UBT

Politika e kontaminoi drejtësinë

/ 9 minuta lexim
RCCOLA

Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë, ekspertët dhe analistët, duke e vlerësuar sistemin e dobët të drejtësisë kosovare, konsiderojnë se këtë sistem e kanë “nokautuar” e nënshtruar politikanët mafiozë, prandaj derisa këta të lejohen të jetojnë e lëvizin lirshëm të jenë në institucione dhe të lidhur me politikën nuk ka kurrfarë shprese për ndëshkim të mafiozëve, pasi gjyqtarët e prokurorët dirigjohen si me telekomandë nga pushteti i inkriminuar dhe nëntoka kriminale.

Aliu: Të përjashtohen të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë dhe policë hetues, që u japin llogari vetëm mafio-politikës dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar

“Shtetin demokratik apo më saktë atë pseudodemokratik në Kosovë e sundon jodemokracia dhe nuk e qeveris ligji, por antiligji dhe urdhri verbal i politikës dhe i pushtetit, drejtësinë e jep politika dhe ashtu sikurse edhe vendimet politike të Parlamentit. Vendimet qeveritare, qendrore e lokale, të cilat merren realisht jashtë institucioneve dhe institucionet vetëm sa i normalizojnë ato me vulën e institucionit dhe me firmën e vulëmbajtësve të institucioneve, po ashtu edhe vendimet gjyqësore merren nga urdhra, telefonata dhe nga drekat e darkat jashtë godinave të drejtësisë, ku paravendos për to interesi politik, klientelizmi, nepotizmi, ryshfeti e korrupsioni”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë, ekspertët dhe analistët, duke e vlerësuar sistemin e dobët të drejtësisë kosovare, konsiderojnë se këtë sistem e kanë “nokautuar” e nënshtruar politikanët mafiozë, prandaj derisa këta të lejohen të jetojnë e lëvizin lirshëm të jenë në institucione dhe të lidhur me politikën nuk ka kurrfarë shprese për ndëshkim të mafiozëve, pasi gjyqtarët e prokurorët dirigjohen si me telekomandë nga pushteti i inkriminuar dhe nëntoka kriminale.

Në këtë gjendje ekzistuese, derisa nuk kemi pastrim të skenës politike dhe institucioneve të drejtësisë edhe Gjyqësori nuk mund të ecë para, sepse mungon llogaridhënia e mirëfilltë brenda tij dhe e vetmja llogaridhënie ekziston vetëm ndaj mafio- politikës dhe grupeve të caktuara të interesit mafioz, thonë analistët.

KAPITI: VENDIMET GJYQËSORE MERREN NGA URDHRA, TELEFONATA DHE NGA DREKAT E DARKAT JASHTË GODINAVE TË DREJTËSISË
Njohësi i kësaj fushe, eksperti Skënder Kapiti, tha për “Kosova Sot” se nuk ka ndryshim ndërmjet sistemit diktatorial monopartiak dhe atij demokratik pluralist në qoftë se drejtësia është politike, që do të thotë se: nëse politika në demokraci kap, qeveris dhe e sundon drejtësinë, atëherë në atë shtet, si p.sh. në Shqipëri e në Kosovë, instalohet, siç është realisht e instaluar, mafio- oligarkia politiko-juridike, autokracia, e cila nuk ka ndryshim nga diktatura, por madje kur mafio- oligarkia kap demokracinë, atëherë aty sundon akoma më e keqja, anarkia, ligji i më të fortëve ,apo ai që quhet sundim i ligjit të xhunglës. Sipas Kapitit, shtetin demokratik apo më saktë atë pseudodemokratik në Kosovë e sundon jodemokracia dhe nuk e qeveris ligji, por antiligji dhe urdhri verbal i politikës dhe i pushtetit, drejtësinë e jep politika, dhe ashtu sikurse edhe vendimet politike të Parlamentit.”Vendimet qeveritare qendrore e vendore, të cilat merren realisht jashtë institucioneve dhe institucionet vetëm sa i normalizojnë ato me vulën e institucionit dhe me firmën e vulëmbajtësve të institucioneve, po ashtu edhe vendimet gjyqësore merren nga urdhra, telefonata dhe nga drekat e darkat jashtë godinave të drejtësisë ku paravendos për to interesi politik, klientelizmi, nepotizmi, ryshfeti e korrupsioni”, potencoi Kapiti. “Ky sistem funksionon si një sistem korrupsioni, ku të tëra hallkat e tij bashkëpunojnë dhe mirë-kooperojnë duke spekuluar rëndë me pushtetin, me autoritetin, me ligjin, me drejtësinë dhe me vjedhjen e korrupsionin. Prandaj, duhet miratuar një ligj VETTING, i cili, duke u monitoruar dhe duke drejtuar nga ndërkombëtarët, nga SHBA-ja kryesisht”, tha eksperti i kësaj fushe Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

Uji Dea

Osmani: Thelbi i pakënaqësisë së qytetarëve, kapja dhe abuzimi me sistemin e drejtësisë
Këtë opsion të vënies së drejtësisë në binarët e shëndoshë e sheh si të vetmen zgjidhje edhe analisti Azem Osmani. Ai ka pohuar se sa herë që rastis të bisedojë me qytetarë, thelbi i pakënaqësisë së tyre është vazhdimisht kapja dhe abuzimi me sistemin e drejtësisë, për çka shtrohen shumë pyetje dhe mbeten pa përgjigje për këtë realitet të zymtë.”Pyetja mbizotëruese lidhet gjithmonë me shpresën e gjetjes të një zgjidhjeje për zhveshjen e këtij sistemi nga ndikimi i politikës dhe i oligarkëve. Sado që njeriu provon të gjejë një rrugë politike a juridike në kuadër të kornizës së kësaj kolonie politike përmes analizave individuale, është vërtet e vështirë ta bindësh veten, e pastaj edhe të tjerët, për një zgjidhje fatlume. Kur i vargëzon nëpërmes një filtri të mprehtë zhvillimet 20-vjeçare të institucioneve të shtetit, por edhe zhvillimet e brendshme të pjesës dërmuese të partive politike, arrin tek një përfundim, emërues i përbashkët i të cilit është mentaliteti tribal që është koherent me mentalitetin e shoqërisë sonë në sensin e mendimit dhe veprimit politik. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se mungojnë mendjet e ndritura në këtë shoqëri, në këto parti e në këto institucione. Nuk mungojnë zërat që e plasojnë guximshëm të vërtetën apo përpjekjet e tyre për veprime të drejta. Kjo shtresë e bardhë, shtresë që bart me vete autoritetin moral nga grupe të caktuara të shoqërisë, është shkëndija e vetme e shpresës, e cila dita- ditës po rritet e fuqizohet”, u shpreh ai. Sipas Osmanit, një ditë jo fortë të largët, njerëzit e kësaj shtrese do t’i kemi në krye të institucioneve e në krye të partive politike.

KELMENDI: DREJTËSIA E TRAFIKUAR VENDOSET KRYESISHT NGA PAZARET KRIMINALE
Sipas analistit politik dhe publicistit Naim Kelmendi, për kaq vite në Kosovën e pasluftës, jashtë çdo standardi po vazhdon që drejtësia e padrejtë dhe e trafikuar të vendoset kryesisht nga pazaret kriminale interferuese, ndikuese dhe sekserët e mafio-oligarkëve politikë dhe të mafio-oligarkëve të bizneseve të kriminalizuara, që shëtisin lirshëm nëpër këto institucione të drejtësisë dhe bëjnë korruptimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.”I gjithë ky rrjet i krimit të organizuar vepron edhe në drejtësi dhe që në fakt edhe në baza ditore bëjnë krimin e organizuar, duke u infiltruar edhe nëpër prokuroritë dhe nëpër gjykatat e të gjitha niveleve. Tani, kur e shtrojmë pyetjen se deri kur do e kemi këtë gjendje, dhe nëse ka shpresë që kjo të ndryshohet për të mirë, përgjigjja gjithsesi është jo optimiste, sepse ashiqare po vërehet që në Qeveri, që është institucioni kryesor i sponsorizimit, ‘prodhimit’ të ligjeve, po vonohet qëllimshëm dhe nuk po procedohet për miratim, as në Qeveri e as në Kuvend, Ligji i dekriminalizimit dhe Ligji i Vetting-ut”, u shpreh ai. “Sikur që po duket, drejtësia kosovare po vazhdon të humbë në kohë dhe të çalojë shumë në hapa, në raport me shtetet e tjera në fqinjësi, për të instaluar një sistem të pavarur dhe të pastër të së drejtës, të pandikuar nga politika dhe nga rrjetet e oligarkisë kriminale. Pra, drejtësia po vazhdon të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale të shtetit”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

PASOJAT E RËNDA
“Fatkeqësisht, kur është fjala tek shërimi i mendësisë së degraduar politike, gati 20 vjet me radhë, i një grupi jo fort të vogël shoqëror, do të nevojitet ndoshta më shumë se një dhjetëvjetësh për ta arritur rezultatin pozitiv”, tha analisti Azem Osmani për “Kosova Sot”.

“Nokautimi” i drejtësisë
Edhe analisti Bislim Aliu ka pohuar se nuk ka asnjë dyshim që me të vërtetë mafiozët tanë politikë e kanë “nokautuar” dhe nënshtruar tërësisht drejtësinë. “Dhe, për këtë, fare nuk ka shpresë për ndëshkimin e mafiozëve, pasi gjyqtarët e prokurorët dirigjohen si me telekomandë nga pushteti i inkriminuar dhe nëntoka kriminale. Ndaj, Gjyqësori nuk mund të ecë asnjëherë para, meqë mungon llogaridhënia e mirëfilltë brenda tij, dhe e vetmja llogaridhënie ekziston, ndaj mafio-politikës dhe grupeve të caktuara të interesit mafioz”, theksoi ai. “Andaj, që të ketë vërtet llogaridhënie në Gjyqësor, në Prokurori dhe në Polici hetuese, duhet që të ndëshkohen e të penalizohen, madje edhe të përjashtohen të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë dhe policë hetues, që i japin llogari vetëm mafio-politikës dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar”, potencoi më tej Aliu. “Paraprakisht duhet që edhe mekanizmat përkatës, që i marrin në përgjegjësi gjykatësit për veprimet e tyre, duhet të spastrohen nga ndikimet politike dhe të mafio-oligarkëve”, ka pohuar Bislimi për “Kosova Sot”. Sipas tij, në këtë drejtim duhet ndërmarrë masa urgjentisht edhe për pastrimin e Policisë, të Prokurorisë dhe të Gjyqësorit, pasi, nëse njëri institucion çalon, do të kemi çalim të tërë sistemit të drejtësisë, që ende nuk funksionon.

(Kosova Sot)