Uji Dea

Pedagogu shëmbëlltyrë

/ 11 minuta lexim
RCCOLA

Nga Shaban Cakolli – Kam shumë për të thënë, por sa do që të mundohesh të thuash apo të shkruash për profesorin e dashur , përsëri nuk do të mundesh me gjetur fjalë e shprehje që të mund të thuash të gjitha ato që duhet të thuhen për një personalitet të dalluar dhe për një ligjërues të madh. Profesori ynë i dashur Xhavit Kryeziu gjithmonë ishte, është edhe tani dhe do të mbetet shëmbëlltyrë Personalitet i spikatur, pedagog dhe ligjërues i dalluar. Urtësia, mençuria dhe këshillat e tij të ngrohta e miqësore, nuk mund të harrohen në jetën tonë, e që do të mundohemi të i shpalosim herë pas here.

Kanë kaluar vite e vite, e kujtoj fëmijërinë time dhe thuaj se sigurohem se asgjë nuk kam harruar nga fëmijëria ime e pa fëmijëri. Sikur na burrëronte vet koha e pakohë, kur në vend të lodrave kishim obligime tjera, me muskujt tonë fëmijëror duheshim të bëheshim krah ndihme për prindërit, ngase kohë për lodra nuk kishte. Jetonim fëmijë fshataresh, pas mbarimit të mësimit nuk gjenim kohë për pushim, na prisnin me një pjesë buke në dorë, na caktonin obligime, në mos tjetër së paku për të ruajtur tufën, madje verës kryenim edhe punë të rënda bujqësie, mjetet ishin primitive madje korrnim edhe drithërat me drapër.

Vjeshta kishte punët e veta, vjeljen e misrit, pemëve e perimeve. Mbase dimrit kishim pak kohë më të lirë, herë-herë vidhnim ndonjë gjiro skijimi, nga se po të u binim në sy prindërve jo vetëm se na qortonin, shpesh edhe na ndëshkonin, sepse sipas tyre me skijim shkatërroheshin këpucët, e ato duhej ruajtur mirë, nga se prindërit tanë nuk kishin të holla për të na blerë këpuca dy here në vit.

Nuk kishte as autobus, ne nxënësit udhëtonim këmbë shtëpi-shkollë dhe anasjelltas, nga katërmbëdhjetë kilometra në ditë. Mësonim natën, ngase ditën nuk kishim kohë për mësimin, madje mësonim përmes dritës së llampës së vajgurit, se në ato fshatra malore nuk kishte energji elektrike.

Pavarësisht kushteve të vështira, varfërisë, ne kishim vullnet, interesim dhe përkushtim në mësime. Nuk shkonim në shkollë pa i kryer detyrat, pa u përgatitur, ngase na vinte turp edhe prej mësimdhënsve të cilët i respektonim shumë. Po jetonim në kushte të rënda, për këtë nuk mundemi të i fajësonim as prindërit, ngase edhe ata nuk kishin dëshirë të jetonin skamnorë, edhe ata kishin merakun që ne fëmijët e tyre të jetonim më mirë ,por varfërinë për ditë e më tepër na e sillnin pushtuesit të cilët jetonin nga djersa jonë, duke na zhytur në një varfëri të skajshme.

Pasi mbaruam shkollimin fillor, duhej të vazhdonim shkollimin e mesëm në Dardanë (ish-Kamenicë). Edhe po të donim të udhëtonim ishte e pamundur, autobusët qarkullonin rrallë, ne mësonim në turnin e dytë pas dite, andaj çem detyruar të banojmë në Dardanë. Banesat ishin të shtrenjëta,pa asnjë kusht jetese,ato katër mure,një shtrat që e sillnim nga shtëpia, një stufë, nuk kishim as tavolinë pune, paguanim nga tetëqind dinarë atë kohë kjo ishte shumë.

E kujtoj si sot: Në banesën ku banoja unë, banonim katër vetë në një dhomë. Mua më ra shorti që shtratin tim të e vendosja pranë dritares. Dhoma kishte një dritare, me një pjesë xhami, kurse pjesa tjetër e xhamit ishte e thyer, në vend të saj kishte një karton!

E kujtoj dimrave të fortë kur binte dëborë me frymë, përmes atij kartoni bora binte në shtratin tim. Habitem sa të qëndrueshëm ishim, nuk na lëkundte asnjë stuhi, ngase ishim të etur për pakëz dritë.

Eh,ato vite të vështira, kur banoja në Dardanë, larg prindërve, pavarësisht vuajtjeve vetja më dukej më i burrëruar. Mësonim në Qendrën e Shkollave të mesme”9 Maji”, tani quhet “Gjimnazi Ismail Qemali” në Dardanë.

Ato momente nuk i harroj kurrë, madje tani kur jam i mërguar larg atdheut, më kujtohen çdo çast, madje shpesh i shoh në ëndërr. Më kujtohet i tërë kolektivi i arsimtarëve, të cilët ishin aq të përkushtuar të punonin me ne, madje edhe kujdeseshin të punonin me pedantëri me ne, mund të them lirisht kujdesi i tyre për ne ishte sikur prindi që kujdesej për fëmiun e vet.

Mësimdhënësit tanë me një fjalë veç pedagog, ishin edhe atdhetarë të shquar kombëtar, edhe pse koha nuk ishte për një guxim që ata të e shprehnin haptas.

Nga veprimtarët e devotshëm kombëtarë kujtoj Mehmet e Izet Surdullin, Xhavit Kryeziun, Sevdai Thaçin, të cilin e kisha plot katër vite kujdestar klase, Haqif Cana, Halil Dërmaku, Isah Kallaba, Zijah dhe Abaz Rrudhani, Nijazi Thaçi, Nazim Qehaja dhe Asllan Ajvazi.

Në jetën e njeriut janë disa momente që fiksohen në mendje dhe nuk harrohen kurrë. Madje të fiksuara qysh moti, e të cilat i kujtoj me mall nga mërgimi i largët, ku djeg dashuria e malli, ku kujtesa të kapë në çdo çast.

Veç mallit të vendlindjes fiksim i pa shlyer në kujtesë më ka mbetur te shokët e shkollës, miqtë, disa persona të veçantë si mësuesi, mësuesja, mjeku , profesori,etj. Edhe ata njeriu i bartë në kujtesën e vet dhe i kujton me pietet dhe dashuri.

Njëri i cili asnjëherë nuk më hiqet nga kujtesa, për të cilin kam shumë dashuri e respekt është Xhavit Kryeziu, atë botë profesor i gjuhës shqipe, edukator i shembullorë, i dashur, i ngrohët, i interesuar mishërisht për të na e bë të njohur çdo mësim, madje çdo fjalë që fliste.

Po kështu mund të thuhet për profesorin tim të gjuhës shqipe në shkollë të mesme. Ai, pra profesori im i gjuhës shqipe, ishte aq i thjeshtë dhe modest në jetë, por i pasur me dije dhe me fisnikëri si rrallë ndonjë tjetër. Ai i tillë është edhe sot, në pensionin e tij të merituar!

UBT

Ai, pra, profesori im(dhe i të tjerëve) na ligjëronte lëndën: Gjuhë shqiptare. Dhe ligjëronte me aq pasion saqë ne ish nxënësit e tij edhe sot sikur i dëgjojmë në vesh ato ligjërime të tij! Dhe domosdo që ora mësimore e gjuhës shqipe, fal profesorit, ishte më e dashura për ne!

Ai i dashuri profesor i gjuhës shqipe,i madhi Xhavit Kryeziu, edhe pas dhjetëra e dhjetëra vitesh ka mbetur më i respektuari në kujtesën time, i dashur dhe i ngrohët mu si në atë kohën kur na ligjëronte, i rinuar edhe sot kur është në pension, ashtu duket i pandryshuar sikur ato dhjetëra vite më parë kur na ligjëronte përzemërsisht, kur mundohej të na i mësonte të gjitha.

Unë i mërguari prej kohësh, në ndeja, në biseda, në punë, larg atdheut çdo çast i kujtoj këshillat e tij të kujdesshme sikur atërore, të urtërta e të mençura, këshilla këto që më kanë ndihmuar të hapëroj, e me të cilat po plakem.

Sa herë shkoj për pushime në Dardanë, nuk mundem të kthehem pa e takuar profesorin tim të dashur, madje sa herë e takoj për disa çaste harroj gjitha brengat, ndihem sikur iu ktheva fëmijërisë, sikur lumturohem tej mase. Profesori i cili u ka ligjërua aq shumë brezave, as sot në pension nuk pushon asnjë çast, madje ka shkruar e po shkruan libra e monografi për arsimin,shkollën.

Sa do që të mundohesh të thuash apo të shkruash për profesorin e dashur, përsëri nuk do të mundesh me gjetur fjalë e shprehje që të mund të thuash të gjitha ato që duhet të thuhen për një personalitet të dalluar dhe për një ligjërues të madh .

Profesori ynë i dashur gjithmonë ishte , është edhe tani dhe do të mbetet shëmbëlltyrë . Personalitet i spikatur, pedagog dhe ligjërues i dalluar. Ne e konsiderojmë si njeriun tanë më të dashur, që ndërtoi një vepër të ndritur edukative dhe arsimore .

Si i tillë ai ishte, është i admiruar dhe i respektuar nga të gjithë : nga nxënësit , nga prindërit , në veçanti nga kolegët e punës . Ai sot në shikim, ndjehet krenar për të gjitha ato që i bëri në procesin edukativë dhe arsimorë .

Është obligim moral dhe shoqërorë që t`ia themi dhe ti falënderohemi për të gjitha ato që dha në lëmin e arsimit e sidomos për këtë vatër të diturisë .

Xhavit Kadri Kryeziu u lind më 24. 4. 1943 në Rogaçicë, komuna e Dardanës (Kamenicës). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, Normalen në Gjilan (1965), ndërsa ShLP-në, Dega e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Prizren (1968).

Fakultetin për të njëjtën degë e kreu në Prishtinë (pa shkëputje nga puna), Shkollën e Oficerëve Rezervë- Dega e Artilerisë Tokësore në Zarë të Kroacisë e që pas mbajtjes së praktikës ushtarake në Slloveni, merr gradën e nëntogerit dhe pastaj magjistroi në Fakultetin e Mbrojtjes Popullore.

Në detyrën e mësuesit e arsimtarit ka punuar në shkollën e vendlindjes në vitet 1965-1973 (me ndërprerje). Në vitet 1973-1978 punoi në detyrën profesorit për lëndën e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Gjimnazin e Dardanës.

Në vitin 1978 emërohet kryeshef në Organin e Mbrojtjes Popullore të kësaj komune, ku punoi deri në vitin 1988. Në qershor të këtij viti pushteti serb filloi fushatën e largimit të punëtorëve shqiptarë nga puna, duke filluar nga këto organe, e kështu u veprua edhe ndaj tij që më se një vit mbeti pa punë.

Në vitet 1981-2001 ka ligjëruar lëndën e Mbrojtjes Popullore në Fakultetin Teknik të Prishtinës, Dega e Makinerisë, në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, pra, deri kur hiqet kjo lëndë nga programi mësimor. Që nga viti 1989 punon në Gjimnazin “Ismail Qemali”, ku punon edhe tash dhe jeton në Dardanë. Krahas punës është marrë edhe me shkrime. Deri më tash ka botuar më se 20 punime nëpër gazeta dhe revista, nga fusha e historisë, gjuhësisë dhe letërsisë. Deri tash ka botuar këto libra:

-Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës, 1945 – 2000, me bashkautor, botuar me 2001 (300 faqe).
-Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës, 2000 – 2005 (II), me bashkautor, Gjilan, 2006 (216 faqe).
– Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) I, Gjilan, 2006 (126 faqe).
– Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) II, Gjilan, 2007 (102 faqe).
– Gjimnazi Ismail Qemali i Kamenicës (1964- 2007) -I-” Gjilan, 2009 – Monografi.

Xhavit Kryeziu ka shkruar edhe libra të tjerë, pasi ne po shihemi rrallë, këtë mundësi na e ka shkaktuar kurbet,por besoj se me librat e tij të tjerë do u njoftoj ndonjëherë tjetër.

Urojmë që shembulli i tij – prej mësuesi profesionist dhe të përkushtuar të shërbej për të gjithë ushtruesit e këtij profesioni fisnik,kurse juve baca i nderuar Xhavit, ju përshëndesim nga thellësia e zemrës, nga mërgimi i lartë, duke ju dëshiruar shëndet të mirë, gjitha të mirat në jetën tuaj, krijimtari të mëtejme. Me dëshirën për të u pa sa më shpejt në vendlindjen tonë të dashur në Dardanë./rajonipress/