i takon policisë së Kosovës të jetë reaguesi i parë dhe të marrë përgjegjësi.

Mobi Casa

RTV21: Por ne shohim, siç thoni ju, shtimin e numrit të trupave KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës, ne shohim angazhimin e më shumë EULEX dhe trupa të tjera në pjesën veriore të Kosovës. A nuk po shndërrohet kjo në një situatë që para se të jetë politike, është më shumë ushtarake në veri?

Pieter Feith: Epo, nuk duhet të jetë. Nuk duhet të jetë. Dhe, siç e thashë, më herët, tani varet nga liderët politikë që të marrin përgjegjësitë e tyre, para së gjithash. Dhe si hap i parë, ata duhet të përpiqen të de-përshkallëzojnë situatën duke siguruar gatishmërinë për të rifilluar dialogun me ndërmjetësimin e z. Borrell dhe Ambasadorit Lajçak. Ata gjithashtu duhet të krijojnë për veten e tyre hapësirën e nevojshme për kompromis. Mendoj se është e rëndësishme që qeveritë të informojnë qytetarët në vendet e tyre për përfitimet e një rezultati pozitiv të pajtimit si hap i parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duhet të jeni të vetëdijshëm se ne jemi në një kontekst tjetër, kontekst shumë i ndryshëm në krahasim me ku ishim në vitin 2008 apo 2012 kur u largova nga Kosova. Tani po shohim një luftë agresioni nga Rusia kundër Ukrainës dhe Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar ndërmarrjen e hapave drejt zgjerimit dhe reformave. Zgjerimi që do të bëhej edhe në vendet të Ballkanit, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë. Data e përmendur është 2030, pra njëfarë kohe. Por nuk ka shumë kohë. Dhe mendoj se për Kosovën, në veçanti, do të ishte një përfitim i madh nëse do të mund të lëviznin drejt të drejtave të anëtarësimit në valën e parë. Kosova është një vend i vogël. Unë jam vetë nga Holanda, gjithashtu një vend i vogël. Unë e di se çfarë do të thotë të kesh aleanca dhe miq. Për këtë arsye do të bëja thirrje qeverisë, sigurisht kryeministrit Kurti, që të mos rrezikojë miqësitë dhe mbështetjen që ka marrë gjatë viteve të fundit nga amerikanët dhe nga kryeqytetet në Evropë. Unë mendoj se nëse kjo do të ndodhte, Kosova do të ishte më keq. Pra, le të mos përpiqemi të flasim me njëri-tjetrin dhe me veten për një luftë dhe një katastrofë. Por le të ecim përpara drejt një narrative më pozitive drejt pajtimit dhe rifillimit të dialogut.

RTV21: Z. Feith, ju po e kritikoni pak z. Kurti. Por a nuk ishte qeveria në Prishtinë, lidershipi në Kosovë, ajo që po përpiqej të rriste vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare se Serbia po përgatitet për sulm? A nuk ishte Kosova ajo, këto kohë, që nuk po i rriste tensionet, më parë se Serbia, për shembull?

Pieter Feith: Unë e konsideroj Albin Kurtin mik dhe një lider shumë kompentent të vendit të tij. Prandaj shpresoj se ai nuk do ta marr për të keq kur them këto gjëra. Këtë po e them si mik i Kosovës dhe si mik i qeverisë aktuale. Nuk jam i sigurt nëse mund të konkludoja në këtë fazë që Serbia është gati të nisë agresion ndaj Kosovës. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, NATO, KFOR, Bashkimi Evropian, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, kanë informatat e tyre të shkëlqyeshme dhe jam i sigurt se vlerësimi i tyre nuk shkon menjëherë në drejtim të luftës. Pra, le të distancohemi nga dita e kijametit dhe le të përqendrohemi në rezultatet pozitive.

RTV21: Ju po i bëni thirrje Prishtinës dhe Beogradit për dialog. Por a më thoni: cili është kuptimi i tij në formatin dhe qasjen aktuale, pas zhvillimeve në veri? A nuk duhet fillimisht të vendoset siguria dhe pastaj të ecet drejt negociatave?

Pieter Feith: Jo, mendoj se nuk ka arsye pse dialogu politik nuk mund të rifillojë menjëherë. Nuk mendoj se duhet të presim për një kohë të gjatë derisa të gjithë ushtria të ridislokohet dhe Veriu të ketë filluar të jetë i qëndrueshëm. Mendoj se të dy proceset mund të shkojnë shumë mirë paralelisht. Pra, ne nuk duhet, e përsëris dhe dua të jem shumë i qartë për këtë, nuk duhet të mendojmë për konfrontim ushtarak. Ne duhet të vazhdojmë të mendojmë për vullnetin politik për të ecur drejt pajtimit. Mendoj se është shumë e rëndësishme dhe ky është sigurisht mesazhi të cilin ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian po i japin përfaqësuesit të lartë Borrell dhe ambasadorit Lajçak. Mendoj se këta dy zotërinj janë të hapur dhe të gatshëm në çdo kohë gjatë ditës, gjatë natës për të pranuar liderët e Beogradit dhe Prishtinës dhe për të diskutuar për thelbin që është zbatimi i marrëveshjes së marsit të këtij viti: krijimi i një lloj të auonomie komunale për komunitetin serb dhe si një hap reciprok pranimi, në veçanti pranimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Kombet e Bashkuara.

RTV21: Z. Feith ju po përmendni dy lehtësuesit z. Lajçak dhe z. Borrell. Por në Prishtinë ka një mosbesim ndaj të dyve, pas shumë muajsh dhe Prishtina nuk është shumë e gatshme për të diskutuar çështjet drejtpërdrejt me ta.

Pieter Feith: Më vjen keq që e dëgjoj këtë, vërtet, sepse nuk funksionon kështu.
Z. Borrell, z. Lajçak raportojnë në intervale të rregullta tek Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian dhe ata koordinohen shumë ngushtë me Uashingtonin, me Parisin dhe me Berlinin në veçanti. Pra, nëse ka një supozim që këta dy udhëheqës, Borrell dhe Lajçak, nuk janë të njëtrajtshëm ose nuk janë të paanshëm, atëherë kjo është një akuzë kundër të gjithë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Unë mendoj se do të ishte fantazi të mendosh në ato terma. Kjo është më e mira që mund të ofrojë Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian është shtuar tani, siç thashë, për 12-13 vjet. Unë kam qenë pjesë e tij në fillim deri në vitin 2012. Kishte edhe kritika ndaj asaj që kam bërë. Të jesh ndërmjetës nuk është e lehtë, por për të shkuar pak më tej të jesh ndërmjetës kur të dy palët nuk kanë vullnet politik për të ecur përpara është tmerrësisht frustruese.

RTV21: z. Feith, më thoni: ka një frikë në Kosovë nga Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, po aq sa ka frikë në Beograd nga njohja, edhe de facto e Kosovës, Dhe gjithë kjo ndryshoi gjithë rrjedhën muajt e fundit. Si e arrinë BE-ja balansin ndërmjet këtyre dy elementeve fundamentale për të dy palët?

Pieter Feith: E keni thënë drejt. Këto janë çështjet kryesore në tavolinë. Dhe ndërsa flasim, jemi tani në kontekstin e dezinformatës, të hiperbolës dhe narrativës nacionaliste. Pra, përveç, të themi, dhjetë apo 15 vjet më parë, klima po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Dhe kjo më jep Forcë që vërtetë ta përsëris atë që thash, se është më mirë të arrihet një marrëveshje tani dhe mos të pritet për më shumë vjet të tjera. Kështu që unë mendoj se Asociacioni duhet të krijohet sipas ligjeve të Kosovës dhe duhet të jetë një mëkanizëm, që mendoj se tashmë është parashikuar për apelim dhe për ndërhyrje, ndërmjetësim nga Bashkimi Evropian. në rast se ka ankesa për zbatimin e projektit të themelimit të Asociacinoit. Mendoj se kjo do të jepte garanci të mjaftueshme për Kosovën për të siguruar se ky projekt nuk po çon në përpjekjet për të rrënuar gjithë projektin e pavarësisë së Kosovës. Po kështu edhe në Serbi, Presidenti Vuçiq do të duhet të bindë bashkatdhetarët e tij se normalizimi mund të mos nënkuptojë domosdoshmërisht njohje, por sigurisht që do të nënkuptojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vetëm në ato kushte Kosova dhe Serbia mun dtë bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Siç qëndrojnë gjërat tani kam frikë se jo, nuk mund të kualifikohen si të tilla. Është e qartë nga letrat që qarkullojnë tani për zgjerimin e Bashkimit Evropian se ka kushte të bashkangjitura për pranimin e vendeve të Ballkanit, sidomos ato që kanë konflikte territoriale, në territoret e tyre.

RTV21: Dhe z. Feith më lejoni t’ju pyes: ju vërtetë e besoni se të dy lideët do të gjejnë kurajon për të ecur përpara, siç e përshkruani?

Pieter Feith: Mendoj se ata do të duhet. Dua të them, është parë në histori që ka pasur guximtarë, liderë politikë, të cilët duhej të merrnin shumë më tepër hapa ekzistencial për vendet e tyre për të çliruar veten nga kufizimet e së kaluarës dhe për të ecur përpara drejt një të ardhmeje më të mirë. Nuk do t’ju jap një mësim historie, por mënyra se si presidenti De Gaul, për shembull, përmendi se si të zgjidhë problemin e pavarësisë së Algjerisë ishte edhe një shembull në fjalë. Dhe kështu udhëheqja e vërtetë do të thotë guxim dhe do të thotë të marrësh kthesën e duhur në histori. Dhe unë mendoj se të dy liderët do të duhet ta pranojnë këtë.