Eko Higjiena

Hasan Ballanca – Kujtim i një Atdhetari dhe Pjesëmarrës i Rezistencës Shqiptare

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Viti – Në përvjetorin e 80-të të arratisjes nga Kosova: 28.11. 1945 – 28.11.2025. Historia e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën dhe besnikërinë e burrave që, edhe në kushte të pamundura, nuk u ndanë nga ideali i lirisë. Njëri prej tyre ishte Hasan Adem Murseli, i njohur edhe si Hasan Ballanca.

Shënim arkivor: Ky shkrim është i bazuar në arkivin familjar të Mursel Murselit, i cili ka ruajtur dhe grumbulluar të dhëna për Kabashasit, axhën Hasan dhe Mulla Xhemën.

“Në këtë 28 Nëntor, ditë e shenjtë për kombin shqiptar, familja Murseli (Ballanca) përkujton Hasan Adem Murselin (Hasan Ballanca), një prej pjesëtarëve të Rezistencës Shqiptare për Shqipëri Etnike, së bashku me Hysen Terpezën, Hasan Ibrahim Kabashi dhe Rexhep e Ahmet Agush Kabashin (vëllezër) me bashkëluftëtarë të tjerë.

Historia e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën dhe besnikërinë e burrave që, edhe në kushte të pamundura, nuk u ndanë nga ideali i lirisë. Njëri prej tyre ishte Hasan Adem Murseli, i njohur edhe si Hasan Ballanca,

Rrënjët dhe arsimi

Hasan Adem Murseli u lind në vitin 1918, në fshatin Ballancë të Anamoravës, nga prindërit Adem Murseli dhe Sherife Azemi, nga Sllatina e Epërme.

Që në rininë e hershme, Hasani u dallua për zgjuarsi e përkushtim ndaj arsimit, kishte përfunduar katër vite shkollë në ish – Jugosllavinë e para Luftës së Dytë Botërore, gjë që në atë kohë ishte e rrallë. Ai ishte pjesë e brezit të atdhetarëve që nuk pranuan robërinë, që luftuan sistemin sllavo-komunist dhe që e vazhduan misionin kombëtar edhe në mërgim.

Bashkëkohasit e kujtojnë si njeri të ditur, të urtë dhe me ndikim në rrethin shoqëror.

Ky shkrim është një homazh dhe dokumentim për jetën, veprimtarinë dhe trashëgiminë e tij morale e atdhetare.

Përfshirja në rezistencën kombëtare

Në vitet 1941-1945, kur Kosova dhe veçanërisht Anamorava po përballeshin me dhunën e pushtetit sllavo-komunist, Hasani u rreshtua në radhët e Lëvizjes Shqiptare për Shqipërinë Etnike, nën udhëheqjen e Hysen Terpezës dhe grupit të Kabashëve të Vitisë.

Ai veproi ngushtë me Hasan Ibrahim Kabashin dhe Rexhep e Ahmet Agush Kabashin, me të cilët ishte i lidhur edhe familjarisht -motra e Hasanit, Rukija, ishte e martuar me Rexhep Agush Kabashin.

Hasani me kusheririn e tij të pandashëm, Hakiun, ishin ndër më të besuarit e grupit, duke marrë pjesë në shumë aksione rezistence kundër strukturave komuniste që po instaloheshin në Kosovë.

Arratisja dhe jeta në mërgim

Më 28 nëntor 1945, në ditën e Flamurit, pas shtypjes së lëvizjes së rezistencës, Hasani, bashkë me shumë bashkëluftëtarë, u detyrua të arratisej nga Kosova, fillimisht në Greqi.

Në Greqi ndodhën ngjarje tragjike: Rexhep Agush Kabashi vdiq pas tri javësh nga pikëllimi i thellë për humbjen e kusheririt të tij, Hasan Ibrahim Kabashi, që u vra në mënyrë enigmatike afër kufirit greko-jugosllav.

Hasan Ballanca, i tronditur nga kjo humbje, pas qëndrimit tre vjeçar në Greqi, vazhdoi rrugën drejt Turqisë, ku jetoi e veproi deri në vdekje (14.02.2004).

Konfiskimi i pasurisë dhe represioni ndaj familjes

Pas arratisjes, pushteti komunist në Kosovë e shpalli Hasanin „armik i popullit“ dhe i konfiskoi pasurinë:

Një lopë, një pend qe, qeren e qeve, drithërat, shtrojat, veglat e punës dhe çdo gjë me vlerë si dhe një truall prej 60 ari në vendin e quajtur „Gjurla“.

Kur u tentua konfiskimi i truallit, për ndërtimin e shkollës së fshatit, Shabiu, vëllai i vogël,i Hasanit, u kundërvu me forcë, u rrah e burgos, iu thyen dhëmbët, por nuk u gjunjëzua. Falë qëndrueshmërisë së tij, pushteti nuk arriti ta bëjë pronë shtetërore, dhe ajo u rikthye në pronësi familjare, ku Shabiu (babai i autorit të këtij shkrimi) , ndërtoi shtëpinë e tij.

Më vonë, në mënyrë të fshehtë, pushteti uzurpoi një tjetër arë, „Kitica“, por Shabiu arriti ta rikthejë edhe atë, pas rënies së Rankoviqit, me ndihmën e kryetarit të fshatit, Milaim Maliqi, njeri i drejtë që u gjendej bashkëfshatarëve të vet në kohë të vështira.

Pas takimit me Hasanin në Turqi, Shabiut i rregullohen dhëmbët me ari – një shpërblim për guximin dhe sakrificën e tij, që i shërbyen deri pak para Luftës së fundit, 1999. Kjo histori tregon se virtyti, kurajoja dhe besnikëria familjare nuk shuhet kurrë.

Fatimja – gruaja që priti 16 vite

Bashkëshortja e Hasanit, Fatimja (Fata), mbeti në Kosovë pas arratisjes së tij.

Ajo për 16 vite kërkoi të bashkohej me burrin në Turqi, por regjimi jugosllav nuk ia lejoi kurrë.

Gjatë kësaj kohe, ajo përballoi maltretime të rënda psiko-fizike nga policia sllavo-komuniste, që donte ta thyente, por nuk u dorëzua kurrë.

Ajo u tregua stoike, e ndershme dhe e përkushtuar ndaj familjes së Hasanit – veçanërisht ndaj babait të tij, Demës (Ademit), të cilin e nderonte dhe e shërbente me respekt të birësuar.

Kur e kuptoi se bashkimi me Hasanin nuk do të ndodhte më, Fatimja, me lot në faqe, u nda nga familja e tij, duke ruajtur përjetësisht nderin dhe dashurinë që kishte për të.

Më vonë ajo u rimartua, por edhe aty u tregua grua e madhe e shpirtit, rriti bonjakët (jetimët) e burrit të dytë me dashuri dhe kujdes, si të ishin bijtë e saj biologjikë.

Në këtë mënyrë, Fatimja u bë shembull i burrërisë, fisnikërisë dhe qëndresës femërore shqiptare.

Veprimtaria në mërgatë dhe lidhja me Komitetin „Shqipëria e Lirë“

Në Turqi, Hasani nuk e ndërpreu kurrë veprimtarinë për çështjen kombëtare.

Pas formimit të Komitetit Kombëtar Demokratik „Shqipëria e Lirë më 16 gusht 1949 në Paris, nën drejtimin e Mid’hat Frashërit, ai iu bashkua aktivitetit të kësaj organizate që përfaqësonte zërin e shqiptarëve në mërgim.

Komiteti botoi gazetën „Qëndresa Shqiptare“, e cila, nën drejtimin e Abas Ermenjit, kishte ndikim të madh në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për situatën në Shqipëri dhe Kosovë.

Në numrin 20, datë 20 qershor 1956, u botua një letër falënderimi drejtuar Abas Ermenjit nga 87 mërgimtarë shqiptar në Turqi, mes të cilëve figuron edhe Hasan Ballanca – Gjilan, me numër 9.

Në këtë letër, mërgimtarët e Kolonisë Shqiptare të Stambollit dëshmonin për terrorin jugosllav mbi shqiptarët e Kosovës dhe kërkonin ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për t’i dhënë fund dhunës.

UBT

Fusnota: Kjo letër është ribotuar nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha, më 8 mars 2011, në portalin zemrashqiptare.net, nën titullin: Qëndresa Shqiptare, nr. 20, më 20 qershor 1956

Trashëgimia

Në Turqi, Hasani u martua me një grua shqiptare nga Mitrovica, e shpërngulur atje pas vitit 1956. Nga kjo martesë pati një vajzë, e cila kreu studime të larta dhe punoi në administratën e Aeroportit të Stambollit.

Edhe në mërgim, Hasani ruajti lidhjet me bashkatdhetarët, duke qenë zë i ndërgjegjes kombëtare në mërgatën shqiptare në Turqi.

Jeta dhe veprimtaria në Turqi

Pas vendosjes në Turqi, Hasani nuk iu nda punës e përkushtimit. Fillimisht, u punësua për rreth 17 vite në një fabrikë për prodhimin e mishit dhe produkteve të tij, ku fitoi respektin e kolegëve për ndershmërinë, korrektësinë dhe përkushtimin në punë.

Më vonë, me kursimet e fituara, hapi një kompani turistike, të cilën e drejtoi për shumë vite, deri në moshë të shtyer. Kompania e tij ndodhej në një qendër biznesore të Stambollit (Aksaray), e frekuentuar nga shumë turistë.

Falë mikpritjes dhe natyrës së tij bujare, shumë shqiptarë që udhëtonin ose vendoseshin në Turqi e gjetën te Hasan Ballanca një njeri besnik, parimor dhe humanist, cilësi që e bënë të respektuar në mesin e bashkëatdhetarëve dhe miqve të shumtë.

Hasani ishte veçanërisht i lidhur me nipin e tij, Mursel Shabi Murseli, djalin e vëllait të tij, Shabiut.

Lidhja e tyre ishte shpirtërore dhe ideale -dy breza të një familjeje që e kishin të lindur dashurinë për Atdheun.

Murseli, gjatë qëndrimit në Turqi, furnizohej me materiale që shtypeshin në mërgim, të cilat ndihmonin në ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe në informimin për çështjen shqiptare.

Murseli e vizitonte rregullisht axhën e tij në Turqi deri në vitin 1990, kur për arsye politike, emigroi në Gjermani (1991).

Falë dokumenteve të sakta dhe dëshmive që zotëronte, atij iu pranua shumë shpejt qëndrimi i përhershëm, gjë që i mundësoi të vazhdonte kontaktet me axhën, si telefonike ashtu edhe fizike, duke e vizituar herë pas here deri në ndarjen nga jeta të Hasanit, ku jeton dhe vepron edhe sot, duke vazhduar rrugën e axhës së tij në përhapjen e së vërtetës historike dhe të idealeve kombëtare.

Në kujtimet e tij, Murseli shkruan në librin e botuar më 2016:

„Njeriu është i vlefshëm aq sa ka arritur për së gjalli që edhe pas vdekjes të jetojë…

Vepra që la axha pas vetes, do ta përmend gjithmonë si njeri të mirë e atdhetar të dëshmuar.“

Ky reflektim përmbyll me dinjitet edhe veprën e Hasan Ballancës, një njeri që nuk reshti kurrë së dashuri vendin e tij, as në dhe të huaj, dhe që me punën, sjelljen e tij fisnike e idealet e pastra, u bë shembull për brezat që e pasuan.

Rrënjët familjare dhe fryma atdhetare

Babai i Hasanit, Ademi (i njohur si baba Demë), ishte njeri me shpirt të thellë atdhetar dhe me një vizion të gjerë për kohën. Ai dhe djemtë e tij u frymëzuan nga ideali i lirisë dhe bashkimit kombëtar, të cilin e përcillnin brez pas brezi.

Frymëzimin më të madh për veprim e merrnin nga Mulla Xhemë Arifi (Mulla Xhemë Sllatina) – djali i i motrës së babait të Hasanit, Arifes.

Arifja ishte nëna biologjike e Mulla Xhemë Arifit, figurë e shquar fetare dhe atdhetare, i cili u ekzekutua pa gjyq nga forcat e OZNA-s më 22 dhjetor 1944 në Gjilan.

Pas arrestimit të Mulla Xhemës, më 19 dhjetor 1944, djalit të tij Dervishit, (14 vjeç), dhe kusheririt të tij nga Ramjani, iu lejua një vizitë e shkurtër në burgun e Gjilanit. Gjatë kësaj vizite, Mulla Xhema i la një amanet të dhimbshëm, por plot qëllim:

„Shko te Ramiz Cernica, që ta njoftoni për arrestimin tim, pastaj shkoni te daja Demë, në Ballancë.“

Hasan Ballanca, bashkë me Kabashasit dhe me dhëndrin familjar Rexhep Agush Kabashin, vendosën të ndërmarrin një aksion për të sulmuar burgun e Gjilanit me qëllim lirimin e Mulla Xhemës dhe të tjerëve të burgosur politikë.

Por, për fat të keq, plani u zbulua dhe dështoi.

Gjatë asaj nate, daja Demë, bashkë me Dervishin dhe kusheririn e tij, qëndruan deri në agim, me shpresë se do të dëgjonin krisma që do të paralajmëronin shpëtimin e tij.

Fatkeqësisht, pas tri ditësh, Mulla Xhema u ekzekutua pa gjyq.

Pas kësaj tragjedie, nëna Arife ( halla e Hasanit), qëndroi stoike dhe e pathyer. Ajo jetoi gjatë pas ekzekutimit të djalit të saj, duke rritur me përkushtim tre nipat jetimë – Dervishin, Misretin dhe Ismetin -, së bashku me nusen e ve të Mulla Xhemës, Nazife Krenzi – Arifi.

Dy gra të veja, por me shpirt burrëror dhe qëndresë të hekurt, ato u bënë shembull i gjallë i durimit, dinjitetit dhe dashurisë për familjen dhe atdheun.

Në këtë kontekst, Hasan Ballanca mbetet figurë e shquar e Rezistencës Shqiptare, simbol i ndershmërisë, kurajos dhe përkushtimit ndaj Atdheut. Jeta e tij tregon se virtyti, besnikëria dhe dashuria për familjen dhe kombin nuk shuhet kurrë.

Lavdi kujtimit të tij!

Fusnota/Referenca:

Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha, botuar më 8 mars 2011,,portal zemrashqiptare.net

Burimi arkivor: Dokumente dhe kujtime familjare të Mursel Murselit

Urti për fund

„Ai që nuk e harron të mirën e të parëve, ndriçon rrugën e të ardhurve.“