UBT

Përurohet romani “Shkolla” prej autorit Halit Haliti nga fshati Kokaj

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Në lokalet e Bibliotekës “Fan S. Noli”, në Gjilan, të shtunën është bërë përurimi i romanit “Shkolla” prej autorit Halit Haliti nga fshati Kokaj. Ishte një përurim mjaft i organizuar, i cili tuboi afër vetës një numër të adhuruesve të ndryshëm të jetës letrare e publicistike. Me këtë rast, Sabit Rrushtemi, udhëheqës i Ars Clubit “Beqir Musliu”, në Gjilan, tha se, sot po përurojmë një vepër pak më ndryshe se veprat tjera, një libër të ri, që, ne si lexues e krijues, duhet të ambientohemi me këto vlera, sepse, autori, kësaj here na vjen me gjininë krejt tjetër të letërsisë, me roman, me titull “Shkolla”.

Siç dihet, libri në fjalë ka ngjarje të shumta që flasin për familjen, vendlindjen e gjyshit të autorit, të cilat ngjarje i ka rrëfyer me përkushtim dhe i ka hedhur në letër. Ky autor është Halit Haliti, nga fshati Kokaj, Malësia e Karadakut. Ky titull “Shkolla”na duket se është i parë që e posedon proza shqipe. Autori iu ka kthyer kujtimeve të hidhura të vendlindjes së tij. Për befasi të këndshme, sot Halit Haliti na vjen me një roman, i cili shpërfaq ëndrrat, kujtimet dhe pjesët e jetës, të cilat kanë qenë të hidhura e të rënda për njeriun e trollit tonë.

Haliti, duke i dëgjuar ato rrëfime në konakun e tij, sikur nuk ka dashur t’i harrojë, por pa hezitim i është kthyer kujtimeve të asaj kohe të hidhur të njerëzve të kësaj ane. Andaj, të gjitha këto ngjarje i ka sublimuar dhe i ka mbarështruar në prozën e tij “Shkolla”, e cila prozë (roman) flet për një jetë të kaluar të popullit të Karadakut.”

Ilmi Rexhepi, redaktor i romanit, tha se ky libër flet për një realitet kohor e letrar, që ndryshe i përket gjinisë së prozës, ku brenda veprës së autorit ka kujtime të pastërta e të rralla të një kohe të përjetuar. Autori nuk i është përmbajtur teorisë së gjinisë letrare. Pra, ai ka dashur t’i përjetësojë të afërmt e tij, duke shkruar për gjyshin dhe për të afërmit tjerë. Ma vonë, këtë brumë e ka kthyer në roman historik, pra në kujtime të drejtpërdrejta që afrohen me ngjarjet e ndonjë kronike letrare. Vlerat tjera estetike duken përmes gjuhës dhe të folmes së asaj kohe. Këtu ka ngjarje të interesante dhe të drejtpërdrejta. Mandej vërehet qartë liria e mendimit dhe e shprehjes. Këtu mbisundon bota e një kohe, e cila është e veçantë me të gjitha kahjet e jetës. Por, aty ka edhe botë njohëse me diskursin fetar”.

Ndërkaq, Nexhat Rexha, poet e studiues nga Dardana tha se, realiteti jetësor dhe shkrimet artistike kanë krijuar ngjashmëri të përafërta për ngjarje e ndodhi, duke krijuar përshtypje në mbështetje të atyre ndodhive dhe kanë bartur e ruajtur të mirat dhe të këqijat e periudhave historike, për të cilat jeta i kultivon ato. “Andaj, në këto hallka kohësh vjen edhe libri me kujtime që mund të quhet lirisht libër autobiografik i Halit Halitit me titull “Shkolla”. Libri ndahet në tri pjesë, të cilat bartin karakteristika të kryeprotagonistëve të veprës. Në pjesën e parë me titull “Kujtime”, autori ka përshkruar pjesë nga tradita e vendlindjes së tij të fshatit Kokaj. Në pjesën e dytë libri ka titullin “Shkolla po ndërtohet”, ku këtu autori ka paraqitur realitetin ëndërrimtar për hapjen e shkollës dhe dëshirën e një njeriu që ka pasur etje e vullnet për të konkretizuar ëndrrën e tij në jetë.

Mobi Casa

Në pjesën e tretë, që ka titullin “Shkolla po hapet”, autori përmenden dy protagonistët, të cilët bartin të gjitha dëshirat për të realizuar projektin e vështirë, njëri si fëmijë që ka përkrahur gjithnjë ndërtuesin e shkollës dhe, tjetri arkitektin, sakrifikues në ngritjen e mureve të shkollës. Pra, ngjarja në libër zhvillohet bashkë me rritjen e një adoleshenti kurioz e kërkues i vazhdueshëm për hapjen e shkollës në vendlindjen e tij në Kokaj dhe babagjyshi i tij.

Me një fjalë, libri mund të quhet libri i kronikave të kohës dhe individit. Në brendësi ka shumë pjesë të rrëfyera për këto treva shqiptare, nëpër të cilat ka kaluar fati i popullatës së këtyre njerëzve të nëpërkëmbur nga pushtuesit. Vepra paraqet aktualitetin e një periudhe historike, ku njerëzit e kësaj ane kanë pësuar rëndë, sidomos në masakrën e Karadakut, ku luftëtarët për liri i quajtën tradhtarë, e ata që masakruan, u thanë çlirimtarë! Kjo është një histori e gjallë e një kohe që nuk harrohet dot…”

Abdylhakin Shaqiri, hoxhë, tha se, autori i veprës shkruan në vetën e parë. “Këtu në vepër është elementi i kohës. Pra, vepra në vete ngërthen një histori me dhembje. Dhe, s’ka vend në Kosovë ku s’ka pasur masakër, si ka ngjarë masakra në Iseukaj të Karadakut jetik të Idrz Seferit. Autorit i uroj shëndet dhe vepra të tjera të këndshme për lexuesit tanë”.

Në fund, Halit Haliti, autor tha se, s’kam çka të shtoj më tepër, sepse, parafolësit e mi, i thanë të gjitha fjalët lidhur me veprën time. “Andaj, jam munduar ta shkruaj një vepër të tillë, sepse njerëzit vijnë e shkojnë, vepra mbetet. Ju shkrues të lapsit, mos e ndalni lapsin dhe shkrimin. Një fjalë e urtë thotë, ai që shkruan në letër, mbetet në vepër. Ju faleminderit të gjithëve!/tefik selimi/rajonipress/