Një libër dokumentar për Murat Mëshicën…
Gjilan – Siç dihet, populli shqiptar me shekuj ka vuajtur nga okupuesi serb e të tjerë. Kurrë në jetë nuk ka qenë i qetë, por gjithnjë i shtypur, i përndjekur, i vrarë dhe i nëpërkëmbur gjer në shfarosje. Ky okupues jo vetëm që ka okupuar tokat, duke sjellë kolonë në shumë fshatra shqiptare, por ka bërë gjenocid të paparë në popullatën autoktone. Historia e këtij populli është e dhimbshme dhe e shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të këtij vendi. E dhimbshme, sa njeriu duhet të gjejë kohë të vajtojë ditë e natë. Edhe pas kësaj “gjendjeje” të rëndë, populli ynë e ka mbijetuar këtë “tragjedi” njerëzore nga të tjerët.
Erdhën gjenerata të reja, të cilat e kuptuan se kjo tokë, ku jetojnë shumica shqiptare ka qenë e është den baba den e tyre. Të kota janë fjalët, se Kosova është djep i të tjerëve. Pse jo? Shqiptarët kurrë s’kanë qenë ardhacakë, por janë banorë autokton të këtyre trojeve stërgjyshore. Ky popull ruan me shekuj traditat, zakonet, këngët, gjuhën dhe krejt çka është e tyre si vlerë e si trashëgimi kombëtare. Prandaj, historinë e popullit tonë s’duhet ta harrojmë, por duhet ta mësojmë e ta ndriçojmë me vepra dokumentare e të tjera. Andaj, ditë më parë, Halil Sh. Mëshica, arsimtar në pension, botoi veprën e tij të dytë me titull: “Mura Liman Mëshica” ose (trimi që i tronditi themelet e sigurimit serb).
Vepra është një dokumentar që flet mjaft shumë. Ka pak ngjarje, por tregon dhe rrëfen realitetin e një kohe, kur shqiptarët janë keqtrajtuar nga të tjerët. Nuk kanë gëzuar të drejtën e punës si të tjerët. Edhe nëse kanë punuar, ata asnjëherë nuk kanë pasur të drejtë të jenë në vendet udhëheqëse. Ata (shqiptarët) kanë bërë punë sa për të mbajtur familjet e tyre. Kanë qenë të përjashtuar nga padrejtësia.
Autori, Halil Mëshica është i lindur më 1930 në Kikë të fshatit Poliçkë, komuna e Dardanës. Gjatë viteve 1942/44 ka ndjekur mësimet në gjuhën arabe në Mejtepin e Poliçkës. Shkollimin fillore e mbaroi në vendlindje, vitin e parë të gjimnazit të ultë e mbaroi në Hogosht. Në vitin 1951 ka vazhduar kursin e gjimnazit në Prizren dhe, pas këtij kursi ka filluar kursin e mësuesisë. Ka punuar si mësues në disa mese të Malësisë së Gollakut: Rogoçicë, Kranidell, Dabishecë, Lisockë e Hogosht. Më parë, ai ka botuar librin me titull “Mëshicët e Kikës së Poliçkës” (2014).
Por, ja këto ditë botoi edhe librin e dytë kushtuar Murat Liman Mëshicën, trimit të një kohe, i cili, i tronditi themelet e sigurimit serb. Është një libër dokumentar, i cili, rrëfen për një kohë të kaluar të popullatës së kësaj ane, e cila, edhe më herët, por edhe më vonë, popullata shqiptare ka vuajtur dhe ka bartur mbi supë të gjitha padrejtësitë nga regjimi barbar serb. Politika serbomadhe kurrë nuk është ngopur me dhunë ndaj shqiptarëve. Vepra nuk është aq voluminoze, por në vete bart apo “plason” ngjarje dhe aktualitet të një kohe jo të largët. Në pjesën e parë autori bën fjalë për vitet e rënda të popullatës të shumë fshatra të kësaj ane ku gjendet popullata afër kufirit me Serbinë. Dhe, nga kjo se jetojnë afër kufirit, shumë familje shqiptare dëbohen me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore. Kjo, zatën është një histori në vete, e cila është një dhimbë e madhe që nuk harrohet lehtë nga askush.
Në pjesën tjetër dhe kryesore të librit, Halil Mëshica, mësues në pension, na rrëfen me pak fjalë figurën e shquar të një kohe të Murat Mëshica, një tri mbi trima. Ky ishte një trim drangua. Ishte një njeri që nuk u mposht leht para armikut, por, si hero i gjallë sa ishte, qëndroi dhe u bë Mic Sokoli i ditëve tona. Ai ishte i lindur më 1949 në Kikë të Poliçkës. Ka vdekur në moshën 61-vjeçare në Gjilan, më 21 mars 2010. Murat Mëshica ishte një i ri me shumë shkathtësi të veçanta jete. Ai pati dashuri të madhe ndaj famljes, farefisit e të afërmve të vet.
Mësojmë se ishte i dalluar në mesin e shokëve. Përherë ishte shkollar i dalluar. E deshi arsimin, por ja u gjend para drejtorit kriminel gjakpirës serb, i cili ia mësheli rrugët e jetës. Ky ishte Joviq Mirolup – Mici. Ky ishte një shovinist i madh serb. Ai nuk e deshi një shqiptar trim e punëtor në vendin udhëheqës. Ky drejtor serb e maltretoi dhe e largoi nga puna Murat Mëshicin. E largoi vetëm se ishte shqiptar i “padëgjueshëm” për te. Organet serbe nuk e gjetën ndonjë sahanlëpirës për ta. Murati, një njeri punëtor e trim, nuk lejoi padrejtësi. Nuk e deshi të luajë askush me punën ku punonte. Ai, edhe kur filloi punës, u betua se do të punojë ndershëm e me përkushtim. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, Murati punësohet në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan. Ai, me punën e tij shembull, kishte arritur “gradën” e udhëheqësit të ndërrimit. Megjithatë, klika serbe bënte ndryshime në Kombinat.
Sillte kuadro jo nga Kosova, por nga Leskoci, Vraja dhe Nishi. Këto kuadro i vendoste në vendet kyçe. Atë kohë, në krye të kësaj elite ishte drejtori serb, Joviq Mirolub- Mici, i cili, siç thotë autori, ua kishte ndërruar 30 punëtorëve shqiptarë vendet e punës. Dhe, në ditën fatkobe, më 10 shtator të vitit 1980, kur Murat Mëshica kishte shkuar në punë, shokët e kishin lajmëruar se Mici e kishte shkarkuar nga udhëheqësi i ndërrimit dhe e kishte caktuar punëtor krahu në depo për të ngarkuar tepih.
Murati Mëshica, kur mori lajmi se e kishin shkarkuar nga vendi i punës, ishte prekur thell. Ishte revoltuar tejmase. Ai, pa një pa dy, shkon e ankohet te sekretaresha dhe e pyet atë se ku ndodhet drejtori në fjalë. Murati kishte shkuar drejt në zyre te Mici. Ky drejtor, duke dalë jashtë zyrës, Muratit iu kishte kërcënuar me fjalë se ia kishte ndërruar vendin e punës. Ai i kishte thënës se, nëse nuk shkon në vendin e caktuar, mund të shkojë në shtëpi. I kishte thënë Muratit se jam zot për ty.
Me të dëgjuar këto fjalë, Murati si karatist e kishte qëlluar në faqe. Ai kishte tentuar shpejt ta nxjerrë pistoletën, por Murati qe më i shpejt e nxjerrë revolën dhe e qëllon atë katër herë. Shkaktohet rrëmujë në Kombinatin e Tekstilit. Murati arrin të dalë jashtë. Tash frikësohet se do ta torturojnë barbarisht. Ai vetëdorëzohet në polici. Autori i përmend edhe dy nga shqipfolësit që i dolën në ndihmë për t’mos e keqtrajtuar organet policore.
Vepra u shtyp në Shtypshkronjën Pika 5/A në Gjilan. Ka 73 faqe. Në fund të ngjarjeve, autori ka botuar edhe një poemë në vargje, të cilën ia ka kushtuar Murat Mëshicës. /tefik selimi/rajonipress/

