Pa tym duhani në rrugën drejt BE-së

Nga Faik Hoti – Në kohën kur duhanpirja konsiderohet një epidemi globale, dhe ku të dhënat shkencore tregojnë se brenda çdo viti bota numëron 5.4 milionë vdekje nga pasojat e duhanpirjes, apo në çdo 6.5 sekonda vdes një njeri nga pasojat e duhanpirjes, fuqizimi i politikave të kontrollit të duhanit përveç se paraqet një kontribut të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e shëndetit publik, paraqet edhe një detyrim kushtetues për të siguruar një mbrojtje universale nga duhanpirja e drejtpërdrejtë dhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit.
Para të dhënave shqetësuese, të bazuara në të dhëna shkencore, sipas të cilave rreth 1/4 e kosovarëve janë duhanpirës, me një konsum prej 2687 cigareve në vit për kokë banori, duke u renditur menjëherë pas vendeve si Serbia (2861), Bullgaria (2822) e Greqia (2795), dhe ku prevalenca e duhanpirjes te shtatzënat është konstatuar të jetë 21 për qind, ndërsa 54 % e të porsalindurve i ekspozohen pirjes së duhanit në ambiente familjare, Ministria e Shëndetësisë duhej të lëvizte me shpejtësi dhe t’i propozojë Qeverisë dhe Kuvendit, Projektligjin për Kontrollin e Duhanit, si një draft më të avancuar krahasuar me ligjin në fuqi.
Ky projektligj, esenca e të cilit ka të bëjë me ndalimin 100 % të duhanpirjes në hapësirat e mbyllura publike, hapësirat e mbyllura të punës, në transportin publik dhe në hapësirat e tjera publike (të hapura apo kuazi të hapura), në fakt ka adresuar çështje të cilat janë ngritur edhe nga mekanizma relevantë, si Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit që pas monitorimit të zbatimit të Ligjit për Duhanin Nr. 02/-36 ka rekomanduar aplikimin e kësaj mase; diçka e kërkuar edhe nga Koalicioni Antiduhan në Kosovë, që përfaqëson rreth 20 subjekte qeveritare dhe joqeveritare, Inspektorati Sanitar, zyrat respektive të OBSH-së dhe UNICEF-it në Kosovë; dhe raporti i Progresit i Komisionit Evropian – pjesë për shëndetësinë (2011), ku Kosovës i kërkohet të ndërmarrë masa për zbatimin e Ligjit për Duhanin.
Masa e ndalimit të duhanpirjes së plotë në vendet e mbyllura publike, në hapësirat e mbyllura të punës, në transportin publik dhe në disa hapësira të hapura tashmë si politikë është përqafuar nga vende të ndryshme të Evropës përfshirë këtu Britaninë e Madhe, Norvegjinë, Islandën, Irlandën etj., dhe kjo masë është në përputhje të plotë me nenin 8 të Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (FCTC), të cilën e kanë nënshkruar 176 shtete të botës (përfshirë edhe 26 shtete të BE-së, me përjashtim të Çekisë), që paraqesin 90 % të popullatës në botë.
Ndalimi 100 % i duhanit në hapësirat e lartpërmendura është masë që ndikon drejtpërdrejt në uljen e prevalencës së duhanpirjes dhe në mbrojtjen e joduhanpirësve nga ekspozimi në tymin e duhanit. Shembulli i Turqisë e tregon këtë. Atje, kjo masë ndikoi që duhanpirja të zvogëlohet nga 1646 cigare për kokë banori në 2001, në 1220 cigare më 2011.
Ky projektligj, bazuar në praktikat e vendeve të BE-së, ka propozuar, po ashtu, aplikimin e vërejtjeve me fotografi dekurajuese për përdoruesit e duhanit, përveç vërejtjeve të përgjithshme me tekst, ashtu siç parashihet në Direktivat e BE-së për Kontrollin e Duhanit.
Hartuesit e këtij Projektligji më të avancuar në kuptimin e forcimit të masave për Kontrollin e Duhanit kanë propozuar edhe ndalimin e ekspozimit të duhanit në pikat e shitjes, si një masë që synon të dekurajojë të rinjtë të marrin duhanin, pasi që të dhënat shkencore tregojnë se zvogëlimi i dukshmërisë dhe pranueshmërisë sociale për produktet e duhanit, me kalimin e kohës ndikon në reduktimin e prirjes së duhanit në mesin e të rinjve që është edhe një prej qëllimeve bazë të këtij projektligji.
Me gjithë mospajtimet e shprehura rreth propozimit për ndalimin e ekspozimit nga industria e duhanit, e cila thirret në mbrojtjen e lirive komerciale, Kushtetuta e Kosovës (neni 22 dhe 50) detyrojnë Qeverinë e vendit për të mbrojtur shëndetin e popullatës, veçanërisht të fëmijëve të saj, pasi që e drejta e fëmijëve për t’u mbrojtur nga e keqja si duhani, zëvendëson çdo interes komercial të sektorit privat.
Bashkë me masat e tjera të propozuara, Projektligji për Kontrollin e Duhanit përfaqëson një mekanizëm të mirë që do t’i ndihmojë Kosovës të largohet nga përqindjet e larta të duhanpirjes dhe do të shërbejë për vendimmarrësit e Kosovës, institucionet dhe agjensionet në zbatimin e tij, për të demonstruar qartë se shëndeti i popullatës në Kosovë, para së gjithash i fëmijëve, të rinjve dhe shtatzënave, është më i rëndësishëm se çdo interes komercial apo politik. Synimi është që ulja e prevalencës të arrijë nivelet e BE-së dhe qëndrimi në Kosovë rreth duhanpirjes të jetë i krahasueshëm me ato në BE.
Ndërkohë që industria e duhanit përmes interferimit të saj të drejtpërdrejtë si te politikëbërësit, të zgjedhurit e popullit dhe mekanizmat e tjerë vazhdon të jetë evidente, duke rritur gjithashtu në mënyrë të sofistikuar edhe përpjekjet për sponzorizim dhe reklamim të këtij produkti të dëmshëm, Kosova ka para vetes disa dëshmi të bazuara në evidenca shkencore, të cilat e bëjnë urgjente miratimin dhe zbatimin e Projektligjit për Kontrollin e Duhanit.
Shkallë e lartë e konsumimit për kokë banori: 2687 cigare në vit për një të rritur; Varfëria e lartë (40 % varfëri absolute, 18 % varfëri ekstreme); Papunësia e lartë (më e larta në Evropë mbi 40 për qind në përgjithësi dhe 73 për qind në mesin e të rinjve); Vdekshmëria e lartë e foshnjave: (17.8 Promila); Jetëgjatësia, 11 vjet nën mesatare e BE-së (Kosova 69 /BE 80); Sëmundjet jo ngjitëse në rritje: kanceri, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti si dhe qasja e kufizuar në kujdes cilësor shëndetësor…, përbëjnë grupin e indikatorëve që Kosovën e detyrojnë të ecë më shpejt drejt miratimit dhe zbatimit të këtij projektligji, pasi që si shtet i ri dhe me një ekonomi të dobët, nuk është në gjendje ta bartë varësinë nga kjo barrë.
Lufta kundër duhanit është e vështirë dhe nuk ka ndonjë formulë unike, por shtetet kanë mësuar nga njëra-tjetra, nga përvojat e mira dhe të këqija. Prandaj, me Projektligjin për Kontrollin e Duhanit, zgjedhja u takon vetë kosovarëve dhe deputetëve të tyre: të zgjedhin midis duhanit dhe shëndetit.
“Ne e dimë që përdorimi i duhanit nuk është zgjidhje. Duhanpirja është varshmëri e madhe. Por, zgjedhja e vërtetë është midis duhanit dhe shëndetit”, ka thënë drejtori gjeneral i OBSH-së në Konferencën për Duhanin në Singapor.
Qëndrimet në BE rreth duhanit
78% e duhanpirësve në BE nuk pinë duhan në automjete në prani të fëmijëve;
86% e qytetarëve në BE përkrah ndalimin e duhanit në vende publike dhe vendet e mbyllura të punës;
61 % e qytetarëve në BE përkrahin ndalimin e duhanit në kafene dhe bare;
52% e evropianëve në BE kanë kërkuar nga duhanpirësit që të mos pinë duhan afër tyre;
95% e qytetarëve në BE pranon se duhanpirja në prani të shtatzënave mund të jetë shumë e rrezikshme për foshnjën.
(http://ec.europa.eu/health/ph_publication/eurobarometers_en.htm)