RCCOLA

“Për Rugovën nuk folën ata që do duhej të flisnin”, Isa Mustafa reagon pas konferencës së LDK-së “Rugova dhe Perëndimi”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ish-kryetari i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me një konferencë të organizuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës dhe ndaj atakimit të figurës së presidentit historik nëpër studio televizive.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës disa e shfrytëzuan për ta sulmuar dhe denigruar figurën presidentit Ibrahim Rugova, njeriut i cili i vuri themelet e çlirimit dhe të pavarësisë.

“Për Rugovën nuk folën ata që do duhej të flisnin. Disa kanë vdekur, disa nuk u ftuan të flasin, disa nuk janë aty ku është mikrofoni e disa po bëjnë politika ditore me emrin dhe figurën e tij për interes të tyre. Rugova nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë e mbron dhe e madhëron vepra e tij”, ka shkruar Mustafa, transmeton Telegrafi.

Ai më tej ka thënë se “nuk shkruhet historia duke e cilësuar Rugovën si paranojak, sepse paranojakët nuk krijojnë vepra kombëtare, siç i krijoi Rugova. Aq më pak nuk thuhet e vërteta nëse ia mvesh dikush, që nuk e ka dashur Rugovën asnjëherë, që ai ka kërkuar azil në Gjermani”.

“Unë kam qenë në Bon, si anëtar i qeverisë në ekzil, kur ka ardhur Rugova me familje të ngushtë nga Italia në maj të vitit 1999. Qeveria jonë ka qenë e interesuar që Rugova të qëndrojë aty për një kohë dhe të punojmë së bashku deri sa të kthehemi në Kosovë. Që qeveria e Kosovës (jo ajo gjermane) ti mbulojë shpenzimet e qëndrimit dhe të aktivitetit të tij”, ka shkruar Mustafa.

RCCOLA

Ai gjithashtu ka thënë se “askush nuk e ka menduar as përmendur azilin”.

“Së fundmi azil nuk kishim kërkuar asnjëri nga ne që qëndruam 9 vite në ekzil, (as dr. Bujar Bukoshi, as dr. Muhamet Bicaj, as Halit Muharemi, as unë). Pas disa ditësh Presidenti Rugova u kthye në Itali. Qeveria dhe populli italian u treguan atëbotë mikpritës dhe më të kujdesshëm ndaj Rugovës”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe, në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka organizuar Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”. Por, nga media dhe figura të ndryshme u kritikua kreu i kësaj partie se në panelin e diskutuesve në këtë konferencë, kishte ftuar njerëz që i përkasin orientimit politik majtistë dhe që në të kaluarën nuk e kanë vlerësuar figurën e presidentit Rugova.

Gjithashtu, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti, në një studio televizive e ka komentuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se ai kishte kërkuar azil politik në Gjermani gjatë kohës së pasluftës, por kërkesa e tij ishte refuzuar. /Telegrafi/