Mobi Casa

Nuk u besojnë përgjigjeve që marrin nga komuna?

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ismajl Kurteshi, kryetar i Qendrës së Lëvizjes “Vetëvendosje” në Gjilan, thotë se komunës ia kanë dërguar 200 kërkesa dhe kanë komunikuar dendur. Ai tha se ka mungesë të përgjigjeve, ka përgjigje të rrejshme dhe tha se nuk u besojnë përgjigjeve që vijnë nga komuna. Transparenca nuk ka tavan, gjithnjë mund të bëhet edhe më shumë, por Gjilani prinë këtë aspekt, ka thënë Shefik Surdulli.

Në një debat të organizuar nga OJQ Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me temën “Transparenca e institucioneve qeverisëse të Komunës së Gjilanit”, është folur kryesisht nga grupimet politike në njërën anë dhe pjesa e pushtetit tjetër në anën tjetër.

Ismajl Kurteshi, kryetar i Qendrës së Lëvizjes “Vetëvendosje” në Gjilan, thotë se komunës ia kanë dërguar 200 kërkesa dhe kanë komunikuar dendur. Ai tha se ka mungesë të përgjigjeve, ka përgjigje të rrejshme dhe tha se nuk u besojnë përgjigjeve që vijnë nga komuna. Dhënia e tenderëve pa konkurs, punësimi pa konkurs e shkelje të tjera janë mungesë transparence, tha ai dhe shtoi se nëse komuna e Gjilanit është e para për transparencë, mjerë komunat tjera se ku qenkan.

Por, Shefik Surdulli, shef i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, ka thënë se institucionet e komunës po e kultivojnë transparencën dhe është e para në Kosovë dhe se për këtë fjalën e vet e kanë dhënë edhe ndërkombëtarët. “Në Gjilan më së shumti në Kosovë ka kërkesa për qasje në dokumentet publike, kurse qytetari përgjigjën e merr me kohë, pavarësisht se a i pëlqen përgjigja apo jo. Transparenca nuk ka tavan, gjithnjë mund të bëhet edhe më shumë, por Gjilani prinë këtë aspekt”, ka thënë Surdulli.

Ai ka mohuar se po i fshehin punësimet pa konkurs, se po japin punë pa tender dhe vërejtje që po hedh opozita, ngase siç tha ai, të tilla në Gjilan nuk ka. “Ju nuk mund ta diktoni gjuhën e komunikimit” ka shtuar Surdulli.

Isa Shefkiu, nga Forumi OJQ “Anamorava”, ka bërë një raport që ka të bëjë me transparencën e institucioneve. Ai ka thënë se nuk është arritur që të joshen qytetarët për seancat e Asamblesë Komunale dhe se rrallë ndodh që qytetarët të njoftohen sa duhet. Ai tha se një komunë me rreth 100 mijë banorë të mbajë vetëm një takim me publikun edhe në të marrin pjesë shumë pak qytetarë.

Mobi Casa

Arianit Sllamniku, nga Lëvizja për Integrim dhe Zhvillim, ka theksuar se ka mungesë të transparencës brenda institucioneve. “Ka vendime që u aplikuan me vite të tëra, tashti u shfuqizuan dhe asnjëherë qytetarëve nuk iu bë me dije pse ndodhi kjo”, derisa Shaban Terziu, nga shoqëria civile, tha se ndodh që të fillojnë projekte pa debat me qytetarë.

Nazmi Rapuca, drejtor për Bujqësi e Pylltari, tha se nuk kanë çka të fshehin, bile se u bënë nder nëse dikush u kërkon ndonjë dokument.

Ai tha se projektet janë publike. I kritikuar për projektin për drunjtë dekorativ, ai tha se është projekti më i qëlluar dhe se ky projekt po përfolët për qëllime politike dhe po mundohen të krijojnë mjegull para qytetarëve. Sipas tij, projekti u hetua dhe nuk doli asgjë e paligjshme.

Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka theksuar se në kohë të shpejtë e korrekte u janë përgjigjur të gjitha kërkesave dhe se janë dhënë edhe të dhëna që nuk janë të domosdoshme për t’u dhënë. Transparenca po rritet, kurse pranojmë vetëm vërejtjet që janë të argumentuara.

Arben Dubova, drejtor për Administratë të Përgjithshme ka mohuar se në Gjilan gjithçka është zi dhe shtoi se nganjëherë është e pamundur që të gjitha kërkesave t’u jepet përgjigje, ngase ka mungesë të hapësirave, derisa Fadil Gashi, nga AAK-ja, tha se aksionet që po i ndërmarrin janë punë vullnetare e jo me qëllim tjetër e Avni Rudaku, nga “Vetëvendosje”, tha se është detyrim ligjor të qenit transparent, duke shtuar se shpesh përgjigjet janë cinike, në formë fushate, përgjigje gjysmake, ka shterpësi të informatave, vonesa në përgjigje dhe të meta të tjera./rajonipress/