UBT

Për një vikend të mbarë …Mëngjesi i një të diele

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Ditëve të fundit sa herë takohesha me L. ashtu befas, se po kalonin gati dy vjet e nuk flisnim, vëreja në fytyrën e saj njëfarë ngazëllimi që shiheshim. Shiheshim e nuk flisnim. Sa nuk digjesha. Ta kesh përpara njeriun që e do dhe të mos i flasësh!? Kjo s’ishte aspak e lehtë. E kur më kujtohej pse ishim prishur, më dukej absurde, e pakuptueshme. Të prishesh me njeriun vetëm pse ti e do dhe e do shumë? Madje edhe të mos flasësh? Kjo më brente, nuk më linte të qetë.

Sa kalonte koha më dukej se e harroja, e shlyeja nga kujtesa. Dhe kur e shihja rrallë e ndonjëherë se i ikja takimit bëhesha indiferent, i painteresuar, ashtu siç mund të jesh edhe me një njeri të panjohur. Po bindesha më vonë se këtë e bëja me vështirësi të madhe meqenëse L. nuk ishte e panjohur për mua. Ishte një vashë që sa herë ta shihje të ngjallte ndjenja dashurie. Ani sidomos kur ma rikujtonte Nelijen.

Kështu paraqitej edhe L., sidomos në fillim të mosmarrëveshjeve, ato ditët e para kur më dukej se ajo tmerrësisht më urrente me ato shikimet e vrazhda shpuese. Nuk i shihja dot ato shikime, andaj gjithmonë ktheja kokën në anën tjetër. Ndërkaq, thellë në vete kisha një besim se L. do t’i kalonte hidhërimi, do t’i kthehej prapë këngës së mëparshme, dashurisë ndaj meje.

Ishte rëndë të pajtohesha me gjithë ato që ndodhnin. Se do të kalonin më se tre muaj e s’do të shiheshim, kur kishim të njëjtën udhë, të njëjtin cak për të shkuar nuk e besoja dot. Kisha arsye të mos besoja, sepse të gjitha drejtimet na shpinin në një pikë, në pikën e takimit të pritur.

Prit një ditë, prit shumë ditë, asnjë shenjë nuk dukej kund. U bë një muaj, dy, e ajo kishte humbur sikur të mos ishte fare. U desh të vinte edhe muaji i tretë, të kalojnë edhe disa ditë të tij e ne të takoheshim si gjithherë, krejt papritur, kur kisha humbur të gjitha shpresat se mund ta shihja së paku edhe një herë L. e përmes saj edhe Nelijen. Malli për Nelijen ma shtonte dëshirën për ta takuar edhe L. Pa praninë e saj jeta nuk më dukej jetë. I ngjante një boshllëku, një zbrazësie.

Disa herë u vërtita rreth vendit ku rrinte L.
Drama nuk vinte. Më duhej të prisja aty ku më së paku më pritej. Në endje e sipër seç më shkuan sytë në peronin numër tre. Mbështetur për shtyllën e hekurt rrinte L. me një të njohur. Ajo qysh më parë më kishte vërejtur dhe i dukej që unë me qëllim nuk e shikoja. I puqëm shikimet për një çast, po ato na dhanë të kuptojmë shumë. Dukej sikur vidhnim njëri-tjetrin tinëzisht. Gazi në fytyrën e L. filloi të shuhej, të zbehej që pas pak të ndizej sërish.

Fundamenti

Atë ditë udhëtuam së bashku, siç mund të udhëtojnë dy të huaj pa folur fare mes vete. Vetëm herë-herë shikoheshim, sikur kërkonim fillin e gjithë asaj që na ndante.
Kur zbritëm dhe u larguam nëpër udhët që ndaheshin e na ndanin, m’u bë se po shkundesha nga një ëndërr e rëndë. Isha i vetëm, krejtësisht i vetëm në udhën e gjerë.
Një kohë të gjatë ai udhëtim bashkë me L. nuk më shqitej nga kujtesa. Një se ishte një takim pas sa kohësh. Dy se çdo gjë ishte e parëndomtë. Tre se e shihja përherë kur nuk e prisja. Për një gjë ende nuk isha përcaktuar qartë, i dëshiroja a nuk i dëshiroja këto takime monotone e pa fjalë. Mendova më mirë ish të mos shiheshim fare. Kështu nuk do ta lëndoja as veten, as atë.

Po ajo?
Më vonë nga takimi në takim, sikur ndryshonte. Dukej e gëzueshme po gëzimin sakaq e fshihte. Veç nuk mund ta fshihte edhe fytyrën, sytë e zezë, që më ndiqnin nga pas, nuk më harronin. Më bëhej se vetëm ata sy më donin. Një ditë edhe më lindi një dëshirë e marrë, sikur t’ia rrëmbeja ata sy L. dhe ta lija të verbër pa sy. Ajo patjetër do të nisej më pas drejt meje si sytë e saj.

L., thosha nganjëherë, mund ta konsideroj të humbur, të harruar. Po nuk harrohej. Kur mendja e linte anash zemra për të rrihte. Një zë i brendshëm më pëshpëriste vazhdimisht: ajo herët a vonë do të kthehet. Si do të kthehet? Zor ta besoja. Pse të mashtrohesha? E kisha parasysh largimin e saj si një erë e fuqishme, ndaj bindja për moskthimin e saj forcohej e forcohej. Atëherë kur kjo bindje më dukej e pathyeshme, ndodhi diç që nuk e prisja prej saj: u kthye!

Mëngjesi i asaj dite të diel, të trembëdhjetë prillit, nuk e duroi më ndarjen tonë, monotoninë e shikimeve pa fjalë, lojën e padurueshme me sy. L. dukej e shqetësuar. Disa herë kaloi nëpër turmën e njerëzve duke kërkuar dikë. Ai që kërkohej prej saj s’ishte dikush tjetër pos unë. Më në fund u pamë. Kaloi fare pranë. Kur deshi të më përshëndeste gjuha e mashtroi. Iku me hapa të ngadaltë tutje. Seç parandjeva diçka të bukur. Rrija në të njëjtin vend derisa turma po shpërndahej. L. prapë kaloi pranë meje. Gjuha sërish e mashtroi. Ç’të prisja? U nisa drejt shtëpisë. Kur pa se po largohesha, mblodhi të gjitha forcat, la mënjanë gjithçka që mund ta pengonte pas sa kohësh, më thirri në emër. Zëri i saj i dridhshëm, i përvajshëm, më dukej një zë i largët, i shterur, një zë që gati e kisha harruar. Ai zë kumboi aq papritur, ndaj m’u duk i pabesueshëm. Nuk gjegja. As kokën s’e ktheva. Vetëm hapin ngadalësova. Emri im u përsërit. Kinse nuk e dëgjova. Ecja ngadalë sikur numëroja hapat. L. u turbullua pa masë. Sikur të mos ndalej? Ah edhe unë… Thirri për të tretën herë me një ton më të lartë, më të dridhshëm, më të përvajshëm. U ndala. Ktheva kokën në drejtim të saj. E shqetësuar pas gjithë asaj fërfëllize – do të ndalesha, a s’do të ndalesha ajo po vinte kah unë. A është e mundur thosha me vete, tek e shihja me aq vendosmëri, duke ecur drejt meje. Sytë m’u mjegulluan. Në të vërtetë m’u duk se i kisha të tillë. I fërkova. Ata nuk më gënjenin. Ajo qetë, shumë qetë, vinte aty tek e prisja në cep të udhës. Vinte pas sa kohësh, e merrte frymë thellë thellë, si të kishte kaluar kilometra udhë, si ta rëndonin barrë të rënda mbi supe, po disi e lehtësuar, ani se flakë e kuqe në fytyrë. Herë zbehej, zverdhej, herë skuqej. Diçka bluante në kokë. Diçka shtypte nën dhëmbë. Unë gjithashtu. Indiferenca ime rrënohej. Muret e saj shembeshin, shqepeshin. Kureshtja shtohej. Ç’ka për të më thënë?
– Mirëmëngjesi – pëshpëriti ajo.
– I mirë, veç tash u bë – desha t’i them por buzët nuk u hapën. I bashkuam fillimisht vetëm duart. Ishim afër, më afër se kurrë. Jo vetëm atë ditë. Edhe shumë ditë të tjera, edhe shumë muaj. Biseduam për gjithçka që kish të bëjë me ne. Çudi vetëm për Nelijen, vetëm për Nelien, s’i thashë gjë. T’i thosha së paku se e doja për hir të saj…
( Fotografia: kujtim nga miku im i çmuar, Muhamed Sadriu.

Sabit Rrustemi
Gjilan, 19 nëntor 2016 )