Përjetime qesharake nga adhuruesit e këngës sime

Nga Demir Krasniqi – Karriera prej këngëtari popullor në trevat tona sa është e bujshme , po aq është edhe qesharake , nga se vet mentaliteti ynë tradicional është i tillë.
Po sa të depërtojë emri i një këngëtari në popull , atëherë fillon të ngritët edhe popullariteti i tij në mënyrat më të ndryshme , qofshin ato realitete , apo imagjinata të adhuruesve të tij !
Edhe unë, sikur shumë kolegë e kolege të profesionit tim , gjatë karrierës sime prej këngëtari popullor , kam përjetuar shumëçka në jetën time, por nga hambari i atyre përjetimeve ka edhe shumë sosh që janë shumë qesharake !
Për lexuesit dhe adhuruesit e këngës sime , do të mundohem që t’i shkëpus nga kujtesa vetëm disa prej tyre , të cilat jo vetëm që janë qesharake , por nganjëherë duken edhe si barsoleta !
Ishte viti 1968, kur për herë të parë u pranova si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës dhe kur për herë të parë zëri dhe kënga ime u shpërndanë përmes valëve të etërit gjithandej trojeve shqiptare .
Me që në atë kohë , programet muzikore të Radio Prishtinës dëgjoheshin kryesisht nëpër radio aparatet të cilat atëherë punonin vetëm me anë të rrymës elektrike , ato mund të dëgjoheshin kryesisht nëpër qendrat urbane , nga se nëpër fshatra ende nuk kishte rrymë elektrike dhe as radio aparate ! Shumë më vonë, nëpër fshatrat malore filluan të përdoren disa transistorë të cilët punonin me fuqinë e baterive .
Mentaliteti i popullatës së atëhershme ishte se shumica prej tyre mendonin se këngëtarët e Radio Prishtinës rrinë të mbyllur në lokalet e Radios dhe se ata gjithmonë këndojnë drejtpërsëdrejti në programet e saj !
Duke u nisur nga këto paragjykime, sa herë që emetohej ndonjë këngë e imja në valët e Radio Prishtinës , unë po sa dilja në qytet pas punëve të mia , nuk kalonte as një njeri e të mos ma parashtronte pyetjen :
“Po, ti , pashë Zotin , kur dole prej Radios kaq shpejt?!
Po, unë veç sa të dëgjova kur e këndove filan këngën!”
Unë, kaloja me një buzëqeshje pranë tyre dhe nuk provoja që t’i bindi se kënga emetohet përmes shiritit të incizuar dhe jo drejtpërsëdrejti !
Pas programeve muzikore të Radio Prishtinës , ia filloi të japë emisione javore edhe Radio Televizioni i Beogradit , në gjuhën shqipe, me që në Kosovë ende nuk kishte Televizion !
Edhe në emisionet televizive , jo rrallë, më ftonin që të marr pjesë me ndonjë këngë nga repertori im .
Me që në atë kohë, ishte fillimi i përdorimit të aparateve televizive nëpër familjet shqiptare , edhe për programet televizive ekzistonte një mentalitet popullor, ku konsumuesit e këtyre programeve mendonin se ata që flasin dhe këndojnë përmes ekranit televiziv – mund të shohin çdo gjë nëpër familjet ku i shikojnë dhe përcjellin ata !
Duke u nisur nga ky mentalitet , mua si këngëtar popullor , më ka ndodhur shumë herë që të më pyesin njerëzit :
“A na pashe ti , neve duke pirë çaj dhe duke të dëgjuar e shikuar në televizor ?!
Bile, do dreqër fëmijësh bënin zhurmë e nuk na lenin të qetë që të dëgjojmë!
Ne , ju bërtitnim sa mundeshim fëmijëve :”Mos bëni zhurmë se marre është me ju pa ata prej televizorit se si po lazdroheni dhe nuk po i dëgjoni fare !”
Nga ana tjetër , sa herë që incizoja ndonjë këngë të re , qoftë në Radio Prishtinë, qoftë në disqet e gramafonit , po sa dëgjohej ajo këngë në publik, menjëherë formohej bindja se çdo ngjarje që trajtohej në atë këngë , kishte të bënte me ndonjë realitet timin personal !
Kështu që, ngjarja më interesante dhe më qesharake nga këto lloje përjetimesh , më ka ndodhur pikërisht me rastin e daljes në treg të këngës sime me titull:”Mora sot një letër me një shkrim të zi”, këngë kjo që iu dedikohej djemve të ri , të cilët shkonin në shërbimin ushtarak në Armatën Popullore Jugosllave !
Në kohën kur doli në treg kjo këngë, unë isha duke punuar si arsimtar i Kulturës Muzikore në shkollën e fshatit të lindjes sime .
Me të dëgjuar këtë këngë , në njërën nga shitoret e disqeve të gramafonit në Gjilan , një grup shokësh dhe adhuruesish të mi , e kishin kuptuar se , gjoja , të nesërmen unë do të shkoja ushtar ! Ata e kishin alarmuar njëri – tjetrin për këtë, duke i njoftuar se:
”Demir Krasniqi , nesër po shkonte ushtar, nga se edhe këngën ia kishte kushtuar vetit dhe e dëgjuam sot në një shitore !”
Grupi i këtyre shokëve dhe adhuruesve të mi, shpejt e shpejt ishin përgatitur për t’u nisur për në fshatin tim – Tugjec , me qëllim që të më përcjellin për në ushtri !
Deri në Kamenicë, kishin udhëtuar me autobus, por prej aty për në Tugjec, kishin udhëtuar këmbë afro 20 kilometra, nga se atëherë nuk qarkullonte kurrfarë automjeti për në atë Malësi !
Duke udhëtuar këmbë deri në Tugjec, i kishte nxënë nata dhe ata mezi e kishin gjetur fshatin dhe shtëpinë time, duke pyetur gjatë rrugës shumë njerëz !
Pak para mesnatës , ata ia mbërrin tek dyert e oborrit të shtëpisë sime dhe më thirrnin me sa zë që kishin , për të dalë dhe për t’i përcjellë !
Unë, me të dëgjuar thirrjet e tyre, menjëherë dola , i përcolla dhe i futa brenda odës së shtëpisë sime . U gëzova shumë, si unë, ashtu edhe mbarë familja ime , për këta mysafirë që na erdhën në befasi !
Pasi iu uruam mirëseardhje sipas zakonit , i shërbyem me kafe dhe iu shtruam bukë , ata ia filluan pyetjeve radhazi :
“Si je , o baba i Demirit ? A po mërzitesh ?”
Babai im, iu përgjigjej :
“Jo, bre jo! Mirë jemi dhe ju bëfshi hair që jeni mundua , e keni marrë këtë rrugë dhe na keni nderua me ardhjen tuaj !”
Pastaj , ia filluan e po ia bëjnë të njëjtat pyetje edhe nënës sime !
Edhe ajo, iu përgjigjej në të njëjtën mënyrë , sikur babai !
Mbasi e kryen me babanë dhe nënën time, atëherë ia filluan të më drejtohen mua, po me të njëjtat pyetje :
“Po si je, bre Demir? A po mërzitesh ?”
Unë, duke mos e ditur qëllimin e pyetjeve të tyre , iu përgjigjja çdo njërit veç e veç, me të njëjtat përgjigje:
-Po, mirë faleminderit ! Mirë jam dhe shumë mirë po kaloj me punë, me nxënës dhe me kolegë të shkollës ! Nuk kam arsye që të mërzitëm aspak !
Njëri prej mysafirëve ma priti :
“Po, jo, jo ! Nuk bënë me u mërzitë! Veç shëndosh të jesh , se sa ora shkon dhe e kryen me faqe të bardhë, sikur të gjithë të tjerët !”
Unë, i habitur nga këto fjalë , e pyes mysafirin :
O, mik i dashur ! Po, ku kam me shkua , se unë nuk jam kah di gjë se për çka e keni fjalën ?!
Mysafiri , disi si i hutuar , më tha:
“Po, ti a ke me shkua nesër në ushtri, se na kemi dëgjuar se ti nesër do të shkosh ushtar dhe ne për këtë kemi ardhur nga Gjilani , për të përcjellë dhe për të thënë :”Rruga e mbarë?!”
Unë, nga kjo informatë mbeta i shtangur dhe nuk e kisha idenë se prej nga erdhi kjo informatë e gabuar ?!
Atëherë, ju thash mysafirëve :
-Po më vjen shumë keq , që ju paska dezinformuar dikush kështu dhe që qenkeni munduar kaq shumë për mua, por kjo nuk është e vërtetë !
Mysafirët u prekën aq shumë, sa vetëm sa nuk ia nisen me qa , nga kjo dezinformatë!
Njëri prej tyre , që ishte pak më i vjetër , e mori fjalën dhe tha:
“Ne, ju kërkojmë falje, por kështu na kanë informuar disa njerëz të cilët e kishin dëgjuar sot në një shitore , këngën tënde:”Mora sot një letër me një shkrim të zi” dhe ata na thanë se Demiri , nesër po shkonte ushtar !”
Pas këtyre fjalëve, mysafirët e humben disponimin totalisht dhe mezi e pritën mëngjesin për t’u kthyer në Gjilan, duke na kërkuar falje shumë e shumë !
Përjetimin tjetër , jo të këndshëm dhe qesharak , e kam përjetuar me rastin e publikimit të diskut tim, me “Këngën e jetimit”!
Përmes kësaj kënge , përshkruhen vuajtjet e një fëmije , të cilit që në moshën 5-vjeçare i kishte vdekur nëna dhe pa kaluar shumë kohë, babai i tij ishte martuar me një grua tjetër , e cila në vazhdimësi e kishte keqtrajtuar atë fëmijë jetim!
Me të dalë në treg të kësaj kënge , njerëzit e kishin marrë kallëp këtë ngjarje sikur të më kishte ndodhur mua personalisht !
Atëherë, për këtë ngjarje , iu kishin vardisur babait tim , duke e pyetur në vazhdimësi :
“Mixha Shefki! Pashë Zotin, me cilën grua e ke Demirin ?!”
Babai im, ndjesë pastë , ishte lodhur nga këto pyetje dhe provokime dhe një ditë më tha:
“Ah, bre bir! Edhe ti, me këto këngë nuk po durohesh ! Më kanë lodhë njerëzia duke më pyetur çdo ditë, se me cilën grua e ke Demirin?! Nga këto pyetje dhe provokime, nuk po kam pse të shkoj as në treg, as te shitorja , as te xhamia!…”
Ishin pra këto, vetëm disa inserte të shkëputura nga ditari i përjetimeve gjatë karrierës sime, të cilat nuk ishin aspak të këndshme si për mua , ashtu edhe për familjarët e mi dhe rrethin miqësor !
Por, popullariteti tek ne, nuk i ka gjithherë frytet e ëmbla, ashtu siç mendon dikush që nuk merret me këtë profesion !
Gjilan, Korrik 2013.