Politika e kalbur, armike e reformës, e bllokoi VETTING-un

/ 13 minuta lexim
Uji Dea

Edhe ky vit humbi pa nxjerrë në bankën e të akuzuarve “peshqit e mëdhenj”, të cilët kanë bërë skandale e hajni, por askush nuk i prek derisa të shkapet drejtësia nga kapja e ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të politikes të lidhur me mafio-oligarkët e tejkriminalizuar të mafio-bizneseve kriminale.

Kapiti: Edhe në 2018-ën krimi i organizuar, krimi ligjor dhe ai i korrupsionit e sfiduan drejtësinë

“Klasa politike kosovare edhe më tutje, qoftë pozitë e opozitë, është kaq indiferente ndaj reformës në drejtësi përmes ligjit të Vetting-ut dhe pastrimit të politikanëve në institucionet e shtetit përmes ligjit të dekriminalizimit. Politikanët kosovarë nuk janë të vetëdijshëm se ata vetë janë bërë pengesë e proceseve demokratike dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend. Për reformat në drejtësi, as opozita nuk e zë në gojë reformën në drejtësi, në fakt kjo opozitë e sotme, nëse nuk është e inkriminuar, atëherë ajo do të duhej të kërkojë me ngulm që të debatohet në Kuvend për ligjet e lartpërmendura, pas të cilave do ta kishim të hapur rrugën e integrimeve evropiane”, u shpreh analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot.

Edhe ky vit humbi pa nxjerrë në bankën e të akuzuarve “peshqit e mëdhenj”, të cilët kanë bërë skandale e hajni, por askush nuk i prek derisa të shkapet drejtësia nga kapja e ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të politikes të lidhur me mafio-oligarkët e tejkriminalizuar të mafio-bizneseve kriminale.

Sipas analistëve, është futur thellë krimi i organizuar dhe mafia në të tri pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit: në ekzekutiv, në legjislativ, në presidencë, në gjyqësor, në prokurori, në polici, në avokati, ndërsa dështoi qëllimshëm reforma në drejtësi dhe procesi i Vetting-ut, dekriminalizimi i politikës dhe pushtetit, hapja e dosjeve dhe ligji antimafia. Analistët pyesin se deri kur drejtësia e padrejtë dhe e trafikuar do të vendoset kryesisht nga pazaret kriminale interferuese e ndikuese dhe sekserët e mafio-oligarkëve politikë dhe të mafio-oligarkëve të bizneseve të kriminalizuara që shëtisin lirshëm nëpër këto institucione të drejtësisë dhe bëjnë korruptimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtësi , dhe që në fakt edhe në baza ditore bëjnë krimin e organizuar nëpër prokuroritë dhe nëpër gjykatat e faktit në Kosovë.

Pushtetet e varura, reforma u kamuflua

Prof. Riza Smaka u shpreh në radhë te pare,organizimi inadekuat i gjykatave dhe prokurorive është një nga shkaqet që prodhojnë pasoja negative. “Po ashtu, defektet në rezultate problematike të punës së institucioneve të judikaturës në masë të madhe konsistojnë edhe në prodhimin masiv e të paprofilizuar të juristëve si dhe rekrutimit të të njëjtëve në insuficiencë të atij postulati Edhe qartësia e shumë akteve ligjore është problematike. Gjatë funksionimit të institucioneve gjyqësore, prokuroriale si dhe të administratës publike, aplikohen pa krijim paraprak dhe përfillje parimore të praktikave dhe precedentëve juridikë të rasteve juridike përkatëse”, u shpreh ai. “Në anën tjetër, kërkohet që të sanksionohet rigorozisht interferenca e ekzekutivit si dhe e legjislativit në punët e sistemit të drejtësisë duke stipuluar norma juridike – penale për rastet e tilla. Pos të tjerave nevojitet që të rregullohet juridikisht relacioni reciprok i të tri pushteteve, ashtu që të precizohen vijat e ndarjeve funksionale, por edhe të ndërkontrollimeve të të njëjtave. Askund postulati “Checs and Balances” as nuk mendohet, as nuk praktikohet si ndarje absolute e tyre, por si ndarje, por edhe si kontrollim reciprok i tyre”, potencoi Smaka.

Ndërsa, Skënder Musa avokat, shprehet se Vetting-u është i domosdoshëm në Republikën e Kosovës dhe jo opsionet tjera me të cilat përpiqen ta kamuflojnë reformën. “Reformat e thella në aspektin e pastërtisë së figurës apo personit zyrtar, performancën profesionale e që duhet të përfshijë aftësitë profesionale dhe guximin profesional për të marrë vendime edhe për figurat e larta politike qofshin ministra, kryeministra apo president, varësisht nga provat, dhe hetimi i pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, për aktorët e drejtësisë është në interes të vendit dhe qytetarëve tanë dhe këtë nuk duhet ta lidhim me as një kriter të BE-së”, u shpreh ai. “Pa dyshim që është humbje kohe çdo përpjekje që përmes ndryshimeve të ligjeve të shmanget reforma e tipit të Vetting-ut. Ligjet në Kosovë janë të harmonizuara me vendet e BE-së dhe vendet e tjera ku vepron shteti i së drejtës, por janë të pakt ata zyrtarë që i zbatojnë drejt dhe në mënyrë meritore. Nuk duhet harruar një fakt se në Kosovë ka hetues, prokuror dhe gjyqtar shumë të mirë, në aspektin profesional, që kanë guxim profesional për të marrë vendime të natyrave të rënda dhe të pa korruptuar, por që puna e tyre nuk vlerësohet dhe nuk kanë mbështetje nga institucionet përkatëse”, vijoi më tej Musa. “Në një vend ku dështon drejtësia, dështon komplet shoqëria, sepse pa prokurori dhe gjyqësi efikase nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka arsim adekuat, nuk ka drejtësi sociale dhe zhvillohet nepotizmi, korrupsioni, dhe individët shndërrohet në persona të paprekshëm dhe më të fortë se shteti. Po shihet qartë se nuk ka vullnet për reforma e Vetting-ut nga Qeveria dhe Kuvendi, dhe po ka përpjekje që verifikimin me rastin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të konsiderohet si Vetting”, ka theksuar ai.

AHMETI: NË SISTEMIN E DREJTËSISË KA VETËM RETORIKË BOSHE TË POLITIKANËVE KARRIERISTË E TË KORRUPTUAR

Analisti Hidajet Ahmeti thotë se në politikën kosovare logjika politike është transformuar në makiavelizëm politik “qëllimi arsyeton mjetin”, ku vlerat morale nuk kanë vend në politikën kosovare, dhe çka do që vepron politikani për ruajtjen, mbajtjen dhe fitimin e pushtetit është “legjitime”. “Kjo logjikë politike ka ngulfatur jetën institucionale, politike, ekonomike e sociale dhe ka sjellë vendin në një “vdekje klinike”. Balancimi i pushteteve ka mbetur vetëm në letër, kurse pushteti autoritar është fuqizuar përmes kontrollit të institucioneve publike, jo për të mirën publike, por në interesa të ngushta politike e klienteliste. Në këtë transformim është katandisur edhe sistemi i drejtësisë, i cili në vend të vërë drejtësinë në binarë të duhur e të ndaj të drejtën në mënyrë të barabartë, ky sistem ka transformuar mandatin kushtetues e ligjor në shërbim të njerëzve të fuqishëm të politikës. Reformat substanciale në sistemin e drejtësisë kanë mbetur vetëm retorikë boshe e politikanëve karrieristë e të korruptuar, pasi më shumë po u duhet për konsum të brendshëm, por edhe karshi ndërkombëtarëve se sa për ndryshime të domosdoshme që i duhen drejtësisë. Nuk mund të gjeneralizojmë problemin, pasi në sistemin e drejtësisë dhe hallkat e saj institucionale ka njerëz profesionistë e me integritet të lartë moral, por hallka zinxhirore menaxhuse është e kapur nga politika dhe pa shkapjen nga kjo e fundit ” reforma substanciale” në sistemin e drejtësisë do të mbetet retorikë politike”, u shpreh ai.

Uji Dea

KELMENDI: ORGANET E SIGURISË, TË INKRIMINUARA

Analisti Muhamet Kelmendi thekson se janë dy struktura të inkorporuara në polici, në prokurori dhe në gjykata, të cilat janë shumë të dëmshme dhe tepër të rrezikshme. “Ato janë: 1. Struktura e ish-shërbëtorëve të regjimit kriminal serb dhe 2. Veglat e inkorporuara nga politika dhe mafia ekonomike e Kosovës në këto organe. Të dy këto grupe të njerëzve duhet shumë shpejt me i nxjerrë nga policia. Nga prokuroria dhe nga gjykatat. Në këto organe kërkohen të vendosen njerëz të kualifikuar, të përgatitur për punë. E kjo arrihet vetëm me spastrim të gjerë të këtyre organeve nga këta njerëz”, u shpreh ai. Më tej ai flet për Gjykatën Speciale, e cila, sipas tij, nuk është gjykate që ndikon në sistemin juridik në Kosovë. “Ajo është e karakterit njënacional, prej nga UE ua kënaqi orekset shovinistëve të Beogradit, në kohën kur kriminelët shëtisin lirshëm në Serbi. Ko është jo e drejtë dhe tregon një racizëm të pastër antishqiptar në fushën e tillë”, tha prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi.

KAPITI: SISTEMI I DREJTËSISË, I KAPUR NGA MAFIO-OLIGARKIA DHE KRIMI I ORGANIZUAR

Analisti Skënder Kapiti vlerëson se edhe në 2018-ën krimi i organizuar, krimi ligjor dhe ai i korrupsionit e sfiduan drejtësinë në Kosovë. Sipas tij, viti që po lëmë pas nuk shënoi asnjë përmirësim në fushën e ligjzbatueshmërisë, të sundimit të ligjit dhe as të funksionimit të drejtësisë. “Asnjë rast nuk u konstatua që drejtësia, gjyqësori të hetonte apo të ndëshkonte ndonjë person të lartë të veshur me pushtet për shkeljet, abuzimet, shpërdorimet me detyrën dhe postin e tij. Si rezultat i kësaj gjendjeje të rëndë të sistemit të drejtësisë, të kapur nga mafio-oligarkia dhe krimi i organizuar, i korrupsionit dhe nga ai ordiner, Kosova mbeti në vendnumëro, madje edhe ka lëvizur prapa në mosndërtimin e shtetit ligjor dhe në mosefikasitetin në luftës kundër korrupsionit, ku përfaqësues të diplomacisë evropiane deklaruan se Kosova rrezikon të kthehet në çerdhe e korrupsionit dhe e krimit të organizuar”, u shpreh ai. “Atë rol, të cilin duhet ta luajë opozita politike, drejtësia,media e lirë dhe e pavarur, intelektualizmi i guximshëm, shoqëria civile dhe rinia studentore në Kosovë në përballje me këtë realitet aspak të këndshëm gjatë vitit 2018 e kreu e vetme gazeta “KOSOVA SOT” , e cila është tribuna e vërtetë e mendimit, e shprehjes dhe e gjykimit të lirë në shërbim të lirisë, drejtësisë,demokracisë, patriotizmit, emancipimit , zhvillimit dhe integrimit të Kosovës në BE. Drejtësia është sot kauza, e cila kërkon zgjidhje. Këtë e bën vetëm VETTING-u”, vijoi më tej Kapiti. “Krimi, korrupsioni dhe padrejtësia ishin edhe gjatë vitit 2018 plagët më të rënda për shoqërinë kosovare. Krimi, korrupsioni, hajnia dhe padrejtësia në Kosovë kanë kapur shtetin, drejtësinë, pushtetin, politikën, shoqërinë civile dhe mediat, ku prej tyre gëluan pasoja të rënda sociale, ekonomike, varfëri, papunësi dhe eksod. Korrupsioni dhe mosefikasiteti i luftës kundër tij dhe krimit të organizuar, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe i demokracisë janë shkaqet kryesore që nuk lëvizin lirshëm, pa viza qytetarët e Kosovës as sot”, ka thënë ai.

Sipas tij, VETTING-un këtë kauzë kombëtare nuk i pëlqen dhe nuk e përkrahu as establishmenti aktual politik, as pushteti dhe as drejtësia sot, sepse ata identifikohen me korrupsionin, hajninë dhe me kriminalizimin. “Ata janë autorët që në Kosovë nuk funksionon as ligji, as shteti dhe as demokracia. Ata janë shkaktarët e papunësisë, varfërisë dhe të mosintegrimit.. Prandaj i takon Rinisë Studentore që ta përqafojë kauzën e drejtë të VETTING-ut, si kauza më se e nevojshme dhe e domosdoshme, si jetike për Kosovën, i cili do ta pastronte drejtësinë, do ta dekriminalizonte politikën , do ta çmontonte korrupsionin nga sistemi duke e vënë në funksionim ligjin, shtetin, shoqërinë dhe demokracinë. Pra, VETTING-u duhet të jetë kauza, e cila duhet të dominojë vitin 2019 dhe ta determinojë pa kushte politikën kosovare që ta miratojë atë.

Gazeta “KOSOVA SOT” është pothuajse e vetmja gazetë, e cila nuk është infektuar dhe as blerë nga politika, as nga pushteti, por është një media në shërbim dhe në mbrojtje të të vërtetave dhe të interesit të publikut dhe të atij kombëtar kundër korrupsionit, krimit dhe të këqijave të tjera demokratike, politike, juridike dhe kombëtare. “KOSOVA SOT” është fakti se ajo si “pena e lirisë dhe e së vërtetës”ka qenë në sinkron edhe me aleatin strategjik të shqiptareve , me SHBA-në ,ku gjithnjë kjo gazete iu ka referuar asaj se: Kosovës i duhet një VETTING ashtu sikurse u veprua në Shqipëri me këmbënguljen e SHBA-së”, theksoi Kapiti.

KELMENDI: GJYQTARËT DHE PROKURORËT KANË LIDHJE ME KRIMIN

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi vlerëson se edhe më tutje politika vazhdon të mbetet e lidhur me mafio-oligarkët që po bëjnë krimin e organizuar në Kosovë ,duke qenë kështu si armiku më i madh që realisht po kërcënon e shkatërron gjyqësorin, respektivisht cilësinë e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes interferimit e ndikimit direkt në sistemin e drejtësisë do të duhej të zëvendësohen sa më parë të korruptuarit dhe të paaftët e këtij sistemi në KGJK dhe KPK me njerëz me integritet moral, etik dhe nivel të lartë profesional. “Siç dihet, dukuria më e përhapur dhe më e dëmshme e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë ka qenë dhe është kalbja morale e tyre, derisa kjo sëmundje ka prekur rëndë edhe pushtetarët tanë të lidhur me krimin e gjyqësorin. Pra, do të duhej që të verifikohej sa më parë e në hollësi përmes vetëpastrimit ligjor të VETTING-ut figura e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët i kanë “lidhjet” e tyre me botën e krimit dhe të politikës së lartë të inkriminuar, dhe kanë bërë pasuri të pajustifikueshme përrallore. Siç po duket, në institucionet e drejtësisë kosovare nuk ka njerëz të cilët do të kishin guximin të mos ndikoheshin nga politika dhe nëntoka kriminale dhe të bënin një përzgjedhje të duhur të personave profesionistë, të pakorruptuar e me etike e integritet profesional për sistemin e drejtësisë. Vetëm VETTING-u është i detyrueshëm dhe i pashmangshëm për drejtësinë kosovare ,dhe pse ky proces duhet të bëhet nga profesionistë ndërkombëtarë, e kurrsesi nga njerëz të sistemit të kalbur brenda në drejtësi dhe jashtë saj në politikën e inkriminuar. Vetëm me staf ndërkombëtar, siç është FBI-ja amerikane ,të angazhuar enkas për këtë proces do të zbardheshin pasuritë milionëshe të paraqitura e shumë të tjera të padeklaruara të gjyqtarëve dhe prokurorëve e politikanëve, mafio-oligarkëve të lidhur me ta. Sot janë prokurorët ata dhe gjithashtu pa përjashtuar këtu gjyqtarët krahas politikanëve, shtresa më e pasur, te cilët po trafikojnë pandalshëm drejtësinë kosovare, e cila në fakt si drejtësi e plotë nuk ekziston”, potencoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)