RCCOLA

Një vend pune në bujqësi prej 10 deri në 15 mijë euro

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Përmes investimeve që janë bërë viteve të fundit në sektorin e bujqësisë, po krijohen edhe vende të reja të punës në këtë sektor, gjë që po ndikon sadopak në zbutjen e papunësisë në vend. E krijimi i këtyre vendeve, sidomos për agrobizneset, po del të jetë mjaft i kushtueshëm, sidomos në rastet kur në atë vend pune përdoret makineri më e shtrenjtë. Sipas statistikave bujqësore, hapja e një vendi të ri të punës në sektorin e bujqësisë sillet nga 10 mijë deri në 15 mijë euro, por ka raste kur kjo vlerë mund të arrijë edhe më shumë.

Njëri nga agrobizneset vendore, i cili deri më tash ka arritur të punësojë 35 veta, është edhe qumështorja “Eurolona”, e cila përmes investimeve të saj dhe granteve që ka marrë nga Komisioni Evropian dhe USAID-i, ka arritur të zgjerojë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese.

Pronari i kësaj qumështoreje, Milazim Berisha, tregon për portalin “Ferma Ime”, se hapja e vendeve të punës në këtë veprimtari bujqësore sa e vështirë, është aq edhe e kushtueshme për ta. “Hapja e vendeve të punës cilësohet të jetë e vështirë, sidomos në rastet kur investimet e bëra nuk përcillen edhe me përfitime. Madje investimet duhet të jenë tepër të mëdha sidomos në këtë sektor, ku makineritë arrijnë deri në 150 mijë euro”, thotë Berisha.

Aktualisht ai tregon se i ka 35 të punësuar, e për të rritur këtë numër, sipas Berishës, nevojiten investime të mëdha. “Krijimi i një vendi të punës në këtë sektor sipas llogaritjeve të bëra arrin deri në 15 mijë euro”, tregon Berisha. Ai thotë se për të rritur kapacitet prodhuese dhe përpunuese në këtë qumështore kanë pasur përkrahje nga Komisioni Evropian, USAID-i, që sipas tij kanë qenë investime të cilat kanë lehtësuar sadopak hapjen e vendeve të reja të punës.

Në Ministrinë e Bujqësisë, tregojnë se përmes granteve investive, gjatë viteve 2008-2011 kanë arritur të krijojnë 2175 vende të reja pune, në vitin 2012 1863 vende, ndërsa në këtë vit parashihet një rritje më e madhe e punësimit, në rreth 3034 vende pune, duke marrë për bazë rritjen e nivelit të granteve investive.

Kostoja për krijimin e këtyre vendeve të punës, sipas zëdhënësit të MBPZHR-së, Adil Behramaj, është mbështetur në masën prej 50 për qind nga kjo ministri. “Kostoja për krijimin e një vendi pune në bujqësi, sipas përllogaritjeve që ekspertët ndërkombëtar kanë bërë për vendet e punësimit që kemi krijuar ne si institucion, arrijnë mesatarisht deri në 10 mijë euro. Në procesin e vlerësimit, ekspertët janë bazuar në njësinë FTE, pra me orar të plotë dhe bazuar në këto standarde, vlerësohet se një punëtor angazhohet në rreth 3.33 hektarë pemë të reja, në rreth 0.40 hektarë serrë të re, në rreth 4 hektarë vreshta të rinj ose në blegtori, në përkujdesjen e 20 krerëve të bagëtisë”, thotë Behramaj.

Uji Dea

Në anën tjetër, ekspertët e bujqësisë, vlerësojnë se nuk po shfrytëzohen kapacitete e bujqësisë për krijimin e vendeve të punës.

Profesori i Bujqësisë, Skënder Kaçiu, thotë se edhe pse ka deklarata të shpeshta se do të ndihmohet bujqësia, buxheti për këtë sektor është ende shumë i ulët, madje sipas tij me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, nuk parashihet fare rritja e buxhetit për tri vitet e ardhshme për bujqësi. “Qeveria është më tepër e interesuar që të subvencionoj për ta rritur ndikimin politik se sa duke u bazuar në ndonjë analizë për mundësitë që ofron një nën sektor i caktuar. Gjithashtu në këto politika ka ndikim edhe mungesa e skajshme e profesionalizmit të këtyre institucioneve”, thotë Kaçiu, i cili njëherësh drejton grupin e ekspertëve të LDK-së për bujqësinë.

Sipas tij, në vend është ndërtuar një konsensus se bujqësia është një instrument i përshtatshëm për të ndikuar në uljen e papunësisë dhe varfërisë. Megjithatë, në mënyrë që bujqësia ta ketë këtë rol, ai thotë se është e nevojshme që ajo ta ketë një tretman tjetër nga ana e institucionet tona. “Unë pajtohem plotësisht se bujqësia është sektor që mund të ndikoj në rritjen e punësimit dhe uljen e varfërisë por me kusht që të kemi një qasje komplet tjetër duke e ristrukturuar dhe fuqizuar atë në mënyrë që fermerët të kalojnë nga faza e prodhimit për nevojat e veta në prodhues për treg”, thekson profesor Kaçiu.

Sipas tij, kostoja e hapjes së një vendi të punës në bujqësi është më lirë se sa në sektorët tjerë dhe mundësitë për hapjen e vendeve të punës ai thotë se ka më tepër në sektorin e hortikulturës, blegtorisë dhe përpunimit të produkteve bujqësore.

Profesori Skender Kaçiu tregon se nëse investohen 10 mijë deri në 15 mijë euro në një serrë mund të llogariten që të kemi të ardhura për dy persona në vlerë diç më të lartë se sa rrogat që janë nga buxheti i Kosovës. /FermaIme/Telegrafi/