Mobi Casa

Pa sundim të ligjit dhe luftim të korrupsionit, s’ka investime

/ 8 minuta lexim

Nisma ekonomike për Promovimin e Kosovës në Austri, gjatë gjashtë viteve të funksionimit të saj ka arritur që t’i sjellë 25 projekte investuese prej regjioneve të ndryshme të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës në vlerë prej 50 milion euro.

Projekte këto të cilat kanë gjeneruar 1000 vende të reja pune. Udhëheqësi i kësaj zyre, Kujtim Dobruna, i cili për gjashtë vite me radhë, ka udhëhequr këtë zyrë, duke promovuar Kosovën, si vend potencial për investime nga jashtë, në një intervistë për Kosovapress, pohon se s’është aspak e lehtë për të sjellë investitorë, pasi që Kosova nuk gjendet në radarin e investitorëve të jashtëm. Madje, sipas tij, është dashur dhe duhet gogja punë, për t’i bindur ata të investojnë në Kosovë, pasi që Kosova në sytë e tyre, ka imazhin e një vendi jo stabil.

Kosovapress: Cila është puna që ju aktualisht po bëni për promovimin e Kosovës jashtë vendit?

Dobruna: Aktualisht jemi duke përmbyllur aktivitetin gjashtë vjeçar në kuadër të cilit kemi mbështetur investitorët e huaj, për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë. Krahas këtij aktiviteti, kemi bërë promovimin konsekuent afatgjatë të Kosovës si destinacion i përshtatshëm, për investimet e huaja. Është një projekt që gjatë këtyre viteve ka zgjuar mjaftë interesim tek investitorët e huaj. Tash gradualisht, ashtu siç ka qenë e paraparë, Qeveria e Kosovës, pasi që ka ngritur kapacitetet vetanake, do të marrë përsipër promovimin e investimeve të huaja në regjionin gjermano folës. Ndërsa ne si Nisma Ekonomike për Kosovën, si institucion i etabluar tashmë austriak në këto dhjetë vitet e fundit, është duke bërë mbështetjen e zhvillimit apo proceseve ekonomike në Kosovë. Do të vazhdojmë të jemi prezent dhe do të vazhdojmë të ofrojmë shërbimet tona. Natyrisht tash edhe me një theks të veçantë në promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Konsideroj se sektori privat, ka nevojë për mbështetje, për një zhvillim të qëndrueshëm.

Kosovapress: Ka investitorë të cilët gjatë këtyre viteve, kanë investuar në Kosovë, si rezultat i lobimit tuaj?

Dobruna: Aktivitetet tona kanë vazhduar dhe kemi qenë të bindur dhe kemi pritur shumë, që në momentin e pavarësimit të Kosovës, do të hiqet njëra prej barrierave kryesore, që i ka ndalë investitorët e huaj, që të vijnë në Kosovë. Ajo barrierë është hequr në shkurt të vitit 2008 dhe rrjedhimisht interesimi paraprak i investitorëve, që ka qenë për të investuar në Kosovë, është parë që ka qenë në rritje dhe se kjo reflektohet dhe në shifrat e investimeve të huaja në vitin 2007 dhe 2008. Fatkeqësisht në shtator të vitit 2008, ka filluar kriza financiare ekonomike botërore, e cila gjatë vitit 2009 ka goditur rëndë dhe Evropën dhe në këtë mënyrë jo vetëm në Kosovë, por në gjithë regjionin, ka rënë gatishmëria e investitorëve të huaj, për të investuar. Por dhe gatishmëria e institucioneve financiare, ndërkombëtare për të financuar projekte në vendet e ndryshme. Është reagim normal. Megjithatë, ne si grup i vogël që kemi qenë me resurset tona modeste që i kemi pasur në dispozicion, kemi arritur të realizojmë 25 projekte investuese prej regjioneve të ndryshme të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës. Janë projekte të cilat direkt dhe indirekt kanë gjëndëruar punësim dhe se vlerësojmë se numri i të punësuarve nga këto investime, e kalon shifrën prej 1000 personave dhe se vlera e tyre arrin rreth 50 milion. 50 milion euro gjatë gjithë kësaj periudhe është kontributi ynë. Shpresoj që tani me një bashkëpunim me intensiv dhe me projekte tjera dhe qasjen e re që e kemi, me projektin e ri për sektorin privat, do të mund të gjenerojmë më shumë interes për investitorët e huaj.

Kosovapress: Cilat kanë qenë pengesat, në të cilat ju keni hasur për t’i sjellë investitorët gjatë këtyre gjashtë viteve. Edhe pse ju thoni që ka mjaftë interesim, megjithatë dihet se investime ka tejet pak. Si e komentoni këtë ?

Dobruna: Investime ka tejet pak, kur i kemi parasysh nevojat e vendit. Kur kemi parasysh shkallen e zhvillimit të vendit. Mirëpo nuk duhet të harrojmë, që investitorët nuk zgjohen në mëngjes dhe të thonë se sot po shkojmë të investojmë në Kosovë. Shumë prej tyre, kjo është përvoja ime direkte, ende mendojnë se në Kosovë ka konflikt, ka luftë, ka trazira të përditshme dhe nuk e kanë në radarin e tyre Kosovës si destinacion. Vetëm puna jonë kryesore, ka qenë në thyerjen e këtyre tabuve dhe në informimin e ndërmarrësve. Ne në punën tonë, jemi munduar t’i thejmë këto tabu. Dhe mënyra më e mirë ka qenë që t’i sjellim investitorët këtu. Kemi organizuar një numër të madh të vizitave, të investitorëve qoftë me asociacione, qoftë vizita individuale dhe përvoja e tyre ka qenë shumë pozitive.

UBT

Kosovapress: Përveç ndikimit të krizës ekonomike, cilat janë pengesat tjera për investitorët e huaj potencial, pasi që dihet se gjatë vitit 2012 ka rënie të investimeve?

Dobruna: Natyrisht kriza financiare dhe ekonomike, ka qenë një faktor i jashtëm, që ka ndikuar dukshëm në gatishmërinë e investitorëve dhe institucioneve financiare, për të mbështetur këto projekte. Mirëpo faktorët e brendshme gjithsesi janë ata, që e ndikojnë qasjen apo ndikojnë në vendimmarrjen tek investitorët. Nuk duhet të harrojmë që ne jemi në një regjion që lufton dhe është në një konkurrencë të fortë për të tërhequr, sa më shumë investitorë. Është një lloj lufte e heshtur, duke u zhvilluar me vendet e regjionit, për shkak se të gjithë përballen me sfidat dhe vështirësitë e njëjta si varfëria dhe papunësia. Nga aspekti i brendshëm, Kosova ka bërë dhe kur krahasojmë me vendet e regjionit, ka një klimë të përshtatshme për investime në letër edhe deri në një masë të caktuar dhe në aspekte konkrete të implementimit të saj, gjë që tash dëshmohet edhe prej ngritjes së rejtingut që Kosova ka në raportin e BB-së, sa i përket të bërit biznes. Ky është ndryshim pozitiv. Por sfida kryesore dhe më tej mbetet sundimi i ligjit. Të gjitha përpjekjet institucionale qeveritare, duke u nisur nga parlamenti e deri të ekzekutivit duhet të përqendrohen në luftimin e krimit dhe korrupsionit, nëse me të vërtetë duan një zhvillim të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm ekonomik.

Kosovapress: Sa është e vështirë të bindet një investitor të sillet për parë ambientin, kur çdo ditë flitet për korrupsion?

Dobruna: Mendoj që kjo është një sfidë e vërtetë. Perceptimi për Kosovën i investitorëve të huaj dhe kjo del dhe nga studimet e vazhdueshme që bëjmë për recepcionet që investitorët e kanë për Kosovën, është shumë negativ. E shohin si një vend me një instabilitet shumë të madh politik. Me një pasiguri shumë të madhe politike dhe thjeshtë Kosova nuk është në agjendën e tyre, për çfarëdo aktiviteti financiar, afarist. Besoj që ne me punën tonë promovuese, kemi arritur sado pak t’i thyejmë këto tabu. Mirëpo duhet në mbështetje e vazhdueshme, një kujdes i veçantë, që kërkon angazhim të madh, që investitorët të vijnë të ndjehen mirë dhe të ia lehtësojmë vendimet e tyre, për të investuar këtu.

Kosovapress : Çfarë duhet bërë që kjo gjendje të ndryshojë ?

Dobruna: Vetëm krijimi i kushteve të përshtatshme për sektorin privat, vetëm mbështetja e drejtpërdrejtë e sektorit privat me mekanizma të ndryshëm, skemave të ndryshme mbështetëse, vetëm kjo rrugë mund të qoj deri tek zhvillimi i mirëfilltë i ekonomisë së vendit. Natyrisht që investimet në infrastrukturë janë të nevojshme. Mirëpo unë mendoj, që në të ardhmen dhe sot vendi duhet të koncentrohet në dy pika kryesore, në sistemin e edukimit, që të bëhet ai sa më profesional, sa më i mirë dhe të përshtatet me nevojat e ekonomisë së vendit dhe që të mbështetet maksimalisht zhvillimi i sektorit privat. Kjo për mua është zgjidhja. Nuk është e izoluar nga të gjitha sfidat tjera, por kjo besoj se është rruga më e mirë, për të arritur rezultatet që duam t’i shohim.

Kosovapress: Cilët janë sektorët, për të cilët më shumë kanë qenë të interesuar investitorët e huaj ?

Dobruna: Është një numër i madh i sektorëve, ku Kosova ofron mundësi të investimeve. Nga sektori i bujqësisë, përpunimi i ushqimit, deri tek sektorët më specifik për Kosovën, si; energjia, minierat. Një theks yni i veçantë, që gjithmonë e kemi shtyrë përpara dhe e kemi promovuar më shumë, ka qenë sektori i teknologjisë informative. Për ne teknologjia informative, është ai sektor i cili mund të absorbojë shumë të rinj dhe të krijojë vende të punës për ta. /Kosovapress/