RCCOLA

Poezi në shërbim të së mirës

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Hysen Këqiku – Të shkruash, qoftë vepra letrare, qoftë shkencore, nuk është pa përgjegjësi, sepse në këtë kohë janë bërë hapa të rinjë drejt një arti poetik me frymë të re demokratike prandaj krijuesi, në ecjen e tij (sot) has në krijime të llojeve të ndryshme, ku krahas ndryshimeve të avancuara ndeshemi edhe në devijime të shumta si në veprimtari letrare poashtu edhe në ato shkencore, qoftë individuale, qoftë grupore bile, për fat të keq edhe në ato shtetërore.

Në këto rrëmuja, njeriu nuk e ka lehtë të adaptohet përkatësisht të akomodohet e të mos reflektojë, kreativitet ose edhe luftë kundër devijimeve të llojeve të ndryshme, në këtë shoqërinë tonë multikulturore dhe multipartiake.

Ç`asjen në këtë mbështjellje marramendëse, sipas mendimit të shumë kritikëve, më së lehti e kanë krijuesit letrarë sepse atyre nuk u duhen as data as të dhëna të tjera kalendarike ngase ata, me anën e figurave, i lavdërojnë, luftojnë ose i hymnizojnë dukuritë që shfaqen në jetën tonë të përditshme, në një anë dhe në anën tjetër veprimet që po na ngulfasin në shumë rrethe tona vepruese.

Libri “Shtrëngoma dorën si gjyshja nënë”, me të cilin Nazmije Xhaferi-Hasani po del para lexuesve, spikat një mori të gjerë krijimesh kreative, të cilat me sinqeritetin e vënë në letër kapin tema dhe preokupime gjithandej relievit tonë krijues, duke u përqendruar edhe në realitetin e përditshëm jetësor, me çka dhe si ballafaqohemi me realitetin objektiv, gjithmonë duke e stolisur me imagjinatën krijuese.

Këtë përmbledhje poezish, autorja e ndanë në tre cikle, të cilat kanë një dallim jo aq shumë të theksuar, prandaj këtë ndarje e ka bërë më tepër për hirë të ndonjë intermecoje që vlenë për lexuesin:
1.”Zemra e gjyshes shëron plagë”,
2. “Legjendë e gjallë e atdheut” dhe
3. “Larushi motivesh”
Përndryshe librin e përshkon një zell, një dashuri, një përkushtim, një ngrohtësi e prehërit të rrethit të ngushtë familjar e veçmas të nënës e gjyshes.
Libri në fjalë, pos tjerash, në vete ngërthen veprimtarinë edukative të vet autores, e cila në përvojën e saj të gjatë si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, është ballafaquar, me një ç`asje pedagogjike dhe psikike “ashpër e butë” me veprimet e lloj-llojshme në përvojën pedagogjike dhe arsimore në shkollat tona, gjatë ndërrimit të sistemeve shoqërore, ideologjike, metodologjike e forma të tjera, për të cilat autorja në një formë reflektuese i ka paraqitur me vargje e figura të ndryshme edhe metaforikisht.
Kur i lexojmë vargjet e poezive të kësaj përmbledhjeje, shohim se Nazmije Xhaferi – Hasani, ka nxjerr motive të ndryshme inspiruese, kudo; në shkollë, në rrugë, në veprimtari jetësore si dhe në shtëpi, njëherë si nënë e më pastaj si gjyshe, e shkëlqyeshme duke lënë mbresa, të pashlyera në memorien e nipave e mbesave gjatë gjithë rritës së tyre.

Ajo në poezitë e saja e mbase edhe në jetë na del një gjyshe – nënëmadhe- e përkushtuar që di të ledhatojë “mjaltin e mjaltit” jo vetëm me duar por edhe me gjuhën poetike.
Duke marrë parasysh didaktikën e përhershme në veprimtarinë arsimore të autores, ndikimi i saj hetohet aty këtu por në përmasa lejuese, kurrë tepruese sepse poetja nuk ka dashur që edhe në poezi fëmijët të ngarkohen me porosi didaskalike, të cilat do ta bënin poezinë të dhunshme e pa shpirt lirik.

Mobi Casa

Fëmijët në poezinë e Nazmijes i gjen kudo në vende që fëmijët i preferojnë, në këndet që imagjinata e tyre i heton dhe i begaton me dashuri aq të madhe, me ngrohtësi, dhe përkëdhelje të ëmbla kurrë pa ua shtrënguar duart me forcën që fëmijët as nuk e duan as nuk e meritojnë.

Jo rastësisht Gëteja thotë: “Vetëm më e mira deri diku është e mirë për fëmijë”. Prehëri i gjyshes, fjala e gjyshes, këshillat e saj dhe zemërbutësia, jo vetëm që i kënaq por është ushqimi më i mirë për rritën e tyre.

Fëmiju nuk i do vendet ku nuk ka dashuri.
Kë thërrasin fëmijët për t’u afruar dashuri pos prindërit, gjyshen dhe rrethin e gjerë familjar:
“Gjyshe, ku je?
Gjyshe, kur po vjen?
Gjyshe, je plot shend!
E zemra nga kënaqësia
Fare nuk zë vend”.
(“Universit tim”, faqe 9)
As ndikimi libresk nuk është i theksuar aq sa për t’ia zbehur bukurinë e shprehjes së lirë të asaj që na e afron intuita.

Poezia e Nazmijes është univerzale. Atë mund ta lexojnë edhe fëmijët, edhe të rinjtë po pse jo edhe të rriturit.
Rreziku për t’u ndikuar nga didaskalizma si dhe nga ndikimi libresk, përkatësisht i librave të leximit, është eliminuar që në ciklin e parë.

Në ciklin vijues “Legjendë e gjallë e atdheut”, dominon forca shpirtërore krijuese e autores dhe admirimin që ajo ka për të gjithë ata që luftuan për çmimin më të shtrenjtë, li r i n ë që duhet ta gëzojnë të gjithë popujt në vendin e tyre të lashtë, të trashëguar nga të parët e tyre. Trimat e “nënëdheut” që luftuan për lirinë tonë, zënë vend meritor në këtë libër. Ata janë ngritur në shkallën më të lartë të vargut poetik, stilistik e artistik. Ata janë ngujuar në recitimin e fëmijut, të riut e të këngës, e cila hiqet në valle popullore gjithandej trojeve tona. Pa luftë, sakrificën për liri, pa përkushtimin sublim për borxhin ndaj atdheut, sot e gjithë ditën nuk do ta kishim ngrohtësinë, bujarinë e të qëndruarit lirshëm në këto troje, në këto plangje e në këto rravgina të lara me lotë, gjak e ndjersë.
“Aty çdo gjë
Është e përsosur,
Aty njerëzit janë zemërgjerë
Më bëjnë të ndjej
Ngrohtësinë e votrës,
Ku gjysh e stërgjysh kishin lerë”.
(“Vendlindja ime”, faqe 33)
Motive të shumta patriotike, nota mbrujtëse për të bëmat e heronjëve tanë nëpër kapërcime historike në këtë cikël, gjejmë shumë, veçmas në poezitë “28 Nëntori 2018”, “Ushtrisë sonë”, “ Shkolla”, Legjendarët e nënëdheut, “Flamujt tanë valojnë krenarë” etj.
Autorja në këto poezi ka pasqyruar shpirtin e saj luftarak edhe ndaj armiqve edhe ndaj veprimeve devijante kudo, ku ato paraqiten. Ajo do një shoqëri ideale, të panjollosur e të edukuar në frymën e patriotizmit shqiptar.

Cikli i tretë përmbledh një mori poezish lirike, me gjetje të shumta edhe letrare edhe motivuese për të hulumtuar dhe shijuar të bukurën në artin letrar. Këtu lexuesi e ndien veten të kënaqur në ëndërrimet e poetes për ta gjetur e për ta dhuruar të bukurën që lexuesve u pëlqen. Me një fjalë, libri “Shtrëngoma dorën si gjyshja nënë” është një libër i ri që i shtohet letërsisë shqiptare, një libër edhe praktik nga se do t’u shërbejë mësuesve, edukatorëve, mësimdhënësve etj., për të gjetur poezi motivesh të ndryshme për t’i recituar në programet e ndryshme shkollore, kompozitorëve për komponime të bukura në frymën e përkushtimit artistik gjithmonë në shërbim të së mirës./rajonipress/