RCCOLA

Hasani: Mashtrim brutal t’u thuhet qytetarëve se të drejtat e tyre për krimet e luftës do t’i realizojnë në Strasburg

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani, në një intervistë për Gazetën Express, ka folur rreth deklaratave të fundit të zyrtarëve shtetërorë lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Duke treguar se për çka mund ta përdorin kosovarët anëtarësimin në Gjykatën e Strasburgut, ai hedh poshtë mundësinë që aty të bëhen padi për krime lufte.

“Nuk ka lidhje kjo gjykatë me krimet e luftës. Në mënyrë të njëjtë, as familjarët e të zhdukurve nuk mund të padisin Serbinë për personat e pagjetur. Kjo është kështu për shkak se kjo gjykatë nuk mund të ketë juridiksion për situatat dhe gjendjen e krijuar në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet sovran dhe i pavarur”, thekson Hasani.

Hasani thotë se kosovarët po mashtrohen brutalisht kur po u thuhet se mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg për krimet që kanë pësuar gjatë periudhës së luftës.

“Është një mashtrim brutal i njerëzve dhe lojë me ndjenjat e tyre, kur thuhet e premtohet se pas anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës, individët dhe familjarët e goditur nga fatkeqësitë e luftës mund të realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg” thekson ai.

Intervista e plotë

Gazeta Express: Bashkë me debatin se a do të anëtarësohet apo jo Kosova në Këshill të Evropës po diskutohet edhe për përfitimet që do t’i kemi si vend edhe si individë nga ky institucion. Në kuadër të Këshillit të Evropës funksionon edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. A mund të na shpjegoni se për çka edhe në çfarë mënyre mund ta përdorin kosovarët këtë gjykatë?

Hasani: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës nënkupton anëtarësim në Gjykatën e Strasburgut. Përfitimet janë të mëdha, si për Kosovën ashtu edhe për individët. Për Kosovën sepse Gjykata e Strasburgut do të shërbej si një pikë efektive e referimit për çdo organ dhe autoritet publik në Kosovë me rastin e vendosjes mbi liritë dhe të drejtat e garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sikundër dihet, Kushtetuta e Kosovës e ka në dispozitat e saj si burim të së drejtës edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe protokollet e saj, dhe i detyron të gjitha autoritetet publike që, me rastin e interpretimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, të bazohen në praktikën e Gjykatës së Strasburgut. Kjo, megjithatë, është krejt ndryshe nga situata që krijohet pas anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës, kur juridiksioni i Gjykatës së Strasburgut bëhet efektiv ndaj krejt vendimeve të autoriteteve publike të Shtetit të Kosovës. Kjo gjykatë atëherë do të shërbejë si një gjykatë kushtetuese sui generis në raport me vendimet e autoriteteve të Kosovës. Deri sot vendimmarrja e autoriteteve të Kosovës – ani se e bazuar në dispozitat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në praktikën e Gjykatës së Strasburgut – nuk ka pasur ndonjë filtër kontrollues sa i përket vënies në jetë të standardeve evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Individët, grupet e individëve dhe organizatat joqeveritare, gjithashtu do të kenë mundësi unike për të adresuar në Gjykatën e Strasburgut kërkesat e tyre për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve publike në Kosovë. E njëjta vlen edhe për Kosovën si shtet, e cila mund të padisë shtetet tjera, nëse konsideron se ato kanë shkelur dispozitat e Konventës për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Kjo procedurë, e njohur si procedurë ndërshtetërore, është shumë e rrallë (në gishta numërohen rastet kur shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kanë paditur njëra tjetrën).

Në të gjitha rastet si më sipër, ekzistojnë kufizime juridiksionale në aspektin kohor, lëndor, personal dhe territorial, që zakonisht iu imponohen shteteve që anëtarësohen në Këshill të Evropës. Kjo do të thotë se jo çdo çështje mund të jetë objekt i kërkesës në Gjykatën e Strasburgut. Për të qenë e tillë, kërkesa duhet të jetë paraqitur nga palët me legjitimitet aktiv dhe pasiv, të ketë të bëj më një liri ose të drejtë të garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të bie nën juridiksionin territorial dhe kohor të palëve kontraktuese të kësaj konvente.

Uji Dea

Gazeta Express: Presidentja e Kosovës tha se me anëtarësimin në Këshill të Evropës familjarët e personave të pagjetur do të kenë të drejtë ta padisin Serbinë dhe se më shumti nga ky anëtarësim do të përfitojnë qytetarët të cilëve u është mohuar drejtësia tash e 25 vjet? A mund të jetë kjo gjykatë adresë për krimet e luftës që janë kryer në Kosovë?

Hasani: Jo. Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të padisë Serbinë për krime lufte dhe të ngjashme, të kryera në Kosovë gjatë luftës, për faktin e thjeshtë se nuk bien nën juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut. Nuk ka lidhje kjo gjykatë me krimet e luftës. Në mënyrë të njëjtë, as familjarët e të zhdukurve nuk mund të padisin Serbinë për personat e pagjetur. Kjo është kështu për shkak se kjo gjykatë nuk mund të ketë juridiksion për situatat dhe gjendjen e krijuar në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet sovran dhe i pavarur. Fjalë kyçe këtu është juridiksioni, në katër trajtat si më sipër (kohor, lëndor, personal dhe territorial). Kjo bëhet e qartë që në nenin e parë të konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili flet për juridiksionin në të gjitha trajtat e manifestimit të tij. Sikundër dihet, ky nen përcakton se palët kontraktuese duhet të sigurojnë liritë dhe të drejtat e garantuara me Konventë, si për personat fizik ashtu edhe për ata juridik, të cilët bien nën juridiksionin e njërës prej palëve kontraktuese. Me juridiksion nënkuptohet edhe autoritetit publik i ushtruar jashtë territorit sovran, por që gjendet nën kontroll efektiv të ndonjërës prej palëve kontraktuese, siç janë territoret nën okupim. Ka pasur raste kur Britania e Madhe dhe disa vende anëtare të Këshillit të Evropës kanë qenë palë të paditura për shkelje të Konventës në territoret e pushtuara prej tyre, si p.sh. në Irak.

Kosova nuk bie nën asnjërin prej këtyre situatave: pavarësia e Kosovës është krijuar më 17 shkurt 2008, kurse ngjarjet kanë ndodhur në kohën e konfliktit të armatosur në mes të forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrive të vendeve të NATO-s përgjatë viteve 1998-1999. Në këtë periudhë, Serbia ka ushtruar juridiksion ndaj territorit të Kosovës dhe subjekteve të së drejtës në te. Paditja e Serbinë për këtë periudhë mund të bëhet vetëm nëse individët paditës paraqiten si shtetas serb, por edhe atëherë vetëm pasi të kenë shterur mjetet e brendshme juridike, pra pasi paditësit nga Kosova të kenë paditur Shtetin serb nëpër gjykatat serbe në Serbi. Kjo , megjithatë, ngelet vetëm si një fiksion teorik, për shkak se kanë kaluar kohë dhe , edhe sikur dikush të dojë, nuk mund të padisë Serbinë mbi këtë bazë, pra si shtetas serb. Paditë dhe procedurat gjyqësore në Kosovë pas 10 qershorit 1999 nuk konsiderohen juridiksion serb, sepse ai juridiksion ka qenë i pezulluar deri më 17 shkurt 2008, kurse pas kësaj date, sipas ligjit ndërkombëtar juridiksioni serb mbi Kosovën nuk ekziston fare.

Nga tërë kjo del se është një mashtrim brutal i njerëzve dhe lojë me ndjenjat e tyre, kur thuhet e premtohet se pas anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës, individët dhe familjarët e goditur nga fatkeqësitë e luftës mund të realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg.

Gazeta Express: Ministrja e Drejtësisë duke folur rreth planeve të Qeverisë për ta paditur Serbinë për gjenocid tha se s’mund të ndaj më shumë informacione. Në anën tjetër, ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës i hap Kosovës shumë rrugë dhe se pas anëtarësimit do të vlerësohen edhe veprimet se si Këshilli Evropës të shfrytëzohet si mekanizëm për vendosjen e drejtësisë. Si mund ta përdorë shteti këtë Gjykatë për krimet e Serbisë?

Hasani: Siç e kam thënë disa herë këto tri – katër vitet e fundit, po e ri përsëris këtu: çdo padi për gjenocid kundër Serbisë do të ishte një dhuratë për regjimin në Beograd; një padi e tillë përbën një vepër thellësisht antikombëtare. Kjo është kështu për faktin se një padi e tillë a priori është e gjykuar në dështim dhe, për pasojë, shërben si një shlyerje e fajit serb për gjenocid, krime luftë dhe çdo krim tjetër të kryer në Kosovë. E thënë ndryshe, me padinë e tillë, Serbia do të fitoj një konfirmim të njohur ndërkombëtarisht se nuk ka kryer gjenocid dhe krime luftë në Kosovë. U mor vesh, bëhet fjalë për Serbinë si shtet, jo për individët që kanë qenë liderë politik dhe ushtarak të Serbisë dhe që janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Sigurisht që Gjykata e Strasburgut nuk është kompetente për të gjykuar dhe për t’u marrë me krimin e gjenocidit dhe krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Asnjë lehtësim ose ndihmë nuk mund të ofroj kjo gjykatë sa i përket krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare. Kushdo që thotë ndryshe, luan me ndjenjat e njerëzve fatkeq që kanë pësuar në luftën e fundit në Kosovë.

Gazeta Express: Kryeministri Albin Kurti gjatë javës së kaluar qëndroi në Gjermani ku u kërkuan rrugët për mbështetjen e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Një ide që doli nga diskutimet me deputetë gjermanë, siç u raportua, ishte që draft-statutin për Asociacionin ta vlerësojnë juristë të Këshillit të Evropës në mënyrë që të plotësohet kushti i QUINT-it për votim të anëtarësimit të Kosovës. A munden këta juristë ta zëvendësojnë Gjykatën Kushtetuese. Si e patë ju këtë?

Hasani: Një hap i tillë do të ishte i papranueshëm, sepse do të zhvlerësonte çdo dimension të sovranitetit të Kosovës. Kjo është e njëjtë sikur lejimi i formimit të një mekanizmi të arbitrazhit për gjykimin e mosmarrëveshjeve në mes të pushtetit qendror të Kosovë dhe autoriteteve të Bashkësisë së komunave serbe, që pritet të krijohet pas anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës. Bashkësia mund të krijohet edhe para anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës, nëse zoti Albin Kurti tregon gjest të vullnetit të mirë. Nëse jo, atëherë vlen zotimi i tij, Vjosës dhe Glaukut, që ata kanë marrë përsipër në emër të Shtetit të Kosovës me rastin e përqafimit të raportit Bakojanis dhe të rekomandimeve të Juristëve eminentë. Sido që të jetë, e përsëris, çdo vlerësim i kushtetutshmërisë së draft-Statutit të BE, i cili është hartuar me autorizim të Albin Kurtit nga juristët evropian, do të ishte thellësisht antikushtetues, akt antishtetëror që cenon pafundësisht sovranitetin e vendit. Më lejoni të freskoj kujtesën e lexuesit tuaj që, sipas Aktgjykimit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, detyrimi për kontroll kushtetues të draft-Statutit është një detyrim i pastër kushtetues, detyrim që nuk mund dhe nuk duhet ta përmbush askush tjetër përveç Qeverisë dhe Gjykatëse Kushtetuese të Republikës së Kosovës.