Një monografi për Gjimnazin e Gjilanit
Gjilan – Sot u shënua një ngjarje e madhe për Gjimnazin e Gjilanit. Ngjarje që shënon 70 vjet të fillimit të punës edukativo arsimore të kësaj vatre të dijes. Një ngjarje që ka lënë gjurmë në kohë e jetë. Monografia e ribotuar e plotësuar, po na afron një materie të bollshme të një kohe nëpër të cilën ka kaluar ky gjimnaz i këtij qytetit me rrethinë. Janë njerëzit, janë shkollarët, por janë edhe mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim në këtë “odë” të dijes.
Andaj, monografia e profesor Tefik Selimit, e cila po përurohet në 70-vjetorin e themelimit të këtij gjimnazi, ngërthen në vete periudhën e gjatë kohore më tepër se gjysme shekulli pune. Duke parë një shembull të rrallë të një institucioni më të mirë shkollor në Anamoravë e më gjerë, autori në fjalë nuk ka nxitur të bëjë një vepër publicistike dokumentare, e cila është e para e këtij lloji për këtë vatër të dijes e diturisë. Nuk është punë e lehtë të shkruhet për një periudhë më tepër se gjysme shekulli pune e jete të Gjimnazit “Zenel Hajdini”të Gjilanit.
Kjo periudhë ishte me shumë sfida, me shumë peripeci, por edhe me shumë të papritura jete e pune në procesin mësimor etj. Shkollë me një nisje të hershme, por – sot, ky institucion i dijes dhe i diturisë frymon me gjuhën amtare shqipe. Dhe, për të shkruar për një shkollë të hershme, siç është Gjimnazi i Gjilanit, i cili po shënon 70 vjet punë, është jo vetëm një përpjekje e madhe drejt arsimimit e edukimit, por është një përkushtim dhe vullnet i madh i autori për t’ia dalë kësaj vepre në fund.
Me fjalë të tjera, ai ia doli kësaj pune, duke na dhënë një dokument të parë disa vjeçar në ndriçimin e historikut të Gjimnazit “Zenel Hajdini” të Gjilanit. Gjimnazi në fjalë sot kremton gjysmë shekull dije e dituri, por me sfida të rënda pune e jete. Erdhi koha kur u shtuan paralelet me shkollarë shqiptarë. Gjimnazi vjen duke i lëshuar rrezet e dijes e të dritës jo vetëm në Gjilan, por paralelet e veta i shtoi edhe nëpër qendrat tjera të Kosovës, si në: Kamenicë, Viti e Bujanoc. Ishin vite të vështira të fillimit të punës së këtij gjimnazi, cili, shumë në vonë, ata që nuk e deshën e quajtën “çerdhe të nacionalizmit” shqiptar!
Vërtet, në një kohë të rëndë për shqiptarët, kur u quajt dhe kohë e vendimeve të mëdha, rinia shkollore së bashku me personelin mësimor, kundërshtoi gjithçka që nuk nuk ishte në vijën e së drejtës për vetëvendosje. Pra, populli jetoi me histori të nëpërkëmbur nga të huajt. Nuk pati drejtësi. Jetoi i ndrydhur e i lënë pas dore. Mandej, thuhet se, nga viti 1968 e këndej shtohet numri i shkollarëve shqiptarë. Vjen koha kur u punua dhe u quajt punë e artë e profesorëve shqiptarë. Ishte një kuadër elitar, i cili, sot kanë grada të larta shkencore.
Vitet 1981 e më vonë, ky gjimnazi i përjetoi të gjitha lëvizjet e vendimeve të mëdha. Pati izolime, biseda informative, por pati edhe të larguar nga procesi mësimor.
Në vitet e rezistencës të vitit 1989, edhe shkollarët dhe mësimdhënësit e këtij gjimnazi i përkrahën kërkesat e minatorëve të Stari Tërgut. U helmuan shkollarët shqiptarë të këtij gjimnazi. Çdo ditë, gjenda keqësohej më tepër, sepse punëtorët e gjimnazit, nga kjo kohë u ftuan në diferencimin ideo-politik për ti larguar nga puna. Mandej, u bë largimi i shkollarëve dhe i punëtorëve nga objektet e tyre shkollore. Filloi mësimi nëpër “shtëpi-shkolla”.
Dhjetë vite u punua nëpër këto objekte private, të cilat populli i liroi dhe u doli në ndihmë. Përsëri erdhën kohë tjera. Me luftën e fundit 1999, Kosova fitoi pavarësinë. Shkollarët u kthyen në shkollat e tyre. Filloi një jetë normale. Pati nga shkolla në fjalë edhe viktima të luftës. Pas luftës, filloi bashkëpunimi në mes shkollave të mesme të shtetit amë, Shqipërisë e shkollave të Kosovës. Kjo monografi nuk është si monografitë e autorëve të tjerë. Por, ai është nisur nga të tjerët që kanë thënë, ku punon njeriu një kohë të gjatë, është e nevojshme të lihet gjurmë apo vepër për atë kohë që ka punuare vepruar. Ja në monografi ka shumë shembuj nga ato zhvillime dramatike, sidomos para luftës, ku organet e dhunshme serbe kanë bërë trysni të madhe në shkollat shqipe, duke u munduar që ato të kthehen dhe të punojnë me planprogramet serbe.
Këto ishin vetëm përpjekje, por në realitet, shkollat tona punuan dhe realizuan planet e tyre sipas urdhëresës së Republikë së Kosovës. Këto ngjarje përshkruhen në monografi, si bërthamat e përbashkëta, detyrimi i organeve serbe që të mësoheshin shkrimtarët serbë e të tjerë, e kurrsesi shqiptarë. Por, qartë shihet edhe përkushtimi i profesorëve shqiptarë, të cilët, me vullnet e papara punuan gjer sa u fitua liria. Pati profesorë që u maltretuan dhe disa nga ta pësuan. Dokumente e kësaj monografie nuk mungojnë. Ato janë fakte, ku vërehet qartë si telegrami i përkrahjes së shkollarëve të gjimnazit minatorëve të Stari Tërgut.
Por, nuk mungojnë edhe dokumentët tjera, si ai i cili ishte hartuar nga drejtoresha e Gjimnazit, ku mësimdhënësit serbë marrin pjesë në luftën e fundit 1999. Janë shënuar qartë emrat e pjesëmarrësve të luftës, të cilët figurojnë në këtë monografi dokumentare të autorit Tefik Selimi. Por, pas këtyre shënimeve, ka edhe aktivitete tjera të shkollarëve të këtij Gjimnazi. Është koha e pas luftës ku gjithçka ndryshon. Me fjalë të tjera, kjo monografi e plotësuar dhe e ribotuar ka lënë një bazë të fortë për njohjen e një historie të hidhur e krenare për të gjithë ata që kanë hyrë e dalë nga kjo vatër e dijes. Autorit i urojmë shëndet, e Gjimnazit ecje përpara drejt shtigjeve të dijes./abide osmani/rajonipres/


