Fundamenti

Një vepër e rëndësishme në prozë e frymëzuar nga thesari ynë popullor…

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Përrallat popullore kanë qenë dhe janë akoma kroje të pashtershme për krijuesit tanë. Ato (përrallat), i ka krijuar gjeniu popullor. Janë pjesa më e adhuruar e lexuesve tanë, të cilët aty e gjejnë kulturën, historinë dhe psikologjinë e popullit. Andaj, shumë shkrimtarë tanë e të huaj, janë frymëzuar nga përrallat popullore, këngët e kreshnikëve e nga eposet e lashta të letërsisë.Edhe Elhame Gjyrevci, shkrimtare nga diaspora, është frymëzuar nga ky thesar i çmuar i popullit tonë. Ajo (Elhamja), nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar. Gjer më tani, ajo si krijuese, ka botuar tri vepra letrare: ”Fjala e mirë”, “Kokomilo” si dhe romanin më të ri me titull: “Luisi”. Veprat e saj janë përkushtime të thella e të rralla të artit letrar.

Prandaj, vepra e saj “Kokomilo”, e cila ka një përmbajtje shumë interesante e joshëse për lexuesit, lirisht ky roman mund të radhitet në mesin e veprave të mira të letërsisë sonë. E meriton të jetë edhe lekturë shkollore. Pse jo? Aty vërehet përkushtimi i jashtëzakonshëm i autores, e cila, me njohjen e letërsisë popullore, ajo ka formësuar me kohë një vepër që ka subjekt të qëlluar dhe lexohet me ëndje nga masa e lexuesve. Është vepër që lexohet me një frymë dhe ka një subjekt interesant që hyn në botën përrallore dhe personazhi na del një figurë simpatike dhe joshëse për lexuesit tanë.

Siç dihet, shkrimtarët e letërsisë shqipe e të huaja, në të shumtën e rasteve, subjektet e tyre letrare i kanë marrë apo kanë “huazuar” nga thesari i çmuar popullor. Pra, thesari popullor, krijuesve të ndryshëm ua ka mundësuar që të gjejnë motiv apo frymëzim për të hartuar vepra e tyre artistike me vlera të jashtëzakonshme. Bie fjala, Rexhep Hoxha, nga përrallat e ka shkruar veprën “Lugjet e verdha”; Petro Mako e ka shkruar veprën “Shpella e piratëve”, por edhe shkrimtari francez, Zhozef Bedjeu, e shkroi romanin mjaft të lexuar “Tristani e Izota” etj.

Subjekti i romanit “Kokomilo” i Elahme Gjyrevci është një rrëfim si në përrallat kur flitet për zanat, drangojtë apo kreshnikët. Romani në fjalë ka një rrëfim për “rrugëtimin” e personazhit kryesor, Kokomilo, i cili lindet me një mister. Këtë mister nuk ua tregon askujt, as në momentet e veçanta kur ai gjendet në rrezik. Misterin e ka të ditur vetëm nëna e tij, e cila, sa herë Kokomilo shkon me shokë në ndonjë udhëtim, ajo e porosit që të mos u tregojë misterin se, ai mund ta humb “luftën” dhe jetën. Kështu rrëfen edhe vepra “Tristani e Izota” e Zh. Bedjeut, ku nëna e lind Tristanin e trishtueshëm, sepse natyra atij ia kishte falur një fuqi të mbinatyrshme. Këtu zë fill jeta dhe vazhdimësia e personazhit të veprës në fjalë.

Tek vepra “Kokomilo”e autores Elhame Gjyrevci trajtohet një temë shumë interesante, botën e ëndrrat e fëmijëve, të cilët, ata jetën e ëndërrojnë me fantazitë e tyre, ku ato ëndrra i hudhin përtej të mundshmes. Me fjalë të tjera, kjo autore e zellshme, kësaj here na del para lexuesve më këtë roman, i cili në vete ka një tematikë fort të këndshme për botën e fëmijëve, sepse, duke adhuruar personazhin kryesor, Kokomilon, edhe ata dëshirojnë të bëhen trima, por edhe të jenë simpatikë për të gjithë. Romani “Kokomilo” shquhet për vlerat e konsiderueshme arsimore, edukative, njohëse e estetike. Të gjitha këto vlera autorja ka arritur t’i shpërfaq e t’i realizojë mjaft mirë nëpër mjet fantazisë së saj të zhvilluar apo edhe të “huazuar” e të qëndisur në romanin në fjalë me ato rrëfime që dihen apo janë të njohura të Kreshnikëve e të eposeve shqiptare.

Në vepër kryekëput flitet për rravgimet e Kokomilos, i cili, në jetë, si shumë personazhe të tjera, has apo ballafaqohet me tatëpjeta, por fuqia e tij është një mister që natyra ia ka falur dhe ai shpëton dhe del fitues. Cili ishte ky djalë? Autorja shton se, ky ishte “një djalë me pamje shumë të çuditshme: kishte flokë të kuqërremtë dhe një fytyrë karakteristike, sytë i kishte të rrumbullakët dhe të mëdhenj me ngjyrë të kaftë”, f. 5). Pra, ishte një djalë me disa karakteristika të veçanta, i cili jeton në mesin e disa shokëve, ku, si shton autorja, “në pamjen e parë, nuk të linte përshtypjen se ai mund të ishte djalë i shkathët dhe se mund të kishte një forcë magjike”(f.5). Por, nëna e tij ishte e vetmia që djali i saj kishte një forcë, e cila ishte një mister për te. Ky (Kokomilo) vërtet ishte pak më ndryshe se fëmijët të tjerë. Vijnë ditët tjera, ku kjo forcë e kishte larguar herët nga nëna e tij.

Prandaj, autorja këtë personazh e përcjell hap pas hapi. Ajo çdo ngjarje e veprës i lidh me kaptina të veçanta. Kokomilo niset te kroi. Te kroi për të marrë ujë. Aty takon gra dhe ato habiten se ky nuk flet fare me to. Kjo sjellje e tij i hamendin gratë. Kur vjen në shtëpi, ai i rrëfen nënës së tij se si kishte takuar te kroi njerëz të gjinisë femërore. Nëna frikësohet mos djali i saj, Kokomilo, ka folur, por ai nuk bërë asnjë fjalë. Nënës i vjen mirë për këtë “gjest” që djali i saj e mban misterin e nuk iu tregon shokëve. Ajo i thotë:”Mire ke bërë, të pastë nëna!” (f.11).

UBT

Kokomilo ishte fëmija më i vogël në familje. E donin të gjithë. Ai rritej dhe filloi të shkojë në shkollë. Edhe në shkollë, ai misterin që e pati porositur e ëma e tij, asnjëherë nuk e tregoi. Nga një udhëtim me shokë, ai kishte dëgjuar për vajzat më të bukura që janë zanat e malit. Ky, nga kureshtja se si të takohet me to, pas një kohe të udhëtimit nëpër male, ai u gjend tek zana e malit. Kokomilo ishte shumë i fortë. E qan kodrën në dy anë. Shokët mahniten me këtë mister të tij. Takohet me zanat e malit. Ato e shoqërojnë. E shohin se ky djalë, Kokomilo, është njëri nga fëmijët me bukuri të veçantë. Bukuria e zanave e mahnitnin Kokomilon. Ky shoqërohet dhe bëhet pjesë e tyre.

Më në fund, ky dhe shokët e tij martohen me këto zana. Martohet dhe ky aq bëri një jetë, sa i shpëton zanat dhe shokët me misterin që kishte. Ai (Kokomilo), edhe pse ishte me zanat, përherë i shkonte mendja te nëna e tij. Asnjëherë nuk e harroi atë. Zanat e malit, për ta parë se ai ishte i fuqishëm, e provuan edhe me Drangojtë e me forca të tjera. Por, ky del përherë fitues. Ndëgjon mbreti. Kur ai del fitues, mbreti e shpall Kokomilon të parin e atij vendi – MBRET. Pra, bëhet udhëqës i atij vendi. Më në fund, Kokomilo, pas shumë peripetish, ai kthehet në vendlindje tek prindërit. Nëna e tij ishte mërzitur për ta parë djalin e saj, i cili kaherë kishte dalë e nuk ishte kthyer. Por, më tepër e pati mendjen që misterin e tij mos t’a tregojë askujt, sepse, sipas saj, në atë moment kur Kokomili do t’ju tregojë të tjerëve se ka misterin, ai do të vdes.

Në një vend, Kokomilo shton: ”Po nisem patjetër, duhet mbajtur fjala që ia kam dhënë nënës” (f.118). Ai ishte fëmijë që fort e deshi nënën. E deshi, për faktin se ajo e rriti dhe e pati një fëmijë më të veçantë në jetë. Ishte fëmijë i çuditshëm. Mandej, autorja shton: “Edhe ai kapi kalin dhe hipi mbi të, së bashku me zanën. Fytyra i shkëlqente nga gëzimi”(f.121). Kokomilon e shoqërojnë zogjtë. Ky përshkrim është edhe në veprat e cekura më lartë. Për shembull, te Tristani, e dashura e tij, Izota, kah shkon me qerre, zogjtë e shoqërojnë dhe ajo nga cicërimat e tyre e ndjen se i dashuri i saj gjendet aty afër. Tristani gjende aty në mal. Po në mal janë edhe zanat e veprës së Elhamës.

Edhe tek kjo vepër e Elhame Gjyrevcit, problemet e jetës janë sa jetësore po aq edhe imagjinative. Këtu autorja e veprës e shtie në veprim fantazinë dhe psikologjinë e fëmijëve, të cilët, ëndërrojnë dhe joshen me të këtilla personazhe që u pëlqejnë dhe jetojnë me ta. Bota e Kokomilos është e sinqertë, por edhe delikate. Ai, kur vjen momenti, e përdor forcën dhe del fitues. Kjo fitore e tij e mistershme sikur shpërblehet nga mbreti, i cili, në vend të tij, vjen ai, Kokomilo.

Fillim e fund, vepra “Kokomilo” e Elhame Gjyrevcit është e ndërtuar mbi përrallat popullore, këngët e kreshnikëve e mbi eposet tona. Pra, autorja në fjalë është frymëzuar dhe na ka sjellë në dritë një vepër sa të këndshme, po aq të rëndësishme e me vlera të shumta letrare e estetike. Gati të gjitha personazhet janë të dala me një përshkrim real duke i konkretizuar me format e përshkrimit artistik. Kokomilo është djalosh me tipare e karakter të fortë njerëzor. Ai nuk di çka është frika, as e lartësohen vetën, por mbetet dhe adhurohet si njeri modest dhe trim.

Po ashtu, edhe nëna e tij është grua besnike dhe gjithnjë interesohet për Kokomilon se është më i veçantë dhe më i dashur i saj, sepse e mban fjalën për sekretin që ka të fuqisë magjike fizike, por edhe mendore. Është nënë e dhembshme ndaj fëmijëve, e cila, për fëmijët është në gjendje ta sakrifikojë jetën. Edhe recensenti i librit, Faik Shkodra, në recensionin e tij, pos tjerash, shton: “… autorja ka bërë konceptimin dhe trajtimin artistik të fatit të këtij djaloshi, të cilin e shoqërojnë një grup shokësh të tij. Dëshira e autores që t’i thyejë trajtat e njohura klishe të rrëfimeve të përrallave popullore, mbete një aspiratë e vazhdueshme dhe këtë e realizon në saje të njohurive të gjera që ka për artin dhe brenda kufijve realë – herë herë kalon në kufijtë e komunikimi fantastik”(f.142). Vepra ndahet në 35 kaptina dhe ka 147 faqe tekst./tefik selimi/rajonipress/