Shpërthim në një veturë në Gjilan, një person pëson lëndime të rënda
Gjilan – Një person ka mbetur i lënduar rëndë, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të lehta si pasojë e një shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në një veturë në Gjilan.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, bëri të ditur se rasti është raportuar më 5 gusht 2026, rreth orës 21:45, përmes një telefonate që njoftonte për një detonim në një automjet në rrugën “Lufta e Gjilanit 44”.
Sipas tij, njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga hetimet e para dyshohet se vetura është dëmtuar nga një mjet shpërthyes.
“Në veturë ndodheshin dy persona, shoferi dhe një pasagjere. Si pasojë e shpërthimit, shoferi ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa pasagjerja ka marrë lëndime të lehta”, deklaroi Hashani.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori kujdestar i shtetit, i cili ka autorizuar veprimet hetimore.
Policia ka bërë të ditur se motivet e këtij rasti të rëndë ende nuk dihen, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorët./rajonipress/


