Fundamenti

Kristjan Asllani, “kamarieri” i Shqipërisë: Nga mbërritja e babait të tij në Itali te fëmijëria e vështirë, nënshkrimi me Interin dhe lider kuqezi

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Kristjan Asllani, ka lindur në Elbasan në vitin 2002, ndërsa konsiderohet si ‘motori’ i Shqipërisë, rivalit të Spanjës, shkruan Marca.

Megjithatë, ai nuk harron se nga vjen dhe as që vetëm tre vite më parë, teksa festonte fitoren e Italisë në Euro 2020, po shërbente tavolinat si kamerier.

Mediumi i njohur spanjoll ia ka nxjerrë një rrëfim nga një intervistë e tij e mëhershme dhënë për Corriere dello Sport, ku ai ka treguar edhe për fëmijërinë e tij në qytetin e vogël Buti në Itali.

“Më pëlqejnë festivalet dhe të jem kamarier. Vrapoj nëpër karrige për t’u sjellë ushqim banorëve të qytetit, turistëve dhe njerëzve që vijnë masivisht nga zonat e afërta”, kujton Asllani atë që ishte para tri viteve.

“Unë u rrita në Buti dhe nuk do ta ndryshoja për asgjë në botë. Sa herë që mundem, kthehem”, tregon Asllani duke iu referuar qytetit të vogël në Toskanë ku mbërriti kur ishte vetëm dy vjeç.

Ai tregon se fillimet nuk ishin të lehta, ndërsa kujton edhe rrëfimin e babait të tij se si shkuan nga Shqipëria në Itali.

“Babai erdhi në Itali me një varkë dhe më tregon se sa e vështirë ishte jeta në Shqipëri. Nëna ime ishte 18 vjeç dhe nuk ishte e lehtë. Ata vuajtën shumë dhe çfarë bënë për mua dhe për vëllain tim Leonardo, i cili është 13 vjeç, është e paçmueshme: ndihem sikur nuk mund tua kthej, por përpiqem shumë”, deklaroi Asllani.

UBT

Papritur jeta e tij mori një kthesë rrënjësore para dy vitesh. Vetëm 13 ndeshje si titullar në elitën e futbollit italian dhe dy gola kundër Interit – një me ekipin rezervë dhe një tjetër në Serie A – i dhanë mundësinë të largohej nga Empoli dhe të nënshkruante për Nerazzurrët në këmbim të 10 milionë eurove.

“Kur mora mesazhin nga Javier Zanetti, për pak nuk më ra të fikët. Kur nënshkrova për Interin e mora të gjithë familjen time në Milano. Nëna ime punonte në një fabrikë ëmbëlsirash dhe babai im punonte në kompaninë e ujit. Në verë ai kalonte gjithë ditën në diell: tani jeta e tij ka ndryshuar”, tregon Asllani.

Mesfushori që po udhëheq Shqipërinë në Euro 2024, admiron Kakan, ndërsa te Interi, nuk është startues, por pjesë e rëndësishme e eklipit që ka fituar ‘Scudetton’ këtë vit. Tani ‘kamarieri’ vendos në pjatë gola dhe asistime.

“Ai është rritur shumë dhe është shumë i fortë mendërisht. Ai e ka kuptuar që jeta nuk të jep asgjë”, deklaroi trajneri i tij te Shqipëria, Sylvinho.

Mund të priste thirrjen nga Italia… por ndihet krenar që ka zgjedhur Shqipërinë: “Gjaku im është shqiptar, në shtëpi flas herë pas here gjuhën dhe gjyshërit e mi mbajnë gjallë rrënjët e mia. Nëse jam në Tiranë me kombëtaren, shkoj gjithmonë t’i shoh”.

Tani Asllani është në Gjermani dhe shpreson që t’i japë kuqezinjve një fitore ndaj Spanjës dhe pse jo edhe një vend në turin e dytë.

“Të ëndërrosh është falas” – e mbyll shkrimin e saj Marca. /Telegrafi/