KKGJILAN

Një takim i ngrohtë me Kosovën, në Stans, NW

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Në kuadër të një manifestimi ndërkulturor, shoqata „Bistro Interculturel“ në bashkëpunim me Qendrën për promovim shëndetësor dhe Integrim, Nidwalden, më 18 maj 2013 në Stans realizoi aktivitetin me temë „Takim me Kosovën“.

Në prani të mysafirëve zviceranë, shqiptarë e të tjerë, moderatorja Besa Kajtazi hapi në Stans të Kantonit Nidwalden “Takimin me Kosovën”, duke i përshëndetur të pranishmit, ndër ta edhe konsullin e Kosovës dr. Sali Sefa si dhe referuesit e këtij takimi: Bedri Krasniqin, Bardhec dhe Roza Berishën, Beatrice Grunder dhe këshilltarin komunal, Gregor Schwander.

Një pasqyrë për historikun dhe gjendjen aktuale të Kosovës e paraqiti Bedri Krasniqi, pedagog social. Gjatë rrugëtimit të tij nëpër të kaluarën e Kosovës, Krasniqi u ndal në disa periudha kohore që paraqesin përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, duke përkujtuar fakte që nga koha ilire e deri në ditët tona. Më gjerësisht elaboroi periudhën e sundimit otoman dhe aktivitetin politiko-ushtarak të Lidhjes së Prizrenit, pastaj kohën e pavarësisë së shtetit shqiptar, ndarjen e vilajeteve dhe mbetjen e Kosovës në kuadër të Mbretërisë jugosllave, për të vazhduar me Luftën e Dytë Botërore kur Kosova sërish i aneksohet Jugosllavisë, si dhe maltretimet dhe dëbimin që shqiptarët e përjetuan në kohën e Rankoviqit.

Më tej z. Krasniqi paraqiti aspekte nga viti i daljes së UÇK-së në skenë dhe nga periudha e Millosheviqit kur nga Kosova u dëbuan me dhunë mbi një milion shqiptarë. Gjithashtu foli edhe për periudhën e administrimit të UNMIK-ut në Kosovë dhe për përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve të Kosovës për shpalljen e pavarësisë. Vend të posaçëm në këtë pasqyrim kronologji, Krasniqi i dha periudhës pas shkurtit të vitit 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë dhe filloi të administrohej nga Qeveria e Kosovës.

Në vazhdim, në një podium diskutimi morën pjesë Krasniqi, konsulli Sefa dhe Beatrice Grunder, e cila para 11 vitesh kishte vizituar Kosovën për t´i pasqyruar të freskëta edhe sot kujtimet nga ai udhëtim. Atje ajo ishte me një grup mësuesish për një arsimim shtesë prej nga kishte sjellë përvoja të reja nga njohja e vendit dhe e njerëzve.

Gjatë debatit, konsulli Sali Sefa, ka komplimentuar shtetin zviceran për të arriturat në fushën e demokracisë, por edhe të ndihmës që ia ka dhënë Kosovës para dhe pas luftës. Për marrëveshjen Kosovë – Serbi z. Sefa tha se serbët po përpiqen t´i japin kahe tjetër, mirëpo, tha ai, të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës dhe shqiptarëve mund të bashkëjetojnë mirë në shtetin e Kosovës.

Duke parë interesimin e të pranishëmve për rolin e konsullatës kosovare në Cyrih, z. Sefa njoftoi të pranishmit se, përveç ambasadës në Bernë ekziston edhe konsullata në Gjenevë dhe në Cyrih, por që Cyrihu ka një ngarkesë më të madhe, sepse përfshinë 12 kantone dhe këtu gravitojnë rreth 130 mijë bashkëkombas. „Edhe pse Kantoni Nidwalden mbulohet nga konsullata e Bernës, unë jam i gatshëm në çdo kohë të ofroj shërbimet e mia konsullare. Mos hezitoni të më kontaktoni në çdo kohë, duke përfshirë edhe ditët e uikendit, nëse është nevoja“, inkurajoi të pranishmit konsulli Sefa. Ai edhe njëherë falënderoi publikisht popllin zviceran për ndihmën që ia ka dhënë Kosovës, përfshirë edhe njohjen zyrtare të shtetit të Kosovës që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë.

Zvicerani bashkëndjen me kosovarët

Para të pranishëmve foli edhe Gregor Schwander, anëtar i këshillit komunal dhe docent i mësimit fetar në Fakultetin Teologjik të Lucernit. Ai potencoi raportet e mira ndërmjet shqiptarëve dhe zviceranëve këtu, duke pasur parasysh edhe begatinë kulturore që e japin emigrantët kosovarë, por pa harruar edhe praninë e vazhdueshme të ushtarëve zviceranë në kuadër të Kforit në Kosovë.

Mobi Casa

I pyetur nga albinfo.ch se çfarë kanë qenë pritjet e tij nga ky takim z. Schwander tha: „Të them të drejtën unë kam pasur pak njohuri mbi Kosovën, dhe tani pas dëgjimit të referatit nga z. Krasniqi mësova edhe më shumë, sepse unë nuk e dija historinë e pritjes 500-vjeçare për pavarësinë e Kosovës dhe tani po e kuptoj se sa i rëndësishëm qenka 10 qershori për popullin shqiptar. Në fakt ne zviceranët jemi paksa të lazdruar, ngase ne pavarësinë e kemi prej shekujsh, ndonëse me ndërprerje të herëpashershme. Unë e bashkëndiej dhembjen e kosovarëve dhe e shoh se sa e rëndësishme është ruajtja e pavarësisë dhe roli i udhëheqjes së drejtë gjatë marrëveshjes“.

Sa i përket shqiptarëve në Kantonin e Nidwaldenit ai shprehet i kënaqur dhe thotë se parapëlqen organizimin e manifestimeve të këtilla ndërkulturore që ndikojnë mjaft në integrim dhe në mirëkuptim ndërmjet grupeve etnike.

Në ndërkohë moderatorja përfitoi nga rasti që të komplimentojë popullin kosovar, duke marrë si shembull një artikull të shkruar ditë më parë në të përditshmen NZZ (të transmetuar në gjuhën shqipe nga albinfo.ch) që i dedikohej një taksisti shqiptar në Filadelfia (SHBA). Ai, gjatë transportit të një zvicerani të cilit nuk i kishin qëlluar para të gatshme, i ishte drejtuar: “unë jam kosovar dhe meqë Zvicra ka pranuar dhe ndihmuar shumë kosovarë, ky udhëtim juaji është falas“.

Poezia dhe të rinjtë në mes të dy botëve

Një përzgjedhje të disa poezive nga libri „Mirëdita liebste“ të poetit Bardhec Berisha e kishte bërë Ylfete Fanaj. Secila poezi kishte një historik të vetin, sepse poezitë datonin që nga periudha kur poeti ishte njohur me bashkëshorten e tanishme, por që përkonin edhe me kohëra dhe situata të ndieshme historike. Të gjitha poezitë deklamoheshin edhe në versionin gjermanisht nga vajza e autorit, Roza Berisha, po ashtu një poete e re dhe me perspektivë. Ndërmjet deklamimeve të poezive kishte edhe sqarime dhe përshkrim situatash dhe motivesh për shkrimin e poezive.

Së fundi, poetja Roza Berisha e cila pritet që javën e ardhshme për herë të parë të paraqitet me poezitë e veta, bëri një si parapromovim, duke deklamuar vargje nga poezia me titull “Gjuha”.

Në pjesën e tretë të këtij takimi Ylfete Fanaj ftoi në podium të rinjtë Besa Kajtazin, Valdrin Osmanin dhe Alma Fetahajn për të diskutuar mbi temën „Përvoja e integrimit dhe perspektivat“. Secili prej këtyre të rinjve solli përvojat e veta në përballje me integrimin, duke elaboruar edhe mundësi të reja që avancojnë integrimin. Ajo që i brengos këta të rinj është paragjykimi shpesh i paarsyeshëm që bëhet nga vendorët ndaj „auslenderve“, por nuk mbeti pa u kritikuar edhe paragjykimi ndaj tyre kur ata shkojnë në Kosovë. Kështu, „nuk di si ta arsyetoj pozitën tonë; kur shkojmë në Kosovë ata na thonë: ja erdhën „auslenderat“ , ndërsa këtu komunikimi i parë me vendorët nxjerr konkludimin: aha ti qenke auslender“, shpreh brengën Valdrin Osmani, i cili sapo ka përgatitur temën e maturës me temë integrimin.

Sidoqoftë këta të rinj shihet se janë të integruar mirë në shoqërinë zvicerane, por nuk shmangin dot dashurinë për Kosovën, të cilës, po t´iu jepte mundësia, do ta ndihmonin me njohuritë dhe përvojën e fituar në Zvicër. Si pjesë e gjeneratës së tretë në Zvicër ata besojnë të jenë urë e fortë lidhëse mes Kosovës dhe Zvicrës.

Në fund për të pranishmit u ofrua një apero me specialitete shqiptare, kurse bashkorganizatori i këtij takimi z. Karl Grunder për referuesit, në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë, shpërndau disa dhurata e që ishin produkte vendore.(Xhevdet Kallaba/albinfo)