ARKATANA

Toponimia ndërmjet kujtesës historike dhe rrëfimit letrar

/ 20 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Bujar Salihu – Vështrim për librin “Toponimet e vendlindjes sime” të Izeir Hydës, botim i shtëpisë botuese «Faik Konica»

Libri “Toponimet e vendlindjes sime” i Izeir Hydës përbën një kontribut me rëndësi të veçantë për studimin dhe ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore, historike, etnologjike dhe kulturore të Pogragjës. Ndonëse objekti i drejtpërdrejtë i veprës është toponimia e një vendbanimi të caktuar, përmbajtja e saj e tejkalon dukshëm karakterin lokal. Nëpërmjet mbledhjes, sistemimit, përshkrimit dhe interpretimit të emërvendeve, autori rindërton një pjesë të rëndësishme të historisë së banimit, të organizimit shoqëror, të ekonomisë tradicionale dhe të botës shpirtërore të banorëve të kësaj treve.

Toponimet siç e dimë përbëjnë forma të qëndrueshme të kujtesës kolektive. Në emrat e arave, kodrave, gurëve, krojeve, lumenjve, livadheve, mullinjve, urave dhe varreve ruhen gjurmët e jetës së brezave. Aty ku mungojnë dokumentet e shkruara, shpeshherë është emërvendi ai që e ruan dëshminë e së kaluarës dhe e përcjell atë nga një brez te tjetri.

Nga kjo vetëdije buron edhe përkushtimi i prof. Izeir Hydës. Autori e koncepton toponiminë si një lloj gjuhe të tokës, nëpërmjet së cilës hapësira dëshmon për historinë, punën, besimet dhe mënyrën e jetesës së njerëzve që kanë jetuar në të. Ai e kupton se, ndryshimi i mënyrës tradicionale të jetesës dhe ndërprerja e përdorimit të përditshëm të mikrotoponimeve mund të çojnë jo vetëm në zbehjen por edhe, në humbjen e tyre.

Kjo vepër nuk është vetëm rezultat i punës në bibliotekë, ajo mbështetet në njohjen e drejtpërdrejtë të terrenit, në kujtesën personale të autorit, në dëshmitë gojore të banorëve të moshuar dhe në konsultimin e literaturës historike e gjuhësore.

  1. Toponimia si strukturë e kujtesës historike

Lënda e librit është organizuar sipas kategorive tematike dhe gjeografike: emërtime lashtësie, ara, fusha, livadhe, ujëra, kroje, çezma, kodra, male, lugje, gurë, mullinj, ura, varre dhe mjete pune. Kjo strukturë i mundëson lexuesit ta perceptojë Pogragjën jo si një hapësirë të pandryshueshme, por si një organizëm historik, ekonomik dhe shoqëror, i formuar nëpër shekuj.

Në grupin e toponimeve me rëndësi të veçantë historike dhe arkeologjike hyjnë Kalaja, Tuma, Kisha e Çarrme, Podi dhe Podmustahfëzi. Nëpërmjet tyre, autori e lidh hapësirën bashkëkohore të Pogragjës me periudha shumë më të hershme të banimit.

Tuma lidhet me periudhën e hekurit, ndërsa Podi paraqitet si hapësirë me dëshmi të periudhës romake të vonë. Përmendja e stelës sepulkrale me mbishkrim latin, të gjetur në vitin 1981, e vendos toponimin në një kontekst më të gjerë arkeologjik dhe historik. Në këtë mënyrë, emri i vendit bëhet pikënisje për shqyrtimin e vazhdimësisë së jetës në këtë trevë.

Edhe trajtimi i Kishës së Çarrme është domethënës, sepse në të ndërthuren gjurmët materiale, kujtesa e banorëve, transformimi fonetik i emërtimit, sikur që edhe transformimi religjioz dhe përshkrimi i peizazhit.

Një grup tjetër i rëndësishëm përbëhet nga emërtimet e gurëve dhe të formacioneve natyrore, ndër të cilat dallohen Guri i Shybes, Skrepi, Guri i Madh dhe Guri i Qumështit. Këto emërtime paraqiten njëkohësisht si pika orientimi, monumente natyrore dhe bartëse të gojëdhënave e të besimeve popullore. Rasti i Gurit të Qumështit është veçanërisht përfaqësues për mënyrën ndërdisiplinore të trajtimit të lëndës. Autori e lidh emërtimin me veçoritë natyrore të gurit, me ritualet e Shëngjergjit dhe me besimin se gratë që kishin mungesë qumështi mund të përfitonin nga pikat e bardha ose nga pluhuri i tij. Kështu, një toponim i vetëm shpalos të dhëna për natyrën, besimin, ritualin dhe botën e gruas në shoqërinë tradicionale.

Nëpërmjet këtyre shembujve, libri dëshmon se emërvendi nuk është një shenjë e izoluar gjuhësore. Ai mund të jetë një nyjë ku takohen historia, gjeografia, arkeologjia, folklori dhe antropologjia.

2.Emërvende që mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit

Një nga cilësitë më të dallueshme të librit është se shumë prej toponimeve mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit, edhe kur ai nuk është nga Pogragja dhe ndeshet për herë të parë me këtë hapësirë.

Emra si Kalaja, Tuma, Kisha e Çarrme, Guri i Shybes, Skrepi, Guri i Qumështit, Ara Puk, Vneshti, Ogragja, Mrizi, Sonumlisi, Graheca, Përrocka e të tjera kanë një fuqi të veçantë evokuese. Disa prej tyre bartin peshën e lashtësisë, disa lidhen me relievin, ujin dhe bimësinë, ndërsa të tjera ruajnë kujtesën e punës, të pronësisë dhe të mënyrës tradicionale të jetesës.

Këto emërtime nuk mbahen mend vetëm për shkak të tingëllimit të tyre. Ato nguliten në kujtesë sepse autori i vendos në një kontekst të caktuar, ua shpjegon funksionin dhe i shoqëron me të dhëna historike, etnologjike, gjuhësore ose gojëdhënore.

Kalaja dhe Tuma krijojnë menjëherë përfytyrimin e lashtësisë dhe të vazhdimësisë historike. Guri i Shybes dhe Skrepi lidhen me madhështinë dhe ashpërsinë e peizazhit. Guri i Qumështit ndërthur natyrën me besimin dhe ritualin. Vneshti, Ara Puk dhe Mrizi ruajnë kujtesën e bujqësisë, blegtorisë dhe organizimit tradicional të hapësirës. Graheca dhe Përrocka e çojnë lexuesin drejt rrjetit ujor dhe peizazhit natyror të vendbanimit.

Edhe pa i njohur fizikisht këto vende, lexuesi arrin të ndërtojë një hartë të brendshme të Pogragjës. Ai fillon ta perceptojë atë përmes tingullit dhe kuptimit të emërvendeve, përmes gurëve, ujërave, fushave dhe rrënojave që libri i sjell para tij.

Kjo është një nga arritjet e rëndësishme të veprës: toponimet nuk mbeten një inventar emërtimesh, por shndërrohen në pika të një udhëtimi historik, kulturor dhe shpirtëror.

3.Toponimet si dëshmi të jetës ekonomike dhe shoqërore

Një meritë tjetër e rëndësishme e librit është vëmendja që u kushtohet emërtimeve të lidhura me jetën e përditshme. Toponimet e arave, livadheve, ujërave dhe mullinjve ruajnë dëshmi për organizimin ekonomik dhe shoqëror të Pogragjës.

Emërtime si Arat Puk, Vneshti, Arat Binake, Skuta, Limaja dhe Fundija tregojnë mënyrën se si banorët e kanë ndarë, përdorur dhe konceptuar hapësirën bujqësore. Një emërtim mund të lidhet me formën e tokës, me llojin e bimësisë, me pronësinë, me një veprimtari ose me një ngjarje të caktuar.

Në këto mikrotoponime ruhet lidhja më e drejtpërdrejtë e njeriut me tokën. Çdo pjesë e saj ka pasur emrin, funksionin dhe historinë e vet. Për banorin tradicional, emri i një are ose i një livadhi ishte dhe mbetet pjesë e identitetit familjar dhe ekonomik.

Po aq të rëndësishme janë hidronimet dhe emrat e krojeve, çezmave e bunarëve. Vani i Grahecës, Përrocka, Kroni i Hasimes, Kroni i Demës dhe Kroni i Hydës përbëjnë pjesë të një rrjeti të gjerë të kujtesës ujore të Pogragjës.

Emërtimet e çezmave dhe të krojeve që lidhen me familje ose individë dëshmojnë edhe për një kulturë të kontributit publik. Ndërtimi i një burimi uji nuk kishte vetëm funksion praktik; ai e lidhte emrin e ndërtuesit me kujtesën afatgjatë të bashkësisë.

Një kapitull me vlerë të veçantë është ai për mullinjtë. Përveç emrave të tyre, autori dokumenton mënyrën e funksionimit, pjesët përbërëse dhe terminologjinë tradicionale. Në këtë mënyrë, libri bëhet edhe arkiv i një kulture materiale që tashmë është drejt zhdukjes.
Mullinjtë nuk ishin vetëm objekte ekonomike. Ata ishin vende takimi, bashkëpunimi dhe shkëmbimi ndërmjet familjeve dhe vendbanimeve. Me zhdukjen e tyre rrezikonin të humbnin edhe fjalët, teknikat e punës dhe kujtimet e lidhura me ta.

  1. Përpikëria studimore dhe mjeshtëria e rrëfimit

Një cilësi që meriton të theksohet në mënyrë të veçantë është përpikëria me të cilën prof. Izeir Hyda e trajton lëndën. Ai nuk mjaftohet me evidentimin e emërvendit, por shqyrton pozitën, veçoritë natyrore, përdorimin, historinë, variantet gjuhësore dhe kujtesën e lidhur me të.
Kjo përpikëri shfaqet në vëmendjen ndaj hollësisë, në sistemimin e materialit dhe në përpjekjen për ta vendosur çdo toponim brenda një konteksti më të gjerë. Autori lëviz nga terreni te kujtesa gojore, nga dokumenti te shpjegimi gjuhësor dhe nga përshkrimi i natyrës te interpretimi kulturor.

Megjithatë, vepra nuk mbetet e kufizuar vetëm në dimensionin dokumentues. Izeir Hyda ka një dhunti të dallueshme për rrëfimin dhe përshkrimin letrar. Ai di ta paraqesë hapësirën jo vetëm si objekt studimi, por edhe si përvojë të jetuar.

Përshkrimet e autorit janë të hollësishme, në to ndihet afërsia me vendlindjen, njohja e drejtpërdrejtë e terrenit dhe aftësia për t’ia transmetuar lexuesit pamjen dhe atmosferën e vendit. Autori arrin ta vendosë lexuesin përballë një kodre, një guri, një përroi ose një mulliri, sikur edhe ai të ishte duke lëvizur nëpër hapësirën e Pogragjës.

Këtë veçanti të veprës e kishte dalluar me qartësi edhe profesor Sherafedin Kadriu, studiues i historisë dhe i trashëgimisë së Pogragjës, njëherësh redaktor i librit. Në vlerësimin e tij për veprën, Kadriu theksonte: “Izeir Hyda, autori i librit ‘Toponimet e vendlindjes sime’, mikrotoponimet e vjela i shoqëron me një analizë përshkruese, gjuhësore, gramatikore dhe etimologjike në disa raste, në mënyrë që të jenë më të qartësuara për lexuesin.”

  1. Poeti si studiues i emërvendeve

Në vlerësimin e kësaj vepre duhet pasur parasysh edhe një fakt themelor për profilin krijues të autorit: prof. Izeir Hyda, para së gjithash, është poet.

Ndjeshmëria poetike nuk paraqitet në libër si një shtresë e shtuar artificialisht mbi materialin toponomastik, por si pjesë organike e mënyrës së tij të të parit, të të përjetuarit dhe të të interpretuarit të botës. Ajo ndihet në përshkrimin e natyrës, në vëmendjen ndaj tingëllimit të emërvendeve, në përzgjedhjen e hollësive dhe në aftësinë për ta shndërruar një të dhënë vendore në pamje, atmosferë dhe rrëfim.

Formimi dhe përvoja poetike e ndihmojnë autorin ta dallojë ngarkesën figurative të toponimeve dhe lidhjen e tyre me kujtesën, natyrën dhe jetën njerëzore. Ai e percepton emërvendin jo vetëm si njësi gjuhësore ose gjeografike, por edhe si bartës të një imazhi, të një ndjenje dhe të një historie.

Në këtë mënyrë, Izeir Hyda nuk e vështron toponiminë vetëm me syrin e studiuesit që kërkon prejardhjen dhe funksionin e emrit, por edhe me syrin e poetit që dëgjon ritmin, sheh figurën dhe dallon rrëfimin e fshehur brenda tij. Pikërisht ky bashkim i vëzhgimit studimor me ndjeshmërinë poetike është një nga tiparet më të veçanta të këti libri.

Hidromorava
  1. Poetika e emërvendeve

Përveç mjeshtërisë përshkruese të autorit, një dimension të veçantë letrar bartin edhe vetë toponimet. Disa prej tyre kanë një dendësi figurative që i afron me metaforën ose me titullin poetik.

Emërtime si Varri i Çobanit, Fusha e Sherbelës, Mali i Kaprojve, Kroni i Shkozës, Lugi i Lajthisë, Varret e Krushqve, nuk tregojnë vetëm një vendndodhje. Ato krijojnë pamje, atmosferë dhe asociacione të shumta. Varri i Çobanit ruan mundësinë e një rrëfimi për vetminë, kullotat dhe fatin e një njeriu të dikurshëm. Fusha e Sherbelës p.sh sjell përpara lexuesit jo vetëm një hapësirë, por edhe ngjyrën, aromën dhe bimësinë e saj.

Po kështu, emërtime si Mrizi, Vneshti, Përrocka, Guri i Qumështit dhe Mali i Kaprojve krijojnë përfytyrime para se lexuesi ta mësojë shpjegimin e tyre të plotë.

Këto toponime dëshmojnë se bashkësia tradicionale nuk e ka emërtuar hapësirën në mënyrë të rastësishme. Emërtimi ka lindur nga vëzhgimi, puna, përvoja, besimi dhe kujtesa. Në këtë kuptim, toponimia mund të konsiderohet edhe si një formë e poezisë së pashkruar popullore.
Merita e Izeir Hydës qëndron në faktin se ai nuk i regjistron vetëm këto emërtime, por ua zbulon edhe bukurinë e brendshme. Ai i shpëton nga harresa dhe, njëkohësisht, i rikthen si elemente të identitetit kulturor dhe të imagjinatës kolektive.

  1. Kujtesa poetike dhe funksioni i citimeve

Një cilësi tjetër e rrallë e Izeir Hydës është fuqia e jashtëzakonshme e kujtesës së tij letrare. Ai ka ruajtur në kujtesë një fond të gjerë poezish dhe vargjesh të autorëve të ndryshëm, të cilat është në gjendje t’i sjellë përmendësh me saktësi dhe në çastin e duhur.

Kjo dhunti nuk ka vetëm vlerë personale. Ajo bëhet pjesë funksionale e veprës. Falë saj, autori arrin ta gjejë vargun që përputhet me temën, peizazhin ose atmosferën e një emërvendi dhe ta integrojë atë në rrëfim pa e ndërprerë vijimësinë e ligjërimit.

Vëmendje të veçantë meritojnë pjesët poetike që autori ka përzgjedhur dhe integruar në libër. Vargjet e Mjedes, Naim, Lasgushit, Fishtës dhe Kutelit nuk paraqiten si zbukurime të shkëputura nga lënda. Ato lidhen natyrshëm me temën, peizazhin dhe atmosferën e kapitullit ku vendosen.

Përzgjedhja është aq organike, sa lexuesit mund t’i krijohet përshtypja se disa prej këtyre vargjeve janë shkruar posaçërisht për vendet dhe për çështjet që trajton libri.
Kjo dëshmon jo vetëm për kulturën letrare të autorit, por edhe për aftësinë e tij për ta vendosur tekstin poetik pikërisht aty ku ai e zgjeron dhe e thellon kuptimin e rrëfimit.
Në këtë ndërthurje, studimi jep faktin dhe argumentin, ndërsa poezia jep atmosferën dhe ndjeshmërinë. Vargu nuk e ndërpret ligjërimin studimor, por e plotëson atë me një dimension estetik.

Kjo cilësi e bën librin të lexueshëm jo vetëm për studiuesit e gjuhës, historisë dhe etnologjisë, por edhe për lexuesin e zakonshëm, i cili nëpërmjet tij hyn në një marrëdhënie emocionale me një hapësirë që mund të mos e ketë njohur më parë.

  1. Vlera gjuhësore dhe etimologjike

Një ndër synimet themelore të autorit është shqyrtimi gjuhësor dhe etimologjik i emërvendeve. Ai trajton forma të vjetra shqipe, huazime latine, turke dhe sllave, si dhe ndryshimet fonetike që emërtimet kanë përjetuar gjatë përdorimit të tyre.

Toponimet kanë vlerë të veçantë për studimet gjuhësore, sepse mund të ruajnë forma më të vjetra se ato që përdoren në ligjërimin e përditshëm. Nëpërmjet tyre mund të gjurmohen shtresime historike, kontakte gjuhësore dhe procese të ndryshme të përshtatjes fonetike.
Autori nuk mjaftohet vetëm me paraqitjen e formës aktuale të një emërvendi. Ai përpiqet të shqyrtojë prejardhjen e mundshme të tij, zhvillimet fonetike dhe lidhjen me realitetin natyror, historik ose shoqëror që e ka prodhuar atë.

Kjo e bën librin një material me rëndësi jo vetëm për historinë vendore, por edhe për toponomastikën dhe gjuhësinë historike.

Në libër shtrohet edhe çështja e emërtimeve sllave dhe nevoja për shqyrtimin ose rikthimin e trajtave shqipe aty ku kjo mbështetet nga tradita vendëse, dokumentet historike dhe argumentet gjuhësore.

Kjo është një çështje me rëndësi jo vetëm terminologjike, por edhe historike dhe kulturore. Emërtimi i hapësirës lidhet me mënyrën se si një bashkësi e përjeton vendin e vet dhe e ruan vazhdimësinë e kujtesës.

Toponimet e vendosura ose të transformuara gjatë periudhave të ndryshme të sundimeve dhe ndikimeve të huaja mund të mbajnë gjurmët e proceseve politike, administrative dhe gjuhësore. Për këtë arsye, shqyrtimi i tyre dhe kërkimi i trajtave të mundshme shqipe përbëjnë një detyrë me rëndësi shkencore dhe kulturore.

Në këtë kuptim, libri mund të shërbejë si bazë për hulumtime të mëtejshme dhe për hartimin e një regjistri më të plotë të emërvendeve që kërkojnë verifikim, standardizim ose rikthim të trajtave shqipe.

  1. Karakteri ndërdisiplinor i veprës

“Toponimet e vendlindjes sime” ka karakter të theksuar ndërdisiplinor. Në të takohen toponomastika, historia, arkeologjia, etnologjia, gjeografia, biologjia dhe folklori.
Një emërvend mund të shpjegohet nga forma e relievit, nga bimësia, nga një veprimtari ekonomike, nga një familje, nga një ngjarje historike ose nga një besim popullor. Autori e lexon hapësirën nga disa këndvështrime dhe e paraqet toponimin si produkt të marrëdhënies së vazhdueshme ndërmjet njeriut, natyrës dhe historisë.

Fotografitë, pamjet ajrore dhe materialet ilustruese e konkretizojnë këtë marrëdhënie. Ato nuk kanë vetëm funksion estetik, por edhe dokumentues. Pamjet e vendeve të trajtuara e lidhin interpretimin me hapësirën reale dhe i mundësojnë lexuesit ta kuptojë më qartë objektin e përshkruar.

Me rëndësi të veçantë është edhe harta fizike e toponimeve. Ajo i mundëson lexuesit ta shohë çdo emërvend në marrëdhënie me lumin, kodrën, fushën, lagjen dhe rrugët përreth. Në këtë mënyrë, libri fiton edhe funksionin e një harte kulturore dhe identitare të Pogragjës.

  1. Pogragja ndërmjet historisë, kujtesës personale dhe të ardhmës

Përpara trajtimit të toponimeve, autori paraqet një historik të shkurtër të Pogragjës, duke përfshirë pozitën gjeografike, dëshmitë e hershme të banimit, periudhën osmane, sundimin serb, shpërnguljet, luftën e fundit dhe zhvillimet pas çlirimit.

Ky kontekst është i domosdoshëm, sepse emërvendet nuk mund të interpretohen jashtë historisë së vendbanimit. Kalaja, Tuma, Kisha e Çarrme dhe Podet dëshmojnë për një vazhdimësi të gjatë të jetës, ndërsa ndryshimet e emërtimeve pasqyrojnë pushtime, migrime dhe transformime shoqërore.

Autori nuk e fsheh lidhjen emocionale me vendlindjen. Në shumë përshkrime ndihet përvoja e njeriut që i është rikthyer hapësirës së fëmijërisë dhe që e njeh atë jo vetëm nga burimet e shkruara, por edhe nga jeta.

Kjo afërsi emocionale nuk e cenon vlerën e veprës. Përkundrazi, ajo është një nga shtysat kryesore të hulumtimit. Vetëm njohja e drejtpërdrejtë e terrenit dhe vetëdija për rrezikun e harresës mund ta shpjegojnë përkushtimin me të cilin autori i ka mbledhur dhe sistemuar emërvendet.

Vlera afatgjatë e librit lidhet me ruajtjen e kujtesës për brezat që do të vijnë. Ndryshimet shoqërore dhe ekonomike po e transformojnë me shpejtësi peizazhin rural. Kufijtë tradicionalë të arave humbin, mullinjtë rrënohen, rrugët ndryshojnë, ndërsa një pjesë e banorëve jetojnë larg vendlindjes. Dokumentimi i toponimeve mund të ketë rëndësi edhe për zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror. Kalaja, Tuma, Kisha e Çarrme, Guri i Shybes dhe monumentet e tjera mund të përfshihen në harta, tabela orientuese dhe shtigje kulturore.

Libri mund të shërbejë gjithashtu si nxitje për brezat e rinj që të mos i përdorin emërvendet vetëm si shenja praktike, por të interesohen për historinë, kuptimin dhe prejardhjen e tyre. Të njohësh arsyen pse një fushë, një gur, një krua ose një kodër mban një emër të caktuar do të thotë ta njohësh më thellë vendin tënd.

Përfundim

Asnjë studim i kësaj natyre nuk mund ta japë fjalën përfundimtare për çdo emërvend. Toponimia është një fushë komplekse, në të cilën disa shpjegime mbeten hipoteza, ndërsa disa etimologji kërkojnë dokumentim dhe verifikim të mëtejshëm.

Kjo nuk e zvogëlon vlerën e veprës. Merita themelore e autorit është se e ka mbledhur lëndën, e ka sistemuar, e ka lidhur me terrenin dhe e ka shpëtuar nga rreziku i humbjes.

Në botime të ardhshme, libri mund të plotësohet me koordinata të sakta gjeografike, me një indeks alfabetik të emërvendeve, me harta sipas kategorive dhe me një dallim më të qartë ndërmjet shpjegimeve të dokumentuara, dëshmive gojore dhe hipotezave etimologjike.
Po ashtu, mund të hartohet një regjistër i veçantë i toponimeve me prejardhje ose trajtë sllave, duke paraqitur për secilin prej tyre dokumentet historike, variantet popullore dhe propozimet për trajtën shqipe.
“Toponimet e vendlindjes sime” është një vepër e përkushtimit ndaj vendlindjes dhe një kontribut serioz në ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore, historike dhe kulturore. Izeir Hyda ka mbledhur emrat e tokës para se ata të zbehen nga përdorimi dhe harresa.

Në këtë vepër takohen hulumtuesi i përpiktë, rrëfimtari i talentuar dhe poeti me një kujtesë të jashtëzakonshme letrare. Pikërisht kjo bashkëprani i jep librit saktësi dokumentuese, gjallëri rrëfimore dhe ndjeshmëri estetike.

Izeir Hyda ia ka kthyer tokës zërin e saj dhe ua ka përcjellë atë brezave të ardhshëm. Prandaj kjo vepër nuk duhet parë vetëm si një libër për Pogragjën, por edhe si një model se si mund të mblidhet, të studiohet dhe të ruhet kujtesa e një vendbanimi.

Me këtë vepër, Izeir Hyda ka bërë që shumë prej këtyre emrave të mos mbeten vetëm në harta dhe në kujtesën e banorëve, por të vazhdojnë të jetojnë në kulturën e shkruar.
Izeir Hyda na ka dhënë diçka që na ka munguar, diçka që nuk bënë të mos e kemi, diçka nuk duhet ta lëmë për nesër, por ta lexojmë sot./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.