UBT

Një takim i rëndësishëm e emocional i Gjeneratës së Dytë të Normalës së Gjilanit, takohen pas 50 viteve

/ 13 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në ambientin e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, gjenerata e Dytë e Normalistëve gjilanas, shënoi 50-vjetorin e mbarimit të maturës. Para se të fillojë ky takim, këta Normalistë, që tashmë ishin afro 70-vjeçar, njëri-tjetrin nuk e njihnin. I shtonin njëri-tjetrit: a je t`i Enveri, Sabedini apo Fehmiu. Mezi i ranë në “fije” se i takonin klasës V-3, e cila sot festoi takimin si Gjeneratë e Dytë të Shkollës Normale.

Fillimisht, fjalën e parë e pati Fehmi Rexhepi, historian dhe ish maturant i kësaj gjenerate, i cili tha se, po e shfrytëzoj rastin që në fillim t’ju përshëndes për këtë përvjetor fort të rëndësishëm dhe emocionues. “Është ky takim fort i qëlluar, për faktin se, koha e njerëzit po kalojnë. Këto takime e kanë rëndësinë e veçantë, sepse, ky përvjetor, që sot po e shënojmë, është kohë e gjatë, kohë gjysmë shekulli. Pra, 50-vjet nga koha kur ishim maturantë dhe ja sot sikur njëri-tjetrin nuk po e njohim se kemi ndryshuar shumë për këto vite të shkuara. E rëndësishme është edhe fakti tjetër, se kemi dëshmuar në praktikë dhe kemi punuar, por edhe kemi dhënë kontributin tonë gjer në fund për gjeneratat që lamë pas me dije e dituri. Kemi punuar si thotë populli “pa hile”.

Naim Syla, rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, tha se krejt këto që sot po e përjetojmë si ecje të kësaj fushe, janë padyshim kontribut i juaj, i gjeneratave të frytshme, të cilat na bëjnë të jemi jo vetëm krenar, por ta ndjejmë vetën shumë të nderuar, për faktin se, ky mes apo qendër komunale, arriti në këtë kohë ta ketë edhe Universitetin Publik, i cili është në shërbim të masës së të rinjve. Prandaj, këshillat e juaja edhe sot na drejtojnë kah rruga e përparimit dhe e asaj që quhet dije për jetë. Ne akoma mund të mësoj prej jush. Ju keni punuar me përkushtim e zell. Me këtë rast, kam përshtypje shumë të veçanta se jam i emocionuar për faktin se unë sapo kam mbushur 50-tat, e ju sot takoheni për ta festuar Gjeneratën e Dytë të maturës së kryer pranë Normales në Gjilan, e cila shkollë ka qenë një institucion shumë i nevojshëm dhe me perspektivë. Andaj, në emër të stafit e të studentëve do t’ju kisha nderuar dhe do t’i kisha dhuruar me një figurë të Nënës Terezë, si janë si janë profesorët e nderuar: Ibrahim Shabani, Enver Gjinolli dhe Sabedin Sabedinaj. Kjo dhuratë është një simbolikë e Universitetit tonë. Uroj të keni shëndet e të kaloni mirë”. Pas kësaj ceremonie, u mbajt një minutë heshtje për profesorët e nxënësit e kësaj gjenerate që mungojnë.

Me këtë rast, Ibrahim Shabani, profesor i lexoi emrat e nxënësve dhe profesorëve të klasës V-3 të kësaj Gjenerate të Dytë të Normalistëve gjilanas, janë: Agim Sinani, Fehmi Rexhepi, Shefik Haliti, Shyhrete Hasani Azemi, Habibe Bunjaku, Xhemajl Xhemajli, Haki Nevzadi, Musa Halili, Misin Avdiu, Xhevat Dërmaku, Lirije R. Zuzaku, Zejnullah Halili, Ibrahim Thaçi, Xhevat Nazimi, Xhavit Kryeziu, Halil Shkodra, Nuhi Dërmaku, Hysen Tërziqi, Isa Demiri, Elez Hajrizi, Hevzi Duraku, Latif Gashi, Mustafë Basha, Makfire Mehmeti, Shaban Huruglica, Xhavit Arifi, Mejdi Alaj dhe Musa Pajaziti.

Kujdestar i klasës së V-3 e Gjeneratës së Dytë të Normalës ishte Nesrine Tali. Të shtojmë se, në këtë takim, u lexuan edhe emrat e ish nxënësve dhe profesorë të kësaj Gjenerate, të cilët mungojnë, si janë: Nuhi Dërmaku – nx. kl. V-2, Zejnullah Zejnullahu – nx. kl. V-3, Bexhet Aliu, Shaban Halimi, Ramiz Zeka e Haqif
Ramizi.

Kurse, nga ana e profesorëve të kësaj gjenerate, mungojnë: Ekrem Gjinolli, Mustafë Veseli, Rashit Gashi, Sadullah Brestovci, Mehmet Surdulli, Remzi Lloga, Nijazi Azizi, Ditar Qamili, Abdulaziz Veseli, Ahmet Hajdari, Shaban Ibrahimi, Adem Meshina dhe Rashit Alidemaj.

Ibrahim Shabani, profesor i gjuhës shqipe, tha se në kohën kur ai ka punuar me shkollarë, pra me ju të “pjekur” në moshë, asnjëherë nuk jam ulur, por gjithnjë kam qëndruar në këmbë. Po, tha ai se, vetëm kur kam pasur hartime me shkollarë, atëherë jam ulur dhe kam pushuar. Ka qenë punë me entuziazëm. Ishte kohë për t’i shërbyer popullit e gjeneratave të reja që vinin pas. Aty e kishim cakun. E dalloj punën arsimore dje nga ai sot. Ka dallime të mëdha. Atë kohë ishte një mësim me interesime dhe me plot dije. Nxënësi i Normales kanë pasur dije shumë. Ai pas pesë viteve të mësimit të rregullt, ka dalë i plotë me dije, ku ka mësuar për artin e muzikës, artin piktural, gjuhën e shumë lëndë të tjera. Tash është krejt kohë tjetër. Nuk kam fjalë të mira për procesit mësimor. Pse? Dihet. Pak punohet dhe, puna bëhet shkel e shko. Jam krenar që kam punuar në Shkollën Normale, e cila shkollë ka dhënë kuadro të forta për punën me ditar në dorë. Por, punën që e kemi bërë, na kanë penguar të tjerët. Ata përherë kanë qenë pengesë në kriteriumin e notimit të nxënësve. Na kushtëzonin. Lënin nota negative tek nxënësit shqiptarë. Ajo kohë ka qenë edhe me përcjellje. Hartimet e mia kanë shkuar gjer në Organet e Sigurimit të Brendshëm. Kur e kam pyetur Vllada Cvetanoviqin, drejtor, për hartimet e mia që mungonin, ai më ka thënë se ato janë në Organet e Sigurimit. Mandej, gjuhën serbokroate ata e konsideronin si gjuhë kryesore. Me një fjalë, të tjerët, jo shqiptarë, na kanë urrejtur tejmase. Ka pasur prej atyre profesorëve, që jepnin mësim në paralelet shqiptare dhe kanë përfunduar gjer në 22 nota negative. Kjo ishte një “patologji” e tyre, e cila shihej në pikë të ditës se si e urrenin rininë shkollare shqiptare. Bile, të tjerët donin që lënda e gjuhës serbokroate të jetë mbi të gjitha. E mbaj në mend se si është mbajtur një mbledhje nga mëngjesi gjer vonë duke u marrë me “këto” skenime të të tjerëve. S’do të flisja më tepër, por juve ish nxënës ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë. Vazhdoni këto takime edhe herave të tjera. Ju, kësaj here, e keni dhënë një provim të rëndësishëm!”

Enver Gjinolli, profesor i edukatës fizike tha se, do të ishte mirë të flisja nga fillimi, e jo qysh ia nisa tash. “Kam emocione. Më pyetni: pse t’mos kem?! Një shoqe e juaja po më thotë tash “s’po të njoh, po dukesh më i ri se ne…”! E ka me të drejtë. Është kohë e gjatë që kur s’jemi parë. “Unë kurrë nuk kam ngelë nxënës. Unë asnjë nxënës nuk e kam lënë në provim. Por, kam kërkuar punë dhe aktivitet. Juve, klasa V-3, ju kam dhënë mësim në vitin e katërt të Normales. Ishte ajo kohë e traumave. Por, ishte edhe kohë e entuziazmit për punë e dije. Shih, ajo kohë, kur kemi punuar unë, Ibrahimi, Sabedini e disa të tjerë, ka qenë kohë me trauma tek të rinjtë tanë shkollarë. Kjo dihet. Nxënësit vinin dhe nuk e kanë merituar asnjë të kenë nota të dobëta. Sinqerisht po e them, sepse secili është munduar të mësojë e të tregojë sukses. Por, ishte “fati” i kohës dhe të tjerët luanin me jetën e tyre. Kjo mua edhe sot më dhemb. Pse jo? S’di a e keni njohur Kandiqin, profesorin e gjuhës serbe? Ai ka qenë njeri shumë i poshtër. Ishte njeri shoven i madh. Ishte i tëri antishqiptar. Ai kërkonte ta mësojmë gjuhën serbe sikur e kërkonte. Unë isha kujdestar me një klasë shumë të fortë. I kisha 15 të shkëlqyeshëm dhe 14 të shumë mirë.
Ishte klasa e Liman Matoshit, ish nxënës. Këtu Kandiqi i pat përfunduar nja 8 nota të dobëta. Unë i thash se do t’i përmirësoj nota sipas rezultatit në të tjerat lëndë. Unë e bëra këtë . Ai më tha: çka po bën? Iu kërcënova. Pas një viti shkoi në Kragujevc. Kur u largua nga Kosova diku në Serbi, mu lajmërua me një kartë postale me këtë shkrim: “Pozdravla srce Serbije!” Kjo ngjau pas Plenumit të VI-të. Ishte koha e Llaza Stefanoviqit drejtor. Një drejtor i ngarkuar”. Ishte viti 1965. Tash e 50 vite më parë. Ndërkohë ndërhyri

FIDANISHTJA

Ibrahim Shabani, profesor i gjuhës shqipe e tha se, ishte drejtor disa vjeçar në Zhegër në vitin 1957/58. Ishte kohë e rëndë. Për pak, nga urrejtja, nxënësit shqiptarë i merrinin dhe i burgosnin.

Ndërhyri Enver Gjinolli, profesor, i cili tha se, Ibrahimi atë kohë ka qenë njeri me dije dhe i qetë. Ai në momente të vështira ka gjetur zgjidhje. I ka punuar koka dhe ka qenë shumë i vendosur dhe i matur të mendimet e veta. E kemi dëgjuar të gjithë, por edhe e kemi përkrahur. Mendimet e tij kanë qenë të forta dhe me vend. Po më vjen mirë që ju keni punuar dhe keni dhënë mjaft arsimit shqiptar. Të shtoj se, Normalja ishte shkollë profesionale. Nga kjo shkollë kanë dalë arsimtarë të përkushtuar për mësimdhënie e mësimnxënie. Bile, para do vite kem kërkuar që shkolla Normale të jetë në vazhdimësi. Unë pos edukatës fizike, e kam ditur edhe matematikën. Ju do të thoni se e kemi traditë. Natyrisht, po. Unë jam krenar që kam punuar me ju. Po e them edhe këtë se, pa Shkollën Normale, s’mund të jetë mësimdhënës i mirë. Ju uroj shëndete dhe suksese!” Por, tha Shefik Haliti, atë kohë, vërtet Shkolla Normale ka qenë një shkollë profesionale dhe shumë e kërkuar nga të rinjtë. Kush e ka kryer këtë shkollë të tillë, ka dalë i pasur me dije. Pa Normale, s’ke mundur të jesh mësimdhënës i mirë.

Sabedin Sabedina, profesor i kësaj gjenerate të Dytë të Normales tha se, isha nxënës i rregullt i Gjimnazit të Gjilanit. “Unë, tha Sabedini, – kushdo që ka qenë para meje si shkollar, për mua ka qenë nxënës imi. Nuk kam ditur të bëj dallime. Një vit punova në Viti nga klasa e parë gjer në klasën e tetë. Në këtë kohë u shpall një konkurs. U pranova dhe fillova të punojë në Normale. Vallada Cvetanoviqi, drejtor, më tha se mësimin duhet mbajtur në gjuhën serbokroate. E dija pak gjuhën jo shqipe, por më vinte vështirë të punoj sipas recetave të tij. Profesori Velkoviqi kishte dhënë shumë nota negative. Sidomos nota negative kanë dhënë tek disa nxënës nga Cërnica. Udhëhoqa 16 vjet një shkollë në Prishtinë”.

Profesor Shefik Haliti, ish nxënës i Gjeneratës së Dytë të Normales tha se, Mandej, nga kjo klasë kanë dalë profesorë me grada shkencore, si: Dr. Fehmi Rexhepi, Mr. Shefik Haliti, Mr. Xhemajl Xhemajli, Mr. Xhavit Kryeziu e Mr. Misin Avdiu. Kanë dalë edhe krijues dhe kanë botuar së paku nga një libër e më tepër, si janë: Zejnullah Halili autor i 24 veprave letrare, Fehmi Rexhepi, Xhavit Kryeziu, Shefik Haliti, Hysen Tërziqi e Ibrahim Thaçi. Hysen Tërziqi – profesor i historisë dhe autor i disa veprave, tha se ajo kohë, kur është shkolluar, ka qenë kohë tejet e rëndë. “Po ju përkujtoj një “ngjarje” dhe kjo është e vërtetë. Udhëtoja nga shtëpia gjer në shkollë, Gjilan. Kur arrita në klasë, nga koha me shi e borë, këmbët më ishin lagur. Këpucët më bënin zhurmë kah ecja nëpër klasë.

Profesori Rashit Gashi më qortoi dhe më tha pse unë bëj zhurmë. Më erdhi afër dhe deshi të më qortoj. Iu drejtova atij dhe i thash :”Profesor, shih këmbët më janë lagur dhe ato më janë ujë, prandaj bëjnë zhurmë. Kah eci, uji dilte mbi këpucë. Kur e vërejti “rastin” se ishte e vërtetë kjo zhurmë, ai u kthye në anën tjetër dhe lotoi. E ndjeu vetën keq. Kështu ishte kjo kohë. Rashit Gashi ka qenë një emër i madh i profesorit të asaj kohe. Ai ka qenë trim, por edhe profesor i ngritur dhe i vrullshëm. E ka mbajtur orën mësimore si të ishte klasa pa asnjë frymorë. Edhe profesorët tjerë kanë shkëlqyer. Secili ka qenë më i përgatitur, si Mehmet Halimi, Sadullah Brestovci, Nijazi Azizi, Abdylaziz Veseli e të tjerë. Po u rrëfej një lloj “ngjarje” e cila ka qenë e vërtetë. Ka munguar edhe buka. Një kohë mungoi buka, por atë që patëm për të ngrënë, na ishte mykur. S’mundnim ta hanim ashtu. Kemi marrë bukë taze dhe e kem përzier dhe jemi ngopur. Ky ishte rrugëtimi ynë i shkollimit. Ishte një shkollim i vullnetshëm dhe me plot zell.

Në fund, Ibrahim Shabani, profesor i kësaj gjenerate tha se, në vitin 1972 isha një faktor mjaft me emër i kulturës. Shkova në Shkup dhe e solla në Gjilan poetin për fëmijë Ali Huruglica. Por, në Gjilan e solla edhe Muharrem Shahiqin, një regjisor dhe aktor i lindur me talent. Nga kjo “punë” që bëra, kultura në Gjilan, ka shkëlqyer dhe ka ecur përpara. Bie fjala, Ali Huruglica e pati formuar Grupin e Letrarëve e rinj. E aktivizoi panairin e librit, ku në panair janë shitën me qindra libra. Ai ka qenë njeri shumë i përkushtuar për kulturën e për krijimtari letrare.

Ndërsa, Muharrem Shahiqi e ka udhëhequr Teatrin e Gjilanit. Ai ka qenë një artist i madh i asaj kohe. Ndërsa, Shefik Haliti, profesor rrëfeu një ngjarje të jetës si mësues të Ali Huruglicës në fshatin Ramjan. Në fund, të gjithë ish-nxënësit e kësaj Gjenerate të Dytë të Normales së bashku me profesorët e tyre u zotuan se ta botojnë një libër të Gjeneratës së Dytë të Normalistëve të Gjilanit. Kjo ishte një ide pritur dhe u zotuan se do të punojnë pa u ndalur në këtë drejtim. Ishte vërtet një takim i ngrohtë dhe emocional, për faktin se, disa nga nxënësit e kësaj gjenerate u emocionuan dhe në fytyrat e tyre rrodhën lotët nga dashuria për ta parë njëri-tjetrin, të cilët nuk ishin parë një kohë e gjatë për 50 vite të kaluara. /tefik selimi/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.